Kreu Bota Jone Ai (a.s.), dhuratë e madhe për besimtarët

Ai (a.s.), dhuratë e madhe për besimtarët

0

Në sajë të “dritës”, që Zoti e krijoi në cilësinë e një dielli dhe që e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit, të gjitha errësirat e injorancës u grisën dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Kjo “dritë” është mirësia më e gjerë dhe favori më i madh i Zotit për xhindet e njerëzit. Që kjo është kështu, na e thotë vetë Zoti ynë në Kur’an: “Allahu u ka bërë një dhuratë të madhe besimtarëve duke u dërguar nga mesi i tyre një pejgamber, që t’u lexojë shpalljet e Tij, t’i pastrojë (nga të këqijat, nga mëkatet) dhe t’ua mësojë Librin dhe urtësinë…[1]

Profeti Muhamed a.s. është profeti i fundit që Allahu i dërgoi njerëzimit. Ai është njeriu më i lartë, më me vlerë dhe më i respektuari nga të gjitha krijesat e tjera. Ai është profeti i mëshirës dhe i dashurisë. Allahu e dërgoi atë si mëshirë për gjynahqarët e të devotshmit, për gratë e fëmijët, për besimtarët e mohuesit, për njerëzit e xhindet. Madje, Allahu praninë dhe ekzistencën e Muhamedit a.s. në tokë, e bëri garanci dhe siguri për të gjitha krijesat, kur thotë: “Ne të dërguam ty veçse mëshirë për botët[2].

Kush nis të kërkojë në shkrimet e shenjta, gjen se qëllimi më i madh i tyre është mëshira, njohja e njëri-tjetrit, ruajtja e marrëdhënieve etj. Kur’ani Famëlartë dhe suneti i Profetit janë ftesë e hapur për largimin e përçarjeve, urrejtjes dhe smirës. Në shpalljen hyjnore Allahu lavdëron mëshirën dhe butësinë. Ai në Kur’anin Famëlartë thotë: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje[3]. Kur lexojmë me kujdes jetën e Profetit a.s., del në pah ana e tij e butësisë, faljes dhe mëshirës. Po të na shohësh sot, nëse krijojmë armiqësi me dikë, nuk lëmë vend për paqe e afrim, e as shans për bisedim, por i presim të gjitha mundësitë e mëshirës dhe shkatërrojmë të gjitha urat e bashkëbisedimit dhe faljes. Kush sheh shoqërinë tonë, gjen se ne jemi të ashpër me njëri-tjetrin, jemi të ashpër me ata që kemi kontradikta, nuk jemi të drejtë kur gjykojmë, veprojmë pa menduar, nëse nuk na pëlqen mendimi sulmojmë të zotin e tij pa kufi. Sikur u kërkohet njerëzve që të bien dakord me ne për gjithçka, të na e bëjnë qejfin për gjithçka, sikur mendimet tona të ishin shpallje hyjnore dhe sikur e drejta të na shoqëronte kudo. Në legjislacionin islam, ka ura bashkëpunimi dhe afrimi më shumë nga ç’mund të përshkruhet. Ne jemi të mëshirshëm e të mirë me vetet tona, lavdërojmë çdo gjë që bëjmë, justifikojmë çdo gabim tonin, e mbrojmë veten prej çdo veprimi, kurse nga ana tjetër gjykojmë gabimet e të tjerëve, qortojmë me të madhe çdo gabim të tjetrit, e nganjëherë s’e pranojmë pendimin, e aq më pak justifikimin e tyre.

Nuajmani pinte ndonjëherë dhe i dërguari i Allahut zbatonte atëkohë ndaj tij distancimin. Veprimi i personit ishte një mëkat. Por, kur sahabёt iu drejtuan atij me fjalë tё rënda për shkak tё këtij veprimi, Profeti vrenjti vetullat dhe urdhëroi: “Mos e ndihmoni shejtanin kundër vëllait tuaj. Betohem nё Allah, se ai e do Zotin dhe tё dërguarin e Tij”[4]. Sado mëkate tё bёjё njeriu, tek i cili dashuria për Allahun dhe Profetin jep si rezultat bashkimin e tij me ta, nuk e meriton fjalën e keqe, sepse, në fund të fundit, ai e do Allahun dhe tё dërguarin e Tij.

Duke qenë se Profeti a.s. është krijesa më e dashur tek Allahu xh.sh., ashtu duhet të jetë edhe për ne që pretendojmë se ndjekim rrugën e tij. Dashuria për profetin a.s. është njëkohësisht dhe dashuri për bukurinë dhe fisnikërinë e karakterit të tij, për drejtësinë, modestinë dhe forcën e brendshme të njeriut dhe që profeti e zotëroi në shkallën më të lartë. Myslimanët obligohen që dashurinë ndaj tij ta vendosin mbi dashurinë ndaj çdo krijese tjetër, përfshi këtu veten dhe të dashurit e tyre. Për këtë, në hadithin e transmetuar nga Enesi r.a., Profeti a.s. ka thënë: “Askush prej jush nuk do të jetë besimtar i vërtetë, derisa të bëhem për ju më i dashur se prindërit tuaj, fëmijët tuaj dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”[5]

Jetesa e Profetit a.s. nga njëra anë na nxit të lakmojmë arritjen e përsosmërisë dhe nga ana tjetër na ndihmon të pranojmë paaftësinë tonë për të qenë të pagabueshëm duke na shtyrë të jetojmë në paqe me veten si robër të penduar të Zotit, me shpresë në mëshirën e madhe të Tij. Që besimi ynë të jetë i shëndoshë dhe i plotësuar, duhet ta duam Profetin tonë duke ndjekur rrugën e tij dhe duke u lutur për të sipas urdhrit kuranor, mbështetur në ajetin 56 të sures Ahzab: “Padyshim që Allahu e bekon të dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O ju që keni besuar, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam”.

Dorian Demetja

[1] Al-Imran, 164

[2] Enbija, 107

[3]Al-Imran, 159

 

[4] Buhariu

[5] Buhariu-Muslimi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version