“Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, se do t’ju përgjigjem!”

 

Jeta e njeriut është begati e Allahut dhe si e tillë është hapësirë e aktiviteteve të shumta shpirtërore nëpërmjet të cilave njeriu arrin nivelin më të lartë të lidhjes së tij me Krijuesin. Në këtë mënyrë ai gjendet afër mëshirës dhe faljes së Tij. Lutja e ngre besimtarin lart saqë i gjithë personaliteti i tij është i koncentruar në këtë lidhje, kështu që gjithçka udhëhiqet prej saj. Lutja është nevojë shpirtërore e besimtarit ku ai i drejtohet Krijuesit të Tij, kërkon aprovim dhe miratim të veprimtarisë shpirtërore dhe fizike që ai kryen në emër të Allahut.

Duaja – lutja është një veprimtari shpirtërore që lindi bashkë me njeriun. Nisur nga fakti se besimi është nevojë e domosdoshme në jetën shpirtërore të njeriut, si i tillë ai e shoqëroi njeriun prej ditëve të para të tij. Prandaj, duke mbajtur parasysh se lutja është pjesë përbërëse e besimit, atëherë atë e ndeshim gjatë tërë historisë tek të gjitha besimet, qofshin ato qiellore apo të shpikura nga vetë intuita e njeriut.

Me ardhjen e Islamit çështja e besimit definohet në mënyrë të plotë duke u bazuar në Kur’anin Famëlartë dhe në fjalët e Muhamedit a.s., pra definohet edhe fenomeni i lutjes duke u çliruar nga të gjitha format e deformuara dhe elementet e kota të shpikura nga intuita e njeriut. Në kontekstin islam lutja paraqet pjesën përbërëse të fesë, pra të çdo aktiviteti që kryhet në emër të Allahut.

Kur’ani e përmend lutjen si pjesë përbërëse të jetës së pejgamberëve e njerëzve në përgjithësi dhe si ndjenjë e lidhjes së njeriut me Zotin. Kur’ani e nxit njeriun për lutje, që ajo të jetë pjesë e pandarë gjatë jetës. Allahu thotë: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në xhehenem të nënçmuar.”(Gafir, 60)

“E kur robërit e mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen dhe le të më besojnë Mua.”(Bekare, 186)

Ndërsa Muhamedi a.s. lutjen e llogarit si formë të veçantë adhurimi kur thotë: “Lutja është adhurim”.

Islami e sheh lutjen si një aktivitet ndërlidhës mes njeriut dhe Allahut. Ajo është lidhje e pastër që buron nga niveli i bindjes së njeriut ndaj Krijuesit, duke qenë i lirë nga fuqitë destruktive fizike dhe materiale.

Lutja është kthim drejt vetvetes, është gjendje e aktivitetit shpirtëror dhe intelektual për ripërtëritjen dhe ringjalljen e vetëdijes së besimtarit. Nisur nga kjo, lutja në Islam ka bazat e saj dhe formulën e saj pa të cilat nuk mund të jetë e pranuar. Për këtë Islami paraprakisht kërkon përgatitje dhe kushte të veçanta nga të cilat varet vërtetësia, e pastaj edhe efekti i saj në jetë.

Që lutja të jetë e pranuar kërkohet:

-T’i drejtohet vetëm Allahut pa asnjë ndërmjetësues, mbështetur në ajetet vijuese:

“Dhe përpos Allahut, mos lut Zot tjetër e të bëhesh prej të dënuarve.”(Shuara, 213)

“Përveç Allahut, mos iu lut tjetërkujt nga ata që nuk të sjellin as dobi, as dëm…” (Junus, 106)

-Të bëhet me qëllim të pastër dhe sinqeritet të plotë:

“Luteni Allahun me adhurim të sinqertë për Të…” (Gafir, 14)

-Të bëhet më përulësi dhe përkushtim të plotë, duke ndjerë thellë paaftësinë ndaj fuqisë

absolute të Allahut.

“Luteni Zotin tuaj përulshëm e ngadalë! Njëmend Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (A’raf, 55)

Pra, nga ajo që shihet nga ajetet e sipërcituar, lutja është veprim i një vetëdijeje të lartë që lidh tre pjesët kryesore të personalitetit të njeriut: zemrën, të menduarit dhe të shprehurit e tij. Ajo është ide dhe praktikë që zhvillon dhe kultivon te njeriu të menduarin e pastër ndaj Zotit, praktikë në përputhshmëri me porositë e Tij dhe konsekuencë në veprim. Pra, pa këto elemente nuk konsiderohet lutje, dhe si e tillë nuk gjen miratim tek Allahu.

Siç kuptohet, lutja nuk është teori e thatë dhe shterpë, nuk është formalitet apo diçka abstrakte, përkundrazi, është angazhim maksimal i potencialit shpirtëror të personalitetit të njeriut që drejtohet kah i madhi Zot dhe inspirohet nga praktika e njeriut në emër të Zotit për t’u kthyer përsëri në praktikë.

Për ta ilustruar më mirë, këtu po sjellim shembullin e njërit prej personaliteteve të njohur të historisë islame, Ibrahim bin Ed’hemit. Ai ishte dijetar i madh dhe rob i ruajtur. Përveç kësaj, këshillat e tij ndikonin shumë në sjelljet e njerëzve, ndaj mori titullin “Tabibul kulub” – shëruesi i zemrave. Një ditë duke shëtitur nëpër rrugët e Basrës, rreth tij u tubuan shumë njerëz ku ndër të tjera e pyetën:

– O biri i Is’hakut! Allahu në librin e tij thotë: “…Më thirrni Mua që t’ju përgjigjem…” Mirëpo, lutjet tona nuk pranohen?

Atëherë Ibrahimi u përgjigj:

– O popull i Basrës, si t’jua pranojë Allahu lutjet, ndërkohë që zemrat tuaja janë shkujdesura. Pastaj shtoi:

– E njihni Allahun, mirëpo nuk i zbatoni urdhrat e Tij.

– E lexoni Kur’anin Famëlartë, por nuk veproni sipas tij.

– Pohoni se shejtani është armiku juaj, mirëpo ju e nderoni dhe pëlqeni atë.

– Thoni se i përkisni umetit të Muhamedit a.s., mirëpo nuk punoni sipas fjalëve dhe rrugës së tij.

– Dëshironi xhenetin, mirëpo nuk punoni për të.

– Dëshironi të shpëtoni nga zjarri i xhehenemit, ndërsa e hidhni veten në të.

– Pranoni se vdekja është realitet, mirëpo nuk përgatiteni për të.

– Merreni me të metat e të tjerëve dhe harroni tuajat.

– Ushqeheni me begatitë e Allahut, por nuk e falënderoni Atë.

– I varrosni të vdekurit tuaj, por nga kjo nuk nxirrni mësim.

Nga sa u tha më lart kuptohet se duaja duhet të jetë përgatitje maksimale dhe angazhim maksimal i të gjitha potencialeve dhe aktivizimi i të gjitha aftësive të njeriut drejt arritjes së qëllimit të planifikuar. Vetëm atëherë mund të pritet pranimi i saj nga Allahu.

Lutja, si pjesë përbërëse e besimit, ka qenë gjithmonë aktivitet i rëndësishëm dhe pjesë e pandarë e jetës së njeriut. Ajo vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot e kësaj dite, në veçanti në kohën e modernizmit dhe dinamizmit bashkëkohor, ku njeriu po largohet nga vlerat e mirëfillta humane dhe po ballafaqohet me probleme të mëdha shpirtërore dhe fizike. Sot njeriu bashkëkohor mendon për gjithçka, ndërsa për veten aspak. Prandaj bota përballet me dukuri shqetësuese si narkomania, prostitucioni, kumari, vetëvrasja, dhuna, kriminaliteti, etj. E gjitha kjo e bën edhe më aktual fenomenin fe, respektivisht kthimin e njeriut kah Allahu, besimi, respektivisht të drejtuarit Atij me lutje për udhëzim dhe falje.

Këtë e vërtetojnë edhe psikologët, etimologët dhe sociologët e kohës, të cilët pohojnë se besimi në Zot është qetësim shpirtëror dhe shërim psikologjik, si dhe ndjenjë e thellë e cila e ndihmon njeriun që në momentet më të vështira të gjejë prehje. Kur njeriu i drejtohet Allahut, në këtë moment ai kupton qëllimin e jetës, sheh pozicionin e vet, analizon veprimet e tij duke ndjerë thellë brenda vetes afërsinë dhe mbështetjen e Fuqiplotit.

Nëse e kuptojmë kështu lutjen, atëherë do të bindemi në praktikë se begatitë dhe vlerat e saj janë shumë të mëdha dhe të dobishme për njeriun dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi, bazuar në thënien e Muhamedit a.s., i cili thotë: “Nuk ka gjë më të vlefshme tek Allahu sesa lutja.” (Tirmidhiu dhe Ibni Maxhe)

Pra, lutja është një rast i mirë për afrimin tonë me Allahun dhe njëherësh vendosmëri për të jetuar në përputhje me porositë e Tij, duke qenë të vetëdijshëm se mëshira dhe falja e të Fajfalësit është shumë e madhe.

Së fundi, e gjej me vend të citoj fjalët e një njeriu të devotshëm, i cili lutej kështu për veten:

“Zoti im, si mos të të lutem Ty, kur unë jam mëkatar.

Zoti im, si mos të të lutem Ty, kur Ti je Mëshirues e Falës?!”

Redaksia