DISTANCA QË DUHET MBAJTUR NDËRMJET KËMBËVE

Një pyetje që ndoshta vjen në mendjet e shumë njerëzve është: Si duhet të qëndroj në namaz? A duhet të qëndroj dhe këmbët e mia të jenë të hapura dhe të prekin këmbët e personit tjetër, apo duhet të qëndroj i qetë dhe të mos prek këmbët e personit tjetër, apo duhet të qëndroj me një hapësirë prej katër gishtash ndërmjet tyre siç bëjnë disa njerëz?

Pyetje të kësaj natyre kanë ngatërruar mendjet e shumë njerëzve, dhe ata do të donin që ta zbulonin metodën e saktë të traditës profetike duke qëndruar në namaz.

Në këtë kapitull do të përpiqemi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve dhe t’i ofrojmë lexuesit një pamje të qartë të qëndrimit korrekt të Sunetit. Duhet të kuptohet që në fillim se diskutimet për këtë temë nga dijetarët e Islamit janë shumë pak në krahasim me diskutimet e hollësishme që gjenden në çështjet e tjera të namazit.

Kështu, shumë pak informacion është gjetur në shumë libra të jurisprudencës lidhur me këtë çështje. Në fakt, madje edhe pikëpamjet e sakta të katër imamëve janë goxha të vështira për t’u përcaktuar.

Ekziston një numër hadithesh në lidhje me çështjen, që thekson rëndësinë e ruajtjes së rreshtave (safeve) të rregullt gjatë namazit. Këto transmetime janë zakonisht të shoqëruara me një paralajmërim nga i Dërguari i Allahut a.s. për pasojat e mosdrejtimit të rreshtave për namaz. Në një transmetim të tillë thuhet: “Drejtojini safet tuaja, ose përndryshe Allahu do krijojë përçarje mes zemrave tuaja.”[1]

Ka edhe transmetime tjera të cilat përmbajnë vërejtje të ngjashme. Kur një musal-li [personi që fal namaz] vëren që të tjerët hapin këmbët e tyre për të prekur këmbën e personit tjetër, ai nuk mund t’i shmanget, por pyet veten se nga është marrë një metodë e tillë.

Përkrahësit e këtij mendimi paraqesin një hadith në të cilin Sahabet i kanë bashkuar këmbët së bashku (d.m.th. secili ka bashkuar këmbët e tij me ato të personit pranë tij), pas marrjes së një vërejtje nga i Dërguari i Allahut a.s. për drejtimin e rreshtave. Ky hadith, edhe pse citohet si një provë në mbështetje të kësaj pikëpamjeje, në asnjë mënyrë nuk e bën bashkimin e këmbëve vaxhib [të detyrueshëm] siç pretendojnë mbështetësit e këtij opinioni.

Pjesët në vijim të këtij kapitulli do të punojnë për të sqaruar këtë pikë, duke parë diskutimin e mendime të ndryshme lidhur me çështjen e pozicionimit të këmbëve në namaz. Pas kësaj, hadithi i mësipërm do të analizohet në detaje dhe në mënyrë të pavarur në përpjekje që të sqarohet nënkuptimi i tij i vërtetë.

Për të formuar një rresht të rregullt, qoftë duke i bashkuar këmbët së bashku ose jo, është padyshim një nevojë shumë e rëndësishme për namazin me xhemat. Është gjithashtu përgjegjësi e imamit që të sigurohet se kjo është e bërë siç duhet para se të fillojë namazin. Megjithëse teknikisht dhe teorikisht drejtimi i rreshtave në mënyrë të përsosur nuk mund të klasifikohet si një pjesë përbërëse ose farz i namazit, padyshim që është një sunet i rëndësishëm për shkak të udhëzimeve strikte që janë dhënë për këtë nga i Dërguari i Allahut a.s.

 

Mendimet e ndryshme

 

Do të fillojmë duke cituar disa nga mendimet e shkollës juridike (medh’hebit) hanefi për mënyrën e mbajtjes së këmbëve në namaz. Në përgjithësi, vetëm dy duket të jenë mendimet dominuese që gjenden në tekstet e medh’hebit hanefi.

Mendimi i parë është që të lihet një hapësirë prej katër gishtërinjsh ndërmjet këmbëve të një personi, kur ai është në namaz. Ky mendim është gjetur në shpjegimin autoritativ të Imam Ibn Abidin, në librin “Ed-Durr el-Mukhtar” të Alame El-Haskefij, ku thotë: Hapësira që lihet ndërmjet këmbëve të një personi duhet të jetë e barabartë me atë të katër gishtërinjve të dorës, sepse kjo [hapësirë] është shumë efektive në paraqitjen e përulshmërisë dhe nënshtrimit [të kërkuar në namaz].[2]

Lënia e një boshllëku të barabartë me katër gishta është cilësuar nga juristët [Fukahatë] si mendimi më i mirë, siç është provuar se, herë pas here, është mjaft i parehatshëm qëndrimi me këmbët e hapura (në namaz) për një periudhë të zgjatur kohore. Ky shqetësim e bën të vështirë edhe përqendrimin dhe shpesh rezulton në humbjen e vëmendjes dhe përkushtimit në namaz.

Mendimi i dytë, sipas shkollës juridike Hanefi, mund të kuptohet nga argumentet e mëposhtme. Në librin “Mea’rif es-Sunen”, një komentim i Sunenit të Tirmidhiut nga dijetari i hadithit ‘Alame Jusuf El-Bennurij, thuhet se nuk përmendet në mesin e haditheve autentike përcaktimi i hapësirës ndërmjet këmbëve se si duhen mbajtur ato gjatë namazit.

Për këtë arsye, mund të konkludohet se suneti në pozicionimin e këmbëve në namaz është çfarëdo distance që dikush e sheh të përshtatshme dhe ndihet rehat teksa fal namazin.[3]

Një hadith i transmetuar në Sunenin e Nesaiut, sqaron se Abdullah bin Mes’udi pa një person duke qëndruar në namaz me këmbët të bashkuara [d.m.th. preknin njëra-tjetrën] dhe gjykoi se ajo vepër është kundër sunetit. Ai e këshilloi personin në fjalë, se nëse do të kishte praktikuar murauaha-n, do të kishte qenë më e preferueshme.[4]

Fjala arabe murauaha zakonisht nënkupton mënyrën e qëndrimit në njërën këmbë dhe pastaj në tjetrën, duke alternuar ndërmjet tyre nëse lodhet njëra. Megjithatë, një tjetër kuptim i fjalës murauaha, është lënia e një boshllëku të vogël ndërmjet këmbëve dhe ky duket të jetë kuptimi më i mundshëm i kësaj fjale në lidhje me transmetimin e mësipërm, pasi personi po qëndronte me këmbët e tij të bashkuara. Nëse ne marrim kuptimin e dytë të termit murauaha, hadithi nënkupton se ‘Abdullah bin Mes’udi r.a. e mësoi personin që të mbante një boshllëk të vogël ndërmjet këmbëve të tij, meqenëse suneti është që këmbët të mos bashkohen plotësisht bashkë (por as të mbahen shumë larg njëra-tjetrës).

Nga sa u përmend më sipër, mësojmë për fleksibilitetin e shkollës juridike Hanefi lidhur me këtë çështje. Për këtë arsye lejohet që një person të qëndrojë me hapësirën ndërmjet këmbëve të tij në mënyrë barabartë, ose më të madhe se gjerësia e katër gishtërinjve të dorës. Në përcaktimin e mendimit të Shafi’ive në këtë çështje, një studim i kujdesshëm i literaturës së tyre tregon se mendimi i tyre më i njohur është se një person duhet të mbajë një boshllëk të barabartë me pëllëmbën e dorës ndërmjet këmbëve të tij.[5] Megjithatë, në librin “El-Enuar”, rekomandohet një tjetër tekst në fik’hun Shafi’i, se hapësira duhet të jetë vetëm katër gishta, ashtu siç edhe është një mendim i hanefive. Për më tepër, dijetari i madh Shafi’i, Imam En-Neueuij, del në përfundimin se:

Është e papëlqyeshme [mekruh] të bashkohen këmbët së bashku; dhe është e pëlqyeshme [mustehab] që të lihet pak distancë ndërmjet tyre.[6]

Në total, tre janë mendimet e shkollës juridike Shafi’i:

 

1. Një hapësirë ekuivalente me pëllëmbën e dorës.

2. Një hapësirë sa katër gishta.

3. Aq hapësirë sa personi e gjykon të nevojshme.

 

Mendimi i parë është i posaçëm vetëm në medh’hebin Shafi’i, ndërsa dy mendimet e fundit janë të përbashkëta për dy shkollat juridike Shafi’i dhe Hanefi.

Dikush ndoshta e ka vënë re që tani, se asnjë nga mendimet (e mësipërme) nuk përmend se këmbët e një personi duhet të bashkohen me këmbët e personit ngjitur. Nëse me të vërtetë kjo do të ishte e saktë dhe mënyra e duhur e qëndrimit në namaz, ajo padyshim që do të ishte pranuar si e tillë.

 

Hadithet për bashkimin e këmbëve

 

Ekziston një hadith në koleksionin e Ebu Davud-it, që përshkruan sahabet të cilët bashkonin këmbët e tyre me njëri-tjetrin për të formuar rreshta të rregullt. Ebu El-Kasim el-Xhedelij transmeton: Kam dëgjuar En-Nu’man bin Beshijr r.a. duke thënë se Pejgamberi a.s. pa disa njerëz dhe i këshilloi: “Drejtoni rreshtat tuaj. Pasha Allahun, ose do t’i drejtoni rreshtat tuaj, ose përndryshe Allahu do të krijojë mosmarrëveshje në zemrat tuaja.

En-Nu’man bin Beshijr r.a. pastaj tha: “Pashë se çdo person bashkonte supet e tij me ato të personit tjetër dhe gjunjët dhe këmbët me ato të personit tjetër”[7].

Ky është njëri prej haditheve që ofrohet si dëshmi nga ata që pohojnë se këmbët e çdo personi duhet të bashkohen me ato të personit tjetër gjatë namazit me xhemat. Disa prej tyre janë tepër të kujdesshëm në lidhje me këtë, madje janë aq shumë saqë nëse dikush është pranë tyre dhe ndodh që të largojë pak këmbën e tij, këta njerëz do t’i hapin më tej këmbët e tyre vetëm për të mbajtur kontakt me këmbën e personit që është afër tyre.

Ata vazhdimisht i kritikojnë ata që nuk lënë një boshllëk të gjerë ndërmjet këmbëve të tyre, a thua sikur mënyra sunet është vetëm ajo që ata pretendojnë. Megjithatë, janë përpjekjet e tyre për të përdorur hadithin e mësipërm dhe hadithe të tjera të ngjashme për të vërtetuar se bashkimi i këmbëve në namaz është i domosdoshëm [vaxhib]. Kjo është e vërtetë për një numër arsyesh të thjeshta:

  1. Fjalët që në të vërtetë përshkruajnë bashkimin e këmbëve nuk janë fjalët e të Dërguarit të Allahut a.s., por janë fjalët e transmetuesit. Për këtë arsye, kjo pjesë e hadithit nuk është një thënie e drejtpërdrejtë [merfu’] nga Pejgamberi a.s. personalisht, por është përshkrimi i transmetuesit që tregon reagimin e Sahabeve pas vërejtjes së të Dërguarit të Allahut a.s.

Në fakt, ky vëzhgim i shtuar nga transmetuesi nuk mund të gjendet në shumicën e transmetimeve, që theksojnë rregullimin e rreshtave. Për këtë arsye, bëhet mjaft e qartë se Pejgamberi a.s. nuk e bëri detyrim bashkimin e këmbëve, por thjesht urdhëroi që rreshti të jetë i drejtë. Në mënyrë që ta përmbushnin këtë urdhër, Sahabet adaptuan dhe metodën e bashkimit të këmbëve.

  1. Hadithi i En-Nu’man bin Beshijr r.a. thjesht na njeh me sjelljen e Sahabeve para se të fillonte namazi. Me fjalë të tjera, ndër veprimet e vërejtura te Sahabet ishte bashkimi i këmbëve të tyre, i gjunjëve dhe i supeve përpara fillimit të namazit. Në asnjë vend në hadith nuk tregohet se kjo sjellje duhet të ruhet gjatë gjithë namazit.
  2. Në qoftë se, për hir të argumentit, do të pranohej se bashkimi i këmbëve është mbajtur gjatë namazit, lindin një numër pyetjesh njëra prej të cilave është: A duhet të jenë këmbët të bashkuara së bashku në të gjitha veprimet e namazit, apo vetëm gjatë qëndrimit në këmbë [kijam]? Nëse përgjigja është se bashkimi është i nevojshëm vetëm gjatë qëndrimit në këmbë, atëherë pyetjet që pasojnë janë: Ku është argumenti për këtë dhe pse ky rregull është i përcaktuar vetëm për qëndrimin në këmbë dhe nuk kërkohet në asnjë qëndrim tjetër në namaz?

Nëse përgjigjja është se bashkimi i këmbëve është i domosdoshëm në të gjitha gjendjet në namaz, atëherë lind pyetja: Si do t’i bashkonin njerëzit e çdo rreshti këmbët dhe shpatullat e tyre së bashku, ndërsa janë në sexhde apo në qëndrimin ulur? Qartësisht kjo do të ishte krejt e pamundur për t’u arritur.

Për më tepër, në qoftë se kundër-argumenti është, se është e nevojshme që këmbët të bashkohen së bashku, ndërsa qëndron në kijam, kjo për shkak të vështirësisë në qëndrimet e tjera të namazit, atëherë përgjigja është se, është gjithashtu shumë e vështirë, që në një rresht (saf) njerëzish, të sigurohet se ky rregull bashkimi do të ruhej ndërmjet tyre në të gjitha qëndrimet.

  1. Duke u bazuar në hadithin e mësipërm, nëse është e nevojshme që të bashkohen supet dhe këmbët së bashku, atëherë pse duhet që gjunjët të përjashtohen nga ky vendim? Në transmetimin e mësipërm, në Sunen Ebu Davud, Sahabet i bashkuan gjunjët e tyre së bashku. Dhe si pasojë bashkimi i gjunjëve duhet të ndiqet dhe të trajtohet si një akt i detyrueshëm përgjatë gjithë namazit. Megjithatë, duhet tërhequr vërejtja se qëndrimi edhe për një kohë të shkurtër me gjunjët e bashkuar me një person tjetër mund të jetë mjaft i bezdisshëm. Madje kjo është edhe më e pamundur në disa raste, kur ka një raport dhe ndryshim ndërmjet dy njerëzve që qëndrojnë në këmbë përkrah njëri-tjetrit.
  2. Një tjetër interpretim i hadithit të mësipërm i ofruar nga disa juristë është se transmetuesi En-Nu’man bin Beshijr r.a. ka pasur për qëllim të tregojë vetëm se si sahabet u përpoqën për të formuar rreshtat shumë drejt, nga udhëzimet e të Dërguarit të Allahut, dhe jo se ata, në fakt, i bashkuan këmbët, supet dhe gjunjët e tyre së bashku. Pikërisht për këtë arsye, titulli i këtij kapitulli në Sahihun e Buhariut, “Kapitulli mbi bashkimin e supeve dhe këmbëve së bashku, në formimin e rreshtave” ka qenë klasifikuar nga Hafiz Ibn Haxher si një ekzagjerim. Ai shkruan në komentin e tij, “Fet’hul-Barij” se:

Arsyeja [e Imam Buhariut] pse ka zgjedhur këtë titull specifik është që të theksohet rëndësia (Mubalaga) e drejtimit të rreshtave dhe moslënia e hapësirave bosh.[8]

Nga kjo deklaratë dilet në përfundimin se transmetimi i lartpërmendur nuk mund të merret me kuptim të drejtpërdrejtë. Imam Esh-Sheukani, të cilit vazhdimisht i refererohen ata që nuk preferojnë të ndjekin një shkollë mendimi në Jurisprudencën Islame, gjithashtu nuk merr interpretimin sipërfaqësor të hadithit. Ai shkruan në librin e tij Nejl el-Eutar:

“[Citimi] Do të thotë: Vendosni pjesët e trupit [supet, etj.] linjë me njëri-tjetrin, në mënyrë supet e çdo personi në namaz të jenë drejtim me supet e personit tjetër. Në këtë mënyrë supet, gjunjët dhe këmbët e gjithsecilit do të jenë në një linjë të vetme të drejtë.[9]

Thënë më qartë, ai tregon se arsyeja e vërtetë për bashkimin e supeve dhe pjesëve të tjera të trupit, është drejtimi i rreshtave dhe jo se bashkimi në vetvete ishte një akt i detyrueshëm.

  1. Enesi r.a. gjithashtu ka deklaruar në një transmetim të Ma’mer, të cilin Ibn Haxher e ka shënuar në Fet’h el-Bari. “Nëse do përpiqesha ta bëja këtë [të bashkoja supet dhe këmbët së bashku] me dikë sot, ata rrëmujshëm do të lëviznin si mushka të trazuara.”[10]

Është e qartë nga transmetimi i Enesit r.a., se madje edhe sahabet nuk e vazhduan këtë praktikë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut a.s., në qoftë se do kishte qenë një veprim i vazhdueshëm i Pejgamberit a.s. [sunetun mustemirre], sahabet nuk do ta kishin braktisur atë, lëre pastaj të flisnin për atë në mënyrë të tillë.

  1. Pasi u vërtetua se arsyeja kryesore e Sahabeve në bashkimin e këmbëve të tyre ishte që të arrihej drejtimi perfekt në rreshtat e tyre, mund të jetë lehtësisht e kuptueshme se ky lloj bashkimi i këmbëve nuk është i nevojshëm më gjatë, pasi që, në shumicën e xhamive dhe vendeve të adhurimit sot, janë shënuar vijëzime mbi tapete, mermerë dhe dysheme. Duke qëndruar së bashku me thembrat e tyre mbi vijëzimet, besimtarët automatikisht do të vijnë së bashku në saf të përkryer dhe të drejtë. Prandaj, nuk është nevoja të jemi shumë kritikë dhe të shkojmë rreth e rrotull për t’u siguruar që këmbët e të gjithëve janë bashkuar.

 

Çështje të tjera që duhet të merren parasysh

 

Një çështje që vlen të përmendet është se shumë prej atyre që pohojnë bashkimin e këmbëve me njëra-tjetrën zakonisht mbajnë larg këmbët e tyre edhe gjatë namazeve individuale. Në fakt, në shumë raste, ata i zgjerojnë këmbët më shumë se gjerësia e shpatullave. Edhe në qoftë se ata e konsiderojnë bashkimin e këmbëve në namaz me xhemat të jetë i nevojshëm, kjo nuk do të thotë se ata duhet të zgjerojnë këmbët përtej gjerësisë së shpatullave.

Arsyeja për këtë është se në qoftë se të gjithë qëndrojnë krah për krah (bashkojnë supet) dhe bashkojnë dhe këmbët e tyre së bashku, hapësira ndërmjet dy këmbëve do të jetë aq e gjerë sa supet. Do të ishte krejt e pamundur për t’i zgjeruar ato (këmbët) më shumë dhe për më tepër të mbahej kontakti me supin.

Një tjetër arsye pse dikush nuk duhet të zgjerojë këmbët e tij gjatë namazit individual është se hadithi i lartpërmendur përshkruan sahabet vetëm duke i bashkuar këmbët e tyre, ndërsa ishin xhemat. Prandaj, ky hadith nuk mund të përdoret si argument për zgjerimin e këmbëve gjatë namazit individual.

 

Përfundim

 

Së fundmi, mund të dalim në përfundimin, pa frikën e kundërshtimit, se ata që insistojnë në bashkimin e këmbëve kanë dështuar të kuptojnë kuptimin e vërtetë të hadithit dhe si të tillë nuk kanë asnjë argument të fortë për të mbështetur qëndrimin e tyre. Nuk është e mundur që të ndiqet Kur’ani dhe hadithi kur vazhdimisht ndiqet kuptimi tekstual i fjalëve (haditheve), që është metodologjia e literalistëve [Dhahirije], mendimet e të cilëve shumica e dijetarëve nuk i kanë pranuar. Pasojat e rënda të shpjegimit dhe ndjekjes së kësaj lloj metodologjie janë mjaft të dukshme.

Në të vërtetë, është e rëndësishme që të jemi së bashku gjatë namazit, por kjo zakonisht arrihet duke bashkuar supet së bashku (që është urdhëruar edhe në hadithe) dhe duke qëndruar me thembra mbi vijëzimet. Është praktikisht e pamundur moslënia e ndonjë boshllëku në të gjitha rastet, siç këmbëngulin disa njerëz. A është shumë e vështirë për të kuptuar se kur dikush mundohet të plotësojë boshllëkun ndërmjet tij dhe personit tjetër, ai krijon një hapësirë mes këmbëve të tij?!

Prandaj, metoda e duhur sunet, do të ishte që të lihet një hapësirë rreth katër gishta ndërmjet këmbëve të dikujt apo ndonjë boshllëk të tillë përmes të cilit dikush mund të arrijë një qëndrim të rehatshëm dhe të përulur. Gjatë namazit me xhemat, çdo person duhet të sigurohet që ai është mjaftueshëm afër me personin tjetër, aq sa të preken supet dhe se këmbët e tij të jenë në vijën e shënuar, në mënyrë që i gjithë xhemati rregullohet dhe përbëhet nga rreshta të drejtë.

 

Shkëputur nga libri “Argumente bazë të Fikhut Hanefi”

Abdurrahman bin Jusuf Mangera, Botim i KMSH-së

 

[1]. Sunen Ebu Davud 1: 97.

[2]. Redd el-Muhtar 1:299.

[3]. Mea’rif es-Sunen 2:298.

[4]. Sunen en-Nesaij 1:142.

[5]. Nihajetu el-Muhtaxh 1:347.

[6]. Sherh el-Muhedheb 3:266.

[7]. Sunen Ebu Daud 1:104.

[8]. Fet’hul-Barij 2:247.

[9]. Nejl el-Eutar 3:65.

[10]. Fet’hul-Barij 2:247.