BISEDA NDËRMJET PROFETIT (A.S.) DHE IBLISIT (Djallit)

Përcillet nga ibn Abbasi se Muadh ibn Xhebeli transmeton:

Një ditë kur i dërguari i Allahut (s.a.v.) po bisedonte me sahabët në shtëpinë e Ejub el-Ensarit, nga jashtë vjen një zë:

O i dërguari i Allahut! Kam një punë për të përfunduar. A më lejon të hyj brënda?! Pasi dëgjon këtë zë, profeti (a.s.) kthehet nga sahabët duke i pyetur:

A e dini se i kujt është ky zë? Sahabët i përgjigjen:

Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë. Nuk e dimë o i dërguari i Allahut se i kujt është zëri! Profeti ynë tha:

Ai është Iblisi (djalli) i mallkuar. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të. Me të dëgjuar këtë hz.Omeri ngrihet nga vendi duke thënë:

O i dërguari i Allahut! Më jepni leje, ta vras menjëherë atë. Profeti (a.s.) iu përgjigj kështu:

Prit o Omer! A nuk e din ti, se atij iu ka dhënë një afat kohor? Asnjë nuk është i aftë t’a bëjë këtë. Hiqe nga mëndja vrasjen. Pastaj shtoi:

Hapeni derën, le të hyjë. Ai ka marrë urdhër për të ardhur këtu. Përpiquni t’i kuptoni mirë fjalët që do të thotë!

 

***

Me lejen e profetit dera hapet dhe Iblisi i mallkuar hyn brënda. Sytë i kishte të hapura me drejtim lart, kokën e kishte të madhe si kokë elefanti. Buzët e tij të fryra i ngjanin buzëve të hipopotamit, në mjekrën e tij valviteshin gjashtë-shtatë qime si të kalit, kishte pamjen e një plaku qeros. Një krijesë e fëlliqur, të cilën njerëzit po ta shihnin, do t’i ngjallte neveri…Iblisi dha selam:

– Paqja qoftë mbi ty o Muhamed dhe mbi ju o shokët e Muhamedit! Asnjë nuk ia ktheu selamin Iblisit.

Profeti ynë i nderuar ia kthen duke e pyetur:

Paqja është e Allahut o i mallkuar! Fol pse erdhe?

Iblisi iu përgjigj:

– Edhe unë e pata shumë të vështirë të vija këtu. U detyrova të vija në bazë të një urdhëri të Allahut, që ma dërgoi nëpërmjet një engjulli: “Do të shkosh tek i dashuri im, Muhamedi, në pamjen më të shëmtuar dhe do të tregosh se si  i mashtron njerëzit. Sido që të pyetesh, do të përgjigjesh drejt. Nëse përpiqesh të gënjesh sadopak, të poshtëroj  përpara armiqëve të tu”.

Atëhere profeti (a.s.) e pyeti:

Meqënëse do të jesh i sinqertë, më thuaj: Cilin nga njerëzit nuk e don aspak?

Iblisi u përgjigj:

– Ty o Muhamed! Profeti (a.s.) e pyeti përsëri:

–  Po mbas meje? Iblisi i përgjigjet:

– Kryetarët e drejtë të shtetit, dijetarin që vepron me dijen e tij. Të riun e devotshëm i cili ekzistencën e tij e ka vënë në shërbim të Allahut. Fukarain e devotshëm, i cili nevojën e tij nuk ia tregon askujt tri ditë me rradhë dhe nuk ankohet për gjëndjen e tij tek asnjë. Gjithashtu edhe pasanikun falënderues, fitimi i të cilit është hallall. Ai shpenzon në rrugën e Allahut dhe mbron fukarenjt e jetimët.

Përsëri profeti (a.s.) e pyet:

Po tjetër kë nuk don? Iblisi i thotë:

Nuk dua aspak, atë që mëson përmendësh kuranin dhe vepron sipas tij, muezinin që këndon ezanin në pesë kohët e faljes për hir të Allahut, asketin që është gjithnjë me abdest dhe i kapur fort mbas fesë, zemërmëshiruesin i cili largohet nga harami, njeriun bujar që ushqehet me ushqim të lejuar, personin me moral të lartë që tregon modesti për Allahun, atë që, kur të gjithë flenë, ngrihet natën të falet, dy të rinj që duhen për hir të Allahut, besimtarin i cili ka shumë dëshirë dhe është shumë i kujdesshëm në faljen e namazit me xhemat, atë që këshillon shokët e tij pa pasur diçka në zemër, personin që vërteton garancinë e Allahut, nuk dua atë individ që ndihmon gratë e veja, të cilat janë sinqerta dhe të rregullta në mbulim, gjithashtu edhe myslimanin që përgatitet në çdo çast për vdekjen. Këto janë armiqtë e mi kryesor.

Pas kësaj, ndërmjet profetit (a.s.) dhe Iblisit vazhdon kjo bisedë:

  • Si ndjehesh kur populli im e kryen faljen konform rregullave?
  • Më kapin një palë ethe dhe dridhem i tëri. Sepse një person që bën sexhde për Allahun, lartësohet një gradë.
  • Mirë, po kur mbajnë agjërim?
  • Më lidhen duart e këmbët deri sa të çelin iftarin.
  • Kur lexojnë kuran?
  • Siç tretet kripa në ujë dhe plumbi në zjarr.
  • Kur kryjnë haxhin?
  • Më vihen prangat në qafë, çmendem.
  • Kur japin sadaka (lëmoshë)?
  • Atë çast ndjehem shumë keq. Thua se më ndan në dysh me sharrë, nga koka deri tek këmbët.
  • Po mirë, sadakaja që jepet për Allahun të bën ty të ndjehesh kështu?
  • Po, sepse sadakaja ka këto veçori; të begaton pasurinë, personi në fjalë bëhet i dashur mes njerëzve. Allahu (xh.sh.) vendos një perde midis sadakasë dhe xhehenemit, ajo të largon nga çdo mënzyrë, mërzitje dhe dëshperim, të pranohen lutjet dhe në ditën e gjykimit të mirat e saj do të rëndojë mirë në peshore.
  • Ç’më thua për Ebu Bekrin?
  • Ai edhe në kohën e injorancës nuk mu bind, e si do të më bindet e do të gënjëjë pasi ka hyrë në islam?
  • Mirë, po për Omerin ç’më thua?
  • Largohem nga ai në çdo vend që e shoh.
  • Për Osmanin?
  • Turpërohem shumë prej tij.
  • Po për Aliun?
  • Ah, sikur t’ia dilja mbanë me të! Sikur të më lërë në punën time edhe unë ta lërë atë. Mirëpo ai s’më lë mua.

I dërguari i Allahut (s.a.s.) pas fjalëve të Iblisit tha kështu:

– Falenderimi i qoftë Allahut. O shpresëhumbur (me këto përgjigje) ti parapërgatite lumturinë e popullit tim në botën e përtejme.

            Iblisi ia kthen kështu:  

 –  O Muhamed! Si je i qetë për lumturinë e popullit tënd?! Sa të jem gjallë, deri në atë afat të caktuar, do të vërshoj në venat e tyre të gjakut duke i shkaktuar ngacmime. Betohem në Allahun që më ka krijuar se, që të gjithë ata do t’i nënshtroj; dijetarin, injorantin, adhuruesin, mëkatarin…Përveç besimtarëve të devotshëm. Pikërisht këta, nuk mundem t’i nënshtroj.

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e pyet : “Kush janë besimtarët e devotshëm  sipas teje, o i mallkuar?!”

Iblisi përgjigjet si më poshtë:”

– Besimtar i devotshëm është ai që nuk e dashuron pasurinë e paranë dhe nuk i pëlqen të lavdërohet. Kështu që menjëherë largohem duke e braktisur. Ai që dashuron lekun, pasurinë dhe lëvdatën, zemrën e ka të lidhur me dëshirat e kësaj bote. Ja, ai është miku im i bindur. A nuk e din ti, se dashuria ndaj pasurisë dhe ndaj postit, është nga mëkatet e mëdhaja?

– Pastaj unë kam shtatëdhjetëmijë fëmijë. Çdo njërin prej tyre e kam caktuar në një vend. Dhe ç’do fëmijë i im ka shtatëdhjetëmijë djaj (shejtan).

– Një pjesë i kam dërguar tek dijetarët, një pjesë tek pleqtë, një pjesë tek plakat, një pjesë tek të rinjtë dhe një pjesë tjetër tek fëmijët. Marrëdhëniet tona me të rinjtë shkojnë për bukuri. Këto tonët luajnë si të duan me fëmijët. Një pjesë i kam dërguar tek adhuruesit dhe  tek asketët. I vërsulen atyre nga ç’do anë. I sorrollasin nga një vend tek tjetri. Dhe këta adhurues e asketë arrijnë deri aty, sa fillojnë të shajnë njërën prej shumë shkaqeve. Kështu, prej atyre largohet sinqeriteti. Tashmë adhurimet i kryejnë pa sinqeritet. Dhe më tepër, ata nuk janë në dijeni për gjëndjen e tyre.

– A nuk e din se prifti Barsis, nga bijtë e Israelit, e ka adhuruar Allahun me sinqeritet për 70 vjet me rradhë, deri aty sa çdo i sëmurë shërohej me begatinë e duasë së tij?! Nuk ju ndava për asnjë moment. Bëri imoralitet, u bë vrasës dhe në fund mohoi Zotin.

Në vazhdim Iblisi tregoi se si përfitonte nga këto dukuri negative:

– A nuk e din o Muhamed se gënjeshtra është virtyti im! Unë jam ai që kam gënjyer i pari. Ademit dhe Havasë, i bëra betim të rremë në emër të Allahut, kur i thashë se “padyshim unë po ju këshilloj juve”. Për këtë arsye, çdokush që gënjen është miku im.

Ndërsa përfolja dhe thashethemi, janë frytet dhe argëtimi im.

Kush betohet për divorc, qoftë një herë apo për një të drejtë, e ka të ndaluar bashkëshorten e tij derisa të bëhet e ditur e vërteta. Fëmijët që do të lindin deri në ditën e fundit, janë fëmijë që vijnë në jetë si rrjedhojë e imoralitetit. Për shkak të asaj fjale, të gjithë ato mund të përfundojnë në zjarr.

O Muhamed! Përsa i përket atij që vonon gjithnjë namazin. Sa herë që ai don të ngrihet për namaz, unë e mbaj dhe e ngacmoj duke i thënë: Ka kohë akoma. Edhe ti je i zënë. Shiko njëherë punën pastaj e falë atë. Kështu e bëj (imponoj) atë ta falë namazin duke i kaluar koha. Dhe ky namaz, i përplaset atij në fytyrë. Nëse nuk ia arrij qëllimit, i dërgoj atij djajtë njerëz (që kam nën robëri) për ta penguar në faljen e namazit brënda kohës. Përsëri, nëse nuk dal me sukses, e ngacmoj atë në falje duke i thënë: Shiko majtas-djathtas. Dhe kur e bën një gjë të tillë, ia përkëdhel fytyrën dhe e puth në ballë. Pastaj ia prish qejfin duke i thënë: Ti bëre një gjë shumë të keqe, sepse kush shikon tepër majtas-djathtas pa arsye, Allahu edhe atij ia përplas namazin në fytyrë.

Nëse edhe në këtë pikë mundem (rrëzohem), atëherë i afrohem kur ai është duke u fal vetëm dhe e cys ta falë namazin shpejt e shpejt. Kështu që ai fillon ta falë namazin me shpejtësi, njësoj si gjeli kur mledh diçka nga toka.

Nëse edhe kësaj rradhe nuk ia arrij qëllimit, i ndërhyj atij kur është duke u fal me xhemat. Ja vendos frerët në kokë, duke e bërë të ulet ose ngrihet nga rukuja dhe sexhdja para imamit. Ja pra… Meqë ai vepron kështu, Allahu kokën e tij do ta kthejë në kokë gomari ditën e kiametit. N.q.se. ai njeri më mund edhe këtu, kësaj here e cys atë të kërcasë gishtat në namaz. Në këtë mënyrë, ai bëhet nga ata që më përmendin mua. Nëse edhe këtu triumfon, i fryj atij në hundë kur është në namaz. Në këtë moment, atij i fillon t’i hapet goja. Nëqoftëse nuk e mbulon gojën me dorë, brënda i hyn një shejtan i vogël, ku e cyt atë në kapjen fort pas kësaj bote dhe pasurisë. Si përfundim, ai njeri na bindet plotësisht dhe vepron çfarë i themi.

Si mund të jesh i sigurtë Ti nga lumturia e popullit tënd?! Unë i kurdis atyre kurthe të shumëllojshme. I këshilloj fukarenjtë, fatkeqët dhe të pashpresët që të braktisin faljen duke i thënë: “Namazi nuk është për ju. Ai është për njerëzit që Allahu i ka dhuruar pasuri dhe shëndet”. Pastaj i them të sëmurëve: Lëre faljen, sepse Allahu i madhëruar thotë: “Nuk ka detyrim për të sëmurët”. Kur të bëhesh mirë, e fal. Dhe kështu, e bëj atë ta braktisë namazin. Madje, ka mundësi të shkojë deri në mohim.

Ja, kështu është puna o Muhamed! Nëse ekziston ndonjë gënjeshtër në fjalët e mia, kërko nga Allahu të më bëjë shkrumb e hi! Hë, a ndjehesh akoma i qetë për popullin tënd? Unë kam larguar nga feja një të gjashtën e tyre.

Pas këtyre fjalëve të Iblisit, profeti (a.s.) pyeti me rradhë pyetjet e mëposhtme:

  • O i mallkuar! Kush janë shokët me të cilët ulesh?
  • Ata që hanë lekët e fajdeve.
  • Kush janë miqtë e tu?
  • Imoralët dhe gënjeshtarët.
  • Kush janë shërbëtorët dhe shokët e tu të shtratit?
  • Të dehurit, pijanecët.
  • Kush janë mysafirët e tu?
  • Hajdutët.
  • Kush janë informatorët dhe lajmëtarët e tu?
  • Magjistarët
  • Cila është drita e syve të tu?
  • Ata që betohen për divorc.
  • Kush janë të dashurit e tu?
  • Ata që braktisin faljen e xhumasë.
  • Po rojtarët e thesarit të tu?
  • Janë ata që nuk japin zekatin.
  • Mirë o i mallkuar, çfarë e thyen zemrën tënde?
  • Hingëllima e kuajve që shkojnë në xhihad për hir të Allahut.
  • Çfarë e tret trupin tënd?
  • Pendesa që bëjnë njerëzit për mëkatet e tyre.
  • Çfarë e copton mëlçinë tënde?
  • Të kërkuarit falje Allahut natë e ditë.
  • Çfarë ta nxin fytyrën?
  • Sadakaja e dhënë fshehtas.
  • Çfarë të verbon?
  • Namazi tehexhud (namazi i natës).
  • Çfarë e përkul kokën tënde?
  • Namazi i falur shumë me xhemat dhe salavatet që të dërgohen vazhdimisht ty.
  • Sipas teje, cili është njeriu më i lumtur?
  • Ata që braktisin namazet me qëllim (vetëdije).
  • Sipas teje cili është njeriu më i poshtër?
  • Njerëzit bujar.
  • Çfarë të vonon në punën tënde?
  • Kuvendi i dijetarëve.
  • Po bukën (ushqimin) si e han?
  • Me dorën e majtë.
  • Ku i strehon fëmijët e tu, kur fryn një erë e nxehtë dhe vendin e pushton nxehtësia?

–     Midis thonjve dhe mustaqeve që hynë në gojë të njerëzve.

 

                                   

                                                ***

 

 

Ndërmjet profetit (a.s.) dhe Iblisit biseda vazhdoi si më poshtë:

  • Çfarë kërkove prej Zotit tënd?
  • Dhjetë gjëra.
  • E çfarë janë ato o i mallkuar?
  • Ato janë:

E para: Kërkova prej Allahut që biri i Ademit të më bëj pjesë në pasuri dhe në fëmijën e tij. Këtë kërkesë ma plotësoi. Kjo vërtetohet me ajetin 64 të sures Isra ku thuhet: “…Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! – Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.-”

Ha nga çdo ushqim që përzihet me haram dhe fajde, gjithashtu edhe nga mishi që theret pa përmendur emrin e Allahut. Jam ortak në pasurinë edhe të atij personi që nuk mbështet tek Allahu prej shejtanit. Bashkohem me të dhe gruan e atij personi, që gjatë marrëdhënieve intime nuk përmend Allahun dhe nuk kërkon mbrojtje prej Tij. Kështu, fëmija që lind gjatë atij bashkimi na bindet ne dhe dëgjon fjalën tonë.

 

Nëse ndokush hip në kafshën (mjetin) duke dëshiru të shkojë në rrugë të ndaluar, edhe unë hip bashkë me të. Bëhem kështu bashkëudhëtari i tij. Dhe kjo është e vërtetuar me ajet ku Allahu i madhëruar më urdhëron kështu: “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde!” (Isra 64)

 

E dyta: Kërkova nga Allahu të më jepte një shtëpi. Ai më dha si shtëpi, hamamët.

 

E treta: Kërkova nga Allahu të më jepte një mesxhid. Tregjet, m’i bëri mesxhid.

 

E katërta: Kërkova që të më jepte një libër. Poezitë, m’i bëri libër për të lexuar.

 

E pesta: Kërkova prej Tij një muezin. Më dha veglat muzikore.

 

E gjashta: Kërkova të më jepte një shok dysheku. Më dha pijanecët.

 

E shtata: Kërkova të më jepte disa ndihmës. Si ndihmës më dha imoralët dhe ithtarët e kaderijes.

 

E teta: Kërkova vëllezër për veten. Ai më dha personat që shpërdërojnë pasurinë, ata që i shpenzojnë lekët në rrugë të keqe.

Edhe kjo është e vërtetuar me ajetin 27 të sures isra ku thuhet: “Ata që shpërdërojnë (pasurinë) janë vëllezër të djajve, e djalli është përbuzës i madh ndaj Zotit të tij.”

 

E nënta: Kërkova që bijtë e Ademit t’i shoh, ndërsa ato të mos më shohin. Allahu ma pranoi.

 

E dhjeta: Kërkova që venët e gjakut e bijve të Ademit, të më bëhen rrugë dhe të depërtoj në to në çdo kohë e në çdo formë që dua. Edhe këtë Allahu ma pranoi.

 

Kështu që unë vërshoj dhe shëtis në venat e njerëzve si të dua. Bijtë e Ademit që janë me mua ditën e gjykimit, do të jenë më tepër në numër nga të tutë.

 

 

* * *

 

Në fjalë e sipër profeti (a.s.) tha kështu:

Sikur t’i mos i argumentoje fjalët e tua me ajetet kuranore, ty nuk do të vërtetoja.

 

* * *

 

 

Pas kësaj shejtani i mallkuar vazhdoi si më poshtë:

– Unë kam një djalë që quhet Ateme. N.q.se. një person bjen të flejë pa fal namazin e darkës, ai menjëherë i shkon për t’i urinuar në vesh. Po të mos ishte ai, myslimanët nuk do të binin në gjumë pa fal namazet. Kam një djalë tjetër me emrin Mutekazi. Ai ngacmon personat që kryejnë një vepër të mirë në fshehtësi, duke i bërë ata të ndjejnë një farë pendese (për këtë) dhe kështu bëhet shkak për nxjerrjen në shesh të asaj vepre. Në këtë mënyrë, nga njëqind sevape që fitohen për punën e fshehtë, nëntëdhjetenëntë humbin dhe i mbetet vetëm një. Kam gjithashtu edhe një djalë që quhet Kuhajl. Detyra e tij është të vë në gjumë xhematin që merr dije nga predikuesit gjatë hutbes e vazës apo në kuvendin e dijetarëve, si dhe të pengojë dëgjimin e fjalëve të ulemave. Duke vepruar kështu, ai xhemat jo vetëm që nuk përfiton asgjë, por nuk merr asnjë shpërblim.

Kam edhe djem që gjurmojnë gratë. Kur një grua ngrihet nga vendi që është ulur, në atë vend ulet një shejtan. Gjithashtu, në krahët e çdo gruaje ndodhet një shejtan, i cili e tregon të bukur gruan për ata që e shohin. Këta djaj e cysin gruan duke i thënë: Tregoji krahët, këmbët etj. Nëse gruaja i përmbahet këtyre cytjeve, atëhere ata mundohen ta bëjnë atë mëkatare, duke ia grisur me thonj perden e turpit. (Sepse gratë janë kurthet dhe mjetet e gjuetisë së Iblisit).

O Muhamed! Unë nuk jam i fuqishëm të devijoj askënd nga rruga e drejtë. Vetëm duke cytur, mund ta tregoj një gjë të keqe, të bukur. Po të kisha mundësi të devijoja nga rruga e drejtë, asnjë njeri në botë nuk do të lejoja t’i besonte Allahut dhe të dërguarit të tij, si dhe do t’i drejtoja në humbje e mohim.

Ashtu edhe ti, nuk je i plotfuqishëm për udhëzim në rrugën e drejtë. Sepse, ti je thjesht një i dërguari i Zotit, i urdhëruar për predikim. Sikur të ishte udhëzimi i njerëzve në dorën tënde, nuk do të gjëndej asnjë mohues në tokë.

Ti, për njerëzit besimtarë je dëshmi… Ndërsa unë, bëhem shkak për njerëzit që janë përçaktuar si të humbur.

Si udhëzimi, ashtu edhe humbja janë vetëm në dorën e Allahut.

 

Përktheu: Dorian Demetja