BURIMET E SË DREJTËS ISLAME (SHERIATIT)

Burimet kryesore mbi të cilat bazohet dhe nga të cilat nxirren dispozitat e sheriatit islam janë:

  1. Kur’ani. Nocioni “El-Kur’an” është infinitivi që ka kuptimin “lexim, shumë i lexuar”.

Përkufizimi i Kur’anit është: “Kur’ani është fjala e Allahut dhe është mrekulli, e zbritur te Muhamedi a.s. përmes melekut Xhibril, me shprehje në gjuhën arabe, i transmetuar deri te ne besnikërisht, leximi i të cilit është adhurim (ibadet), është i shkruar në Mus’haf dhe fillon me suren ’El-Fatiha’ e përfundon me suren ‘En-Nas’.”

Kur’ani është shpallje e Allahut xh.sh. që i ka zbritur Muhamedit a.s. në periudhën kohore prej 23 vjetësh. Meqë Kur’ani është i zbritur në gjuhën arabe, dijetarët islamë janë të mendimit se asnjë përkthim i Kur’anit, në çfarëdo gjuhe të jetë, nuk mund të quhet Kur’an, dhe se nga ai përkthim nuk mund të nxirren dispozita juridike islame, ngase që të konsiderohet Kur’an, është kusht që edhe shprehja edhe kuptimi të jenë prej Allahut xh.sh., e kjo arrihet ve­tëm në gjuhën arabe. Nisur nga kjo rregull, dijetarët islamë e nda­lojnë leximin e Kur’anit në namaz në gjuhë të tjera përveç gjuhës arabe, sepse përkthimi nuk konsiderohet Kur’an. Kur’ani është argumenti kryesor prej të cilit nxirren dispozitat e sheriatit islam. Meqë Kur’ani është Fjalë e Allahut dhe mrekulli në çdo ajet, fjalë apo shkronjë të tij, ai nuk mund të sfidohet në asnjë ajet, në asnjë fjalë dhe në asnjë shkronjë të tij.

  1. Syneti (Sunne). Nocioni “Sunne” në aspektin etimologjik do të thotë: mënyrë, rrugë, metodë, traditë etj., kurse nocioni “sunne” si burim i dytë i sheriatit islam është: “Çdo gjë që buron nga Pej­gamberi a.s. nga fjalët, veprat apo pëlqimet e tij.”

Nga ky përkufizim nënkuptojmë se në nocionin “sunne” përfshihen thë­niet (fjalët e Profetit a.s., pra hadithet e tij), pastaj praktikat e të Dërguarit a.s., që janë veprat e Tij, si dhe pëlqimet e Profetit a.s. rreth një vepre apo ndonjë fjale të ndonjërit nga sahabet që e praktikonin dhe Profeti a.s. e miratonte (qoftë edhe në heshtje).

Syneti është burimi i dytë i dispozitave të sheriatit islam, andaj dijetari islam (muxhtehidi), për të nxjerrë vendime të sheriatit, së pari kërkon argument në Kur’anin Fisnik, e nëse nuk gjen, atëherë hulumton në Synetin e Profetit a.s. Pozita e Synetit ndaj Kur’anit është varësisht nga çështja që e trajton: ndonjëherë Syneti mund të jetë në pozicionin e vërtetuesit të ndonjë dispozite që tashmë gjendet në Kur’an, e ndonjëherë është sqarues i ndonjë dispozite ligjore, e cila ka zbritur në Kur’an në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ose gjithëpërfshirëse dhe ndonjëherë përcakton dhe vendos ndonjë dispozitë të re, të cilën Kur’ani nuk e ka përfshirë. Është shumë me rëndësi që ta dimë se edhe Syneti është pjesë e Shpalljes (Vahjit). Këtë lëmë më gjerësisht e studion shkenca e usuli fikhut.

  1. Ixhmai (Konsensusi) – është njësimi i mendimeve të dijetarëve islamë të një kohe për një çështje të sheriatit islam, e cila nuk për­mendet qartazi në Kur’an dhe Synet.
  2. Kijasi (Analogjia) – është formulimi i një dispozite të sheriatit në bazë të vendimit analog të mëparshëm me një motiv të përbashkët.

Nga kjo nënkuptohet se Kur’ani, syneti, ixhmai dhe kijasi janë ka­tër burimet kryesore të sheriatit islam nga të cilat nxirren dispozitat ligjore islame. Për këtë ndarje kanë dakordësi të gjithë dijetarët myslimanë.

Shkëputur nga libri “ILMIHAL i zgjeruar”

Botim i tri Bashkësive Islame (Tiranë-Prishtinë-Shkup)