“Testi për diturinë e mirëfilltë është në vetë njeriun.”[1]
– S. M Nakib el-Attas
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale (AI) ka vënë në pikëpyetje disa prej supozimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar arsimi modern. Nëse një sistem artificial tani mund të shkruajë ese, të përmbledhë libra, të formulojë argumente dhe të prodhojë përgjigje që, në nivel formal, ngjajnë me punën e një studenti ose studiuesi, atëherë lind një pyetje e thellë: çfarë duhet të jetë qëllimi i edukimit njerëzor? Sistemet arsimore dhe mësimdhënësit po alarmojnë se AI ka krijuar një krizë në sistemin universitar. Shumë institucione arsimore tani janë në hall se si të dallojnë punën origjinale dhe kreative të nxënësve nga ajo çfarë mund t’ju ofrojë inteligjenca artificiale. Tani propozohen teknologji të reja që mund ta dallojnë një material studimi të përpiluar nga AI, nga ajo e vetë njeriut. Por a do jetë zgjidhje programe të reja teknologjikë për AI, apo vetë AI-ja po na tregon diçka më shumë në kohën tonë?
Një artikull nga Michael Grove dhe Tom Harrison, “Educating What AI Cannot”[2] po tregon se në fakt AI po na tregon se AI nuk ka shkaktuar krizë, siç po mendohet, por ajo po na tregon për një krizë që tashmë ka qenë në sistemin arsimor modern. Universiteti modern ka rrezikuar ta reduktojë edukimin në prodhimin, matjen dhe certifikimin e njohurive dhe aftësive, ndërkohë që AI po tregon se e vetmja gjë që nuk mund të automatizohet lehtësisht është karakteri, gjykimi, përgjegjësia dhe urtësia praktike. Prandaj, thonë ata, a mos po ia tregon rrugën e vërtete AI-ja edukimit bashkëkohor, ku edukimi moral duhet të rikthehet në qendër të arsimit të lartë.
Dhjetë shekuj më parë, një nga nxënësit e talentuar të Imam Gazzaliut i shkroi një letër mësuesit të tij se pavarësisht se kishte mësuar shumë shkenca të ndryshme, ai po ndihej i çorientuar se çfarë duhet të bënte me gjithë këtë dije dhe qindra libra përreth. Imam Gazzaliu i kthen përgjigje me një libër që njihet me titullin Ejjuhe’l-veled.[3] Në këtë vepër, Gazzaliu i drejtohet nxënësit të tij duke e paralajmëruar se konceptimi i dijes që kufizohet në akumulimin e informacionit e bën të natyrshëm këtë huti. Për Gazzaliun, njeriu mund të zotërojë një sasi të madhe njohurish dhe megjithatë të mos ketë arritur qëllimin e vërtetë të dijes
Një nga idetë qendrore të Ejjuhe’l-veled është se dija nuk mund të justifikohet vetëm përmes sasisë së saj. Imam Gazzaliu nuk e mohon rëndësinë e studimit; përkundrazi, vetë struktura e veprës i drejtohet një nxënësi që ka kaluar vite duke kërkuar dije. Problemi fillon në momentin kur njeriu beson se vetë zotërimi i njohurive është i mjaftueshëm për përsosmërinë ose vlerën e tij si njeri. Për Gazzaliun, ekziston një hendek i mundshëm midis asaj që njeriu di dhe asaj që ai është. Një person mund të njohë parimet morale, por të mos jetë i moralshëm; mund të flasë për urtësinë, por të mos jetë i urtë; mund të ketë dije fetare, por kjo dije të mos e ketë transformuar karakterin e tij. Për këtë arsye, dija duhet të kalojë nga niveli teorik në atë praktik. Vlera e saj matet edhe nga ndikimi që ushtron mbi jetën dhe sjelljen e njeriut.
Kjo kritikë merr një aktualitet të veçantë në epokën e inteligjencës artificiale. Grove dhe Harrison argumentojnë se AI e ka bërë më të dukshme një problem që arsimi modern e kishte tashmë: prirjen për ta identifikuar edukimin me produktet e matshme të tij. Një ese, një provim, një raport ose një projekt shpesh trajtohen si dëshmi të drejtpërdrejta të dijes së studentit. Por nëse AI mund të prodhojë disa prej këtyre produkteve në mënyrë të besueshme, atëherë vetë produkti nuk është më provë e mjaftueshme e të mësuarit.
Këtu shfaqet një paralelizëm i rëndësishëm me Gazzaliun. Nëse Gazzaliu paralajmëron kundër dijes që nuk shndërrohet në veprim ose nuk vjen si rezultat i veprimit, AI detyron universitetin bashkëkohor të përballet me një fenomen tjetër: prodhimin e pamjes së dijes pa garantuar procesin e të mësuarit. Një tekst mund të jetë i saktë, elegant dhe bindës, por kjo nuk dëshmon domosdoshmërisht se personi që e dorëzon atë ka menduar, ka gjykuar ose është formuar intelektualisht përmes procesit. Teza kryesore e Grove dhe Harrison është se AI mund të kryejë ose imitojë shumë prej detyrave që tradicionalisht janë lidhur me inteligjencën akademike, por ajo nuk mund të edukojë karakterin njerëzor në vend të njeriut. Pikërisht për këtë arsye, autorët argumentojnë se arsimi i lartë duhet t’i kushtojë një rëndësi më të madhe zhvillimit të virtyteve morale, intelektuale, qytetare dhe praktike.
Kjo nuk nënkupton se karakteri është një lloj “shtese” morale që mund t’i bashkëngjitet arsimit pasi studenti të ketë fituar njohuritë dhe aftësitë e nevojshme. Përkundrazi, argumenti i artikullit sugjeron se karakteri është pjesë e vetë mënyrës se si njeriu përdor dijen. Një person mund të jetë teknikisht shumë i aftë, por nëse nuk ka gjykim, përgjegjësi dhe integritet, aftësia e tij mund të përdoret në mënyra të dëmshme ose të papërgjegjshme.
Në Ejjuhe’l-veled, edukimi nuk është vetëm një proces i mbushjes së mendjes me njohuri. Ai është një proces i formimit të vetes. Disiplina, vetëkontrolli, sinqeriteti dhe përputhja midis dijes dhe veprimit janë elemente thelbësore të këtij procesi. Imam Gazzaliu e paralajmëron nxënësin e tij se kërkimi i dijes dhe leximit të shumtë mund të ketë vetëm motive të përkohshme ose te dukshme, siç janë mburrja, fitimi i ndonjë pozite, paga e lartë, por në anën tjetër më të mund të synohet ngritja e virtyteve, moralit të lartë dhe veprimi me atë dije sipas parimeve të Sheriatit.[4] Nëse nxënësi ose studenti është i prirë nga synimet e para, atëherë ai e përdorë dijen drejt atyre. Kështu, kopjimi, mashtrimi, plagjiatura bëhen të pashmangshme. Në rastin e dytë, ai synon një riorientim të të gjitha dhuntive të vetës me atë që di.
Nëse do ta përkthenim këtë ide në gjuhën e debatit bashkëkohor mbi AI-në, mund të thoshim se pyetja nuk është vetëm: “A mund ta përdorë studenti AI-në?” Pyetja më e rëndësishme është: “Çfarë lloj personi bëhet studenti përmes mënyrës se si e përdor AI-në?” Kjo zhvendosje është thelbësore. Në vend që AI të trajtohet vetëm si problem i plagjiaturës ose i integritetit akademik, ajo mund të shihet si një provë për karakterin. Përdorimi i teknologjisë kërkon gjykim: kur është e përshtatshme ta përdorësh, kur duhet ta kufizosh, si duhet të verifikosh informacionin që prodhon dhe, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi për rezultatin përfundimtar?
Këtu hyn në lojë koncepti i urtësisë praktike. Grove dhe Harrison sugjerojnë se edukimi duhet të zhvillojë aftësinë e studentit për të gjykuar në situata konkrete, ku nuk ekziston gjithmonë një rregull i thjeshtë ose një përgjigje automatike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në marrëdhënien me AI-në, sepse një sistem mund të ofrojë një përgjigje, por nuk mund të marrë përgjegjësi morale në vend të përdoruesit. Në këtë kuptim, AI mund të prodhojë një përgjigje, por nuk mund të bëhet moralisht përgjegjëse për të njëjtën mënyrë si një njeri. Pikërisht këtu shfaqet kufiri që artikulli e konsideron specifikisht njerëzor: karakteri nuk është vetëm ajo që dimë, por mënyra se si gjykojmë dhe veprojmë.
Duhet të kemi parasysh se tradita islame ka një koncept shumë më të gjerë për karakterin dhe qëllimin e tij përfundimtar. Karakteri në perspektivën islame nuk përfshinë vetëm aspektet sekulare, por dhe ato fetare. Ashtu si për vetë Gazzaliun, formimi i karakterit nuk mund të shkëputet nga një kuptim fetar i njeriut dhe i qëllimit të tij. Edukimi është i lidhur me pastrimin e vetes, marrëdhënien me Zotin dhe orientimin drejt një qëllimi që e tejkalon suksesin në këtë botë. Vepra dhe karakteri kanë një dimension shpirtëror që nuk reduktohet në mirëqenien individuale ose funksionimin e mirë të shoqërisë. Ai i shkruan nxënësit të tij:
“Dija pa veprim me të është çmenduri, e vepra pa dije as nuk mund të ndodhë. Mos harro se vetëm dituria nuk është në gjendje të largojë nga veprat e këqija, e as të të udhëzojë në bindje, e as të të shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit. Nëse sot nuk punon sipas diturisë tënde dhe nuk mundohesh të kompensosh atë që të ka ikur në ditët e shkuara, nesër do të thuash: O Zot, na kthe në dynja, të bëjmë vepra të mira; por atëherë do të marrësh përgjigjen: I çmendur, po ti nga atje erdhe!”[5]
Grove dhe Harrison, nga ana tjetër, e ndërtojnë argumentin e tyre në një kornizë të etikës së virtytit dhe të suksesit njerëzor. Qëllimi është formimi i individëve që mund të jetojnë mirë, të gjykojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në të mirën publike. Karakteri ka një dimension moral dhe qytetar, por artikulli nuk e vendos atë në të njëjtin horizont teologjik që e gjejmë te Gazzaliu, dhe në përgjithësi te vetë tradita islame.
Ky dallim është i rëndësishëm sepse tregon se nuk mund të transferojmë automatikisht konceptet nga një traditë në tjetrën. Për Gazzaliun, pyetja “çfarë lloj njeriu duhet të bëhem?” nuk mund të ndahet nga pyetja “për çfarë qëllimi ekziston njeriu?”. Në edukimin modern, pyetja është më shumë: “çfarë lloj qytetari dhe agjenti moral duhet të formojë universiteti në një botë të transformuar nga teknologjia?” Megjithatë, ky dallim nuk e dobëson domosdoshmërisht krahasimin. Përkundrazi, ai e bën atë më produktiv. Gazzaliu i jep debatit bashkëkohor një dimension që ndonjëherë mungon: pyetjen nëse formimi i karakterit mund të reduktohet vetëm në aftësi për funksionim të mirë shoqëror. Nga ana tjetër, Grove dhe Harrison e përkthejnë shqetësimin për formimin moral në një gjuhë institucionale dhe pedagogjike që mund të aplikohet konkretisht në universitetet moderne.
Megjithatë, kontributi më i rëndësishëm i Gazzaliut në këtë debat mund të jetë një pyetje edhe më radikale. Nëse arsimi bashkëkohor pranon se duhet të formojë karakterin, atëherë duhet të pyesë gjithashtu: çfarë është karakteri i mirë dhe mbi çfarë baze përcaktohet ai? Teknologjia mund të na detyrojë të rikthehemi te edukimi i karakterit, por nuk mund të na japë automatikisht përgjigjen se çfarë karakteri duhet të kultivojmë. Këtu e shoh të domosdoshme që institucionet tona arsimore fetare që ofrojnë edukim fetar do të luajnë një rol tejet kritik në këtë debat. Në një botë ku makinat mund të prodhojnë gjithnjë e më shumë informacion, argumente dhe tekste, ndoshta pyetja më e rëndësishme e edukimit nuk është më thjesht “çfarë mund të dijë njeriu?”, por “çfarë lloj njeriu duhet të bëhet ai me atë që di?”
Në këto sfida që po kalon sistemi arsimor në mbarë botën institucionet islame do kenë rolin më të madh të përfshihen në riorientimin e edukimit të së ardhmes. Tradita islame mund të japë një kontribut të rëndësishëm në riorientimin e edukimit bashkëkohor duke rikthyer idenë se arsimi nuk duhet të kufizohet vetëm në transmetimin e njohurive, zhvillimin e aftësive apo përgatitjen për tregun e punës, por duhet të synojë edhe formimin e njeriut në tërësinë e tij. Koncepti islam i taʿlimit lidhet ngushtë me terbijen dhe teʾdib,[6] pra me edukimin, kultivimin dhe disiplinimin moral të individit. Në një kohë kur AI mund të prodhojë informacion dhe të imitojë disa forma të inteligjencës, tradita islame e zhvendos vëmendjen nga pyetja “sa di njeriu?” drejt pyetjes “çfarë lloj njeriu bëhet ai përmes dijes së tij?”. Në këtë kuptim, mendimtarë si Gazzaliu ofrojnë një perspektivë të vlefshme për arsimin bashkëkohor: dija duhet të shoqërohet me përgjegjësi, veprim, vetëdije morale dhe formim të karakterit. Kështu, tradita islame mund të kontribuojë në një konceptim më holistik të edukimit, ku njohuria, karakteri dhe përgjegjësia morale nuk trajtohen si dimensione të ndara, por si pjesë të së njëjtës përpjekje për formimin e njeriut.[7] Universiteti islam, medresetë dhe institucionet e tjera relevante tek ne duhet ta shfrytëzojnë këtë traditë të pasur pedagogjike për t’ju përgjigjur sfidave të një revolucioni të ri digjital.
Haki Sahitaj
[1] Sejjid Muhammed Nakib el-Attas, Hyrje në metafizikën e Islamit/Paraqitja e elementeve themelorë të botëkuptimit islam, (Shkup: Logos-A, 2011), 125.
[2] Grove, Michael, and Tom Harrison. 2026. “Educating What AI Cannot: Character and the Future of Higher Education.” British Journal of Educational Studies, June, 1–26. doi:10.1080/00071005.2026.2678972.
[3] Muhammed ibn Ahmed el-Gazzali et-Tusi, Ejjuhe’l-Veled, (Bejrut: Daru’l-Menhexh, 2014, bot. dytë). Kjo vepër e shkurtër është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
[4] Po aty, 44.
[5] Po aty, 45-46.
[6] Për raportin e këtyre dy koncepteve të shihet S.M. Nakib el-Attas, The concept of Education in Islam, (Kuala Lumpur: ABIM, 1978).
[7] Për një trajtim të të gjitha këtyre aspekteve në edukimin islam të shihet Zahra al-Zeera, Tërësia dhe shenjtëria në edukim/Një perspektivë islame, (Tiranë: AIITC, 2019). Në këtë libër po ashtu trajtohet teoria e virtyteve dhe shpirtërores te imam Gazzaliu. Shih faqe 59 e tutje.














