Dorëzojani fëmijëve çelësat e besimit te vetja, te sinqeriteti dhe te të folurit drejt. Asgjë tjetër nuk e nxit gënjeshtrën dhe dinakërinë siç e nxit dhuna, dajaku dhe ashpërsia. Pasojat e dhunës janë aventurat e rrezikshme, nëse fëmijët kanë personalitet të fortë, ose dorëzimi dhe mbyllja në vetvete nëse janë të dobët personalisht.
Dorëzojani fëmijëve çelësat e suksesit duke i udhëzuar dhe orientuar me qetësi, me biseda miqësore, marrëdhënie të ngushta, durim të madh, fjalë të mençura, të cilat do i shoqërojnë si melodi për sa të jenë gjallë. Mos mendoni se zemërimet e herëpashershme dhe mëria e zgjatur në kohë janë zgjidhje. E çfarë vlere ka nëse e bëjnë diçka siç thoni ju, ndërkohë që e urrejnë me gjithë zemër e shpirt.
Një ditë do e shohin veten të lirë si të duan. Le të jetë mundi ynë më i madh i fokusuar në kultivimin e dashurisë për fenë, sinqeritetin, punën, vlerat morale, urrejtjen për ligësinë, injorancën, plogështinë, anarkinë, etj.
Të kultivosh në zemrat e tyre të vogla dashurinë për namazin nuk është më pak sesa ta kryejnë atë. T’i edukojmë me urrejtjen për gënjeshtrën dhe vjedhjen, nuk është më pak se qëndrimi larg tyre.
Lutuni për fëmijët tuaj, se lutjet e mira nga ana e prindërve kanë më shumë mundësi të pranohen dhe t’u hapen portat e qiellit.