Djali im, mos u bëj i shkujdesur kur merr abdes…

Kjo është një këshillë për ata që qeshin, bisedojnë dhe përgojojnë njerëzit, ndërkohë që marrin abdes dhe ata që janë të shkujdesur ndaj abdesit të tyre.

Pikërisht babai e pyeti të birin: “Djali im, si merr ti abdes?”

Djali u përgjigj ftohtë: “Ashtu siç marrin abdes të gjithë myslimanët tjerë.”

Babai buzëqeshi dhe pastaj e pyeti: “E si marrin abdes të gjithë myslimanët?”

Djali tha: “Baba, myslimanët marrin abdes ashtu siç merr ti abdes!”

Babai heshti pak, e pastaj me një ton serioz tha: “Djali im, do të doja që të kesh të drejtë, por sa më përket mua, unë marr abdes në një gjendje të veçantë shpirtërore dhe ndiej kënaqësi dhe qetësi gjatë abdesit, në këtë kënaqësi është ëmbëlsia, ndërsa në ëmbëlsi është bukuria, madhështia, delikatesa dhe shumë kuptime tjera që mbushin shpirtin tim, të cilat më bëjnë të përulur dhe të përkushtuar gjatë namazit.”

Në këtë moment djalit iu paraqitën me qindra pyetje në kokë, por babai nuk i dha kohë të bëjë pyetje, por vazhdoi me këshillën e tij, duke i thënë: “Tani do të citoj hadithin e Pejgamberit (a.s.) kështu që do të dëgjosh me kujdes dhe të mendosh për kuptimet e larta të tij.

Pikërisht Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kur myslimani apo mu’mini merr abdes dhe pastron fytyrën e tij, nga fytyra e tij, së bashku me ujin, apo me pikën e fundit të ujit, bien të gjitha mëkatet që ka bërë me sy (duke shikuar në haram); kur i pastron duart, nga duart e tij, së bashku me ujin, apo pikën e fundit të ujit, bien të gjitha mëkatet që ka bërë me duar; kur i pastron këmbët e tij, nga këmbët e tij, së bashku me ujin, apo me pikën e fundit të ujit, bien të gjitha mëkatet që ka bërë duke ecur kah mëkati, kështu që pas abdesit del i pastër nga mëkati.

Nëse e studion me kujdes këtë hadith, atëherë në të do të gjesh ëmbëlsi dhe kënaqësi, që uji me të cilin i pastron pjesët e trupit nuk është asgjë pos dritë me të cilën, në realitet, e pastron zemrën tënde.”

Pas kësaj, djali tha: “Ah, si kam mundur të anashkaloj këto kuptime madhështore të abdesit?! Në vend të kësaj, për mua abdesi ka qenë pastrim rutinë i pjesëve të trupit dhe unë pas abdesit asnjëherë nuk kam dalë me këto kuptime.”

Babai tejet i gëzuar, tha: “Djali im, nëse në këtë mënyrë i qasesh abdesit, do të ndiesh se zemra jote mbushet me kuptimet shpirtërore madhështore me të cilat do të bëhet e lëmuar dhe e pastër, ndërsa kjo nuk është asgjë pos përgatitje për namaz dhe bisedë me Zotin e Gjithëmëshirshëm dhe Krijuesin e Lartësuar, Allahun (xh.sh.). Për këtë, përpiqu që zemra jote të jetë në këtë mënyrë e pranishme gjatë çdo abdesi dhe kjo, nëse do Zoti, do të të sjellë më shumë përkushtim në namaz.”

Djali tha: “Ky pra është shkaku pse përsëritet marrja e abdesit për çdo namaz qoftë edhe nëse ke abdes, sepse kjo është dritë mbi dritë, kuptimet madhështore të cilat lindin kuptime mahnitëse.”

Babai tha: “Jo vetëm kjo, por ky është shkas që gjithmonë të ruash abdesin dhe të marrësh abdes kurdo që del nga shtëpia, në mënyrë që me zemër të pastër, plot me kuptime madhështore, të ballafaqohesh me jetën dhe nxitjet e saj.”

Abdullah bin Omeri (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:

Askush nga ju nuk merr abdes dhe e plotëson e pastaj thotë: ‘Eshhedu en la ilahe il-lall-llah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu (Dëshmoj se nuk ka zot tjetër pos Allahut, dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij)’, e që nuk do t’i hapen të tetë dyert e Xhenetit, për të hyrë në Xhenet nga cila dëshiron.” (Muslimi)

O Allah i Gjithëmëshirshëm, na bëj nga ata që pendohen shpesh dhe pastrohen shumë!

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi