“Merr faljen, urdhëro për të mirën dhe largohu nga të paditurit. (Kuran, Surja El-A’raf, 7:199)
Allahu i Madhëruar, duke mos dashur t’i ngarkojë robërit e Tij me gjëra të rënda, në këtë ajet i drejtohet Profetit ﷺ me tri porosi të mëdha:
Së pari: Të jetë i butë dhe tolerant në marrëdhëniet me njerëzit, duke i falur gabimet e tyre dhe duke mos ua vështirësuar jetën. Pra, të mos i shikojë njerëzit me ashpërsi për gabimet e tyre, por t’i mbulojë dhe t’i trajtojë me mëshirë.
Së dyti: Të urdhërojë njerëzit për atë që është e drejtë, e bukur dhe e pranuar nga mendja e shëndoshë dhe feja; dhe kur ta bëjë këtë, ta bëjë me një mënyrë të butë dhe të urtë, në mënyrë që njerëzit ta pranojnë me dëshirë dhe dashuri.
Së treti: Të mos u kushtojë vëmendje të paditurve, atyre që nuk e njohin Zotin dhe që sillen në mënyrë të vrazhdë e të pahijshme, por të mos u përgjigjet me të njëjtën sjellje dhe të mos zbresë në nivelin e tyre.
Në një transmetim të njohur, një beduin i ashpër i quajtur Ujejne bin Hisn shkoi tek kushëriri i tij Hurr bin Kajsi, i cili ishte nga njerëzit që Omeri (r.a) e respektonte dhe merrte mendimin e tij.
Ujejne i tha atij: “O nipi im! Ti ke pozitë të lartë tek halifi. Kërko leje që ta vizitojmë.”
Ai mori leje dhe shkuan tek Omeri (r.a). Kur hynë, Ujejne i tha halifit: “O Omer! Nuk na jep pasuri të mjaftueshme dhe as nuk gjykon me drejtësi midis nesh!”
Omeri u zemërua shumë dhe u ngrit drejt tij. Por Hurr bin Kajs ndërhyri menjëherë dhe tha: “O Prijës i Besimtarëve! Allahu i Madhëruar i ka thënë Profetit të Tij: ‘Merr faljen, urdhëro për të mirën dhe largoju të paditurve.’ Ky njeri është prej të paditurve.”
Kur e dëgjoi këtë, halifi i madh u ndal menjëherë dhe nuk bëri asnjë hap më tej. Rivajeti tregon se ai qëndroi i palëvizur, si i ngrirë në vend, dhe nuk reagoi më me zemërim.
Në fakt, veprat më të larta të moralit janë: të shkosh tek ai që nuk vjen tek ti, të japësh atij që nuk të jep dhe të falësh atë që të ka bërë padrejtësi. Prandaj, të mos u bindesh të paditurve dhe të mos zbresësh në nivelin e tyre është sjellja më e mirë dhe më fisnike.“Prandaj falje të bukur (tregoji durim të madh dhe mos u hakmerr).” —( Kuran, Surja El-Hixhr, 15:85)
Kjo urdhëresë vjen në vazhdim me kuptime të tjera të ngjashme, duke theksuar durimin dhe faljen e bukur ndaj njerëzve.“Le të falin dhe le të mos ua marrin për të keq. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve?” — (Kuran, Surja En-Nur, 24:22)
Njeriu zakonisht nuk dëshiron t’i falë gabimet që bëhen kundrejt tij. Sepse, para së gjithash, nefsi (egoja) e kundërshton këtë dhe e shndërron faljen e fajtorit në çështje krenarie. Për këtë arsye, falja e gabimeve është konsideruar në fenë tonë një virtyt i madh.
Ebu Bekri (r.a.) ka një shembull shumë të qartë në këtë çështje, ashtu si në shumë të tjera.
Në historinë Islame ekziston ngjarja e njohur si “Hadithi i Ifkut” (akuzës së rreme). Kur Profeti ﷺ shkoi në një ekspeditë, mori me vete bashkëshorten e tij Aishe bint Ebu Bekr. Gjatë kthimit, ajo u largua për nevojë personale nga vendi ku ndodhej ushtria. Në këtë kohë i humbi gjerdani dhe filloi ta kërkonte, duke humbur pak kohë. Ndërkohë, myslimanët menduan se ajo ishte në pajisjen e saj (hevdexh) dhe u nisën për rrugë.
Kur Aishe bint Ebu Bekr u kthye në vendin e pushimit, pa se ushtria kishte ikur. Ajo mbeti aty duke pritur. Më vonë, një sahabi që ishte në praparojë e gjeti dhe e çoi me devenë e tij te Profeti ﷺ.Fatkeqësisht, kjo ngjarje u bë shkak për thashetheme. Disa hipokritë e shfrytëzuan këtë rast për të shpifur kundër saj. Me këtë shpifje u lënduan si Nëna e Besimtarëve, familja e saj dhe vetë i Dërguari i Allahut ﷺ.
Por Allahu i Madhëruar e shpalli pafajësinë e saj me shpallje hyjnore dhe e pastroi nga çdo akuzë. Profeti ﷺ gjithashtu ndëshkoi shpifësit.
Njëri prej tyre ishte edhe Mistah ibn Ethatha, i cili ishte i afërm i Ebu Bekri dhe që ai e mbante dhe e ndihmonte.Kur ndodhi kjo, Ebu Bekri u mërzit shumë dhe u betua se nuk do ta ndihmonte më Mistahun.Atëherë zbriti ajeti:“Le të mos betohen njerëzit me pasuri dhe mirësi se nuk do t’u japin të afërmve dhe të varfërve; le t’i falin dhe të mos i marrin për keq. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve?” — (Kuran, Surja En-Nur, 24:22)
Kur Ebu Bekri e dëgjoi këtë ajet, tha:
“Po, o Zoti ynë! Pasha Allahun, ne dëshirojmë që Ti të na falësh.”Dhe menjëherë ai vazhdoi ta ndihmonte Mistahun si më parë.Allahu na dhëntë edhe neve bindjen dhe dorëzimin e Ebu Bekri. Amin.“Ata i falin njerëzit. Allahu i do bamirësit.” — (Kurani, Surja Ali Imran, 3:134)
Në këto ajete, falja e gabimeve dhe të metave të të tjerëve rekomandohet fuqimisht. Falja me qëllim fitimin e kënaqësisë dhe dashurisë së Allahut është një virtyt shumë i madh. Të durosh sjelljet e ashpra dhe të falësh gabimet është një moral i lartë që mund ta praktikojnë vetëm njerëzit me karakter të lartë.
Duhet të theksojmë se falja ka të bëjë me gabimet personale që bëhen ndaj individit. Por nëse një gabim prek shoqërinë, atëherë çështja nuk është thjesht falje, por drejtësi dhe vendosje e së vërtetës. Sepse askush nuk ka të drejtë të falë padrejtësi që dëmtojnë shoqërinë. Falja në raste të tilla do të çonte në padrejtësi më të mëdha.
“Kush duron dhe fal, kjo është prej vendimeve më të larta dhe më të forta.” — (Kuran, Surja Esh-Shura, 42:43)
T’i përgjigjesh të keqes me të keqe është një e drejtë e lejuar. Allahu ia ka dhënë njeriut këtë të drejtë, prandaj ai që merr hakun e vet nuk fajësohet.
Por nga një këndvështrim tjetër, hakmarrja është diçka që mund ta bëjë kushdo, ndërsa durimi dhe falja janë veprime të njerëzve të mëdhenj. Njerëzit me shpirt të lartë e mposhtin nefsin dhe zgjedhin faljen në vend të hakmarrjes.
Profeti ﷺ nuk është hakmarrë për veten e tij ndaj askujt. Njerëzit e mëdhenj gjejnë kënaqësi në mposhtjen e egos dhe në fitimin e kënaqësisë së Allahut duke falur të tjerët në vend që të marrin hak.
Transmetohet nga Aishe bint Ebu Bekr se një ditë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ:
“A ke përjetuar ndonjë ditë më të vështirë se dita e Uhudit?”
I Dërguari i Allahut ﷺ u përgjigj: “Po. Nga populli yt kam përjetuar shumë vuajtje. Më e rënda prej tyre ishte ajo që më ndodhi në ditën e Akabes. Atë ditë shkova te Ibn Abdijalil, nga të parët e Taifit, duke kërkuar mbrojtje, por ai nuk më pranoi. U ktheva i trishtuar dhe ecja i mbushur me pikëllim, derisa arrita në vendin e quajtur Karnuth-Tha’lib. Atje ngrita kokën dhe pashë një re që më bënte hije. Kur vështrova me vëmendje, pashë brenda resë Xhibrilin ﷺ. Ai më tha: ‘Allahu i Madhëruar e ka dëgjuar atë që populli yt të tha dhe refuzimin e tyre për të të mbrojtur. Ai ka dërguar te ti Engjëllin e Maleve për të zbatuar atë që ti dëshiron.’
Pastaj Engjëlli i Maleve më përshëndeti dhe tha: ‘O Muhamed! Allahu e ka dëgjuar atë që të ka thënë populli yt. Unë jam Engjëlli i Maleve. Zoti më ka dërguar tek ti që të zbatoj çdo urdhër tëndin. Çfarë dëshiron? Nëse dëshiron, i bashkoj këto dy male mbi ta.’
Unë thashë: ‘Jo. Unë shpresoj që Allahu të nxjerrë nga pasardhësit e tyre njerëz që do ta adhurojnë vetëm Allahun dhe nuk do t’i bëjnë Atij shok.’”— Sahih Buhari; Sahih Muslim.
Në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi sprova të rënda. Idhujtarët iu afruan shumë dhe disa sahabë e mbrojtën me trupat e tyre. Megjithatë, një shigjetë e goditi fytyrën e tij të bekuar dhe ai u plagos; iu thye edhe një dhëmb.
Pikërisht për këtë, Aishe bint Ebu Bekr e pyeti nëse kishte përjetuar ditë më të vështirë se ajo e Uhudit. Profeti ﷺ u përgjigj duke përmendur vuajtjet e tij në Taif, një ngjarje shumë e dhimbshme në historinë Islame, kur ai u refuzua dhe u lëndua nga banorët e atij qyteti, megjithëse kishte shkuar tek ata për t’i thirrur në Islam.
Megjithatë, kulmi i këtij tregimi është mëshira e jashtëzakonshme e Profetit ﷺ: Edhe kur iu ofrua mundësia për t’i shkatërruar ata, ai nuk kërkoi hakmarrje, por shpresoi që nga pasardhësit e tyre të dalin njerëz që do ta adhurojnë Allahun Një. Kjo është një nga shembujt më të lartë të durimit, mëshirës dhe moralit profetik.
I Dërguari i Allahut ﷺ, pasi humbi bashkëshorten e tij besnike dhe burim ngushëllimi Hatixhe bint Huvejlid, dhe më pas edhe xhaxhain e tij që e mbronte nga idhujtarët, Ebu Talib ibn Abdulmuttalibin, u përball me një periudhë shumë të vështirë që u quajt “viti i pikëllimit”.
Pas kësaj kohe, urrejtja dhe dhuna e idhujtarëve të Mekës u shtua edhe më shumë. Për shkak se nuk kishte më askënd që ta mbronte në Mekë, Profeti ﷺ vendosi të shkonte në Taif për t’u thirrur banorëve të tij në Islam. Ai shpresonte që nëse disa prej të parëve të atij qyteti do të pranonin Islamin, do të gjente aty një strehë të re për fenë.
Ai mori me vete shërbëtorin dhe të birësuarin e tij Zejd ibn Harithe dhe shkoi në Taif. Për dhjetë ditë ai u shpjegoi atyre Islamin. Por kur iu drejtua njërit prej prijësve më me ndikim, Ibn Abdijalil, ai e refuzoi.
Kjo situatë e trishtoi shumë Profetin ﷺ, si për Islamin ashtu edhe për muslimanët. Jo vetëm që banorët e Taifit e refuzuan, por disa njerëz të thjeshtë u nxitën kundër tij dhe e ndoqën. Në vendin e quajtur Akabe në Taif, ata e goditën me gurë të Dërguarin e Allahut ﷺ, derisa e nxorën nga qyteti. Gurët i shkaktuan plagë në këmbët e tij të bekuara dhe ato filluan të rrjedhin gjak.
Në atë moment, Profeti ﷺ u mbush me pikëllim të thellë. Nuk ishte vetëm trupi i tij i plagosur, por edhe zemra e tij ishte e lënduar. Ai mendonte se kush do t’i mbështeste besimtarët pas kësaj.
I lodhur dhe i trishtuar, ai vazhdoi rrugën derisa arriti në një vend mes Mekës dhe Taifit të quajtur Karnuth-Tha‘lib. Atje ngriti kokën dhe pa një re që i bënte hije. Në atë re pa Xhibrilin (a.s.), dhe më pas u takua me Engjëllin e Maleve.
Engjëlli i Maleve i tha se Allahu e kishte dëgjuar çfarë i kishin thënë njerëzit e Taifit dhe i ofroi një mundësi: nëse dëshironte, mund t’i shkatërronte duke bashkuar dy malet mbi ta.
Por Profeti ﷺ, megjithëse i lënduar dhe i përgjakur, nuk e pranoi këtë ofertë. Ai tha se nuk dëshironte që ata të shkatërroheshin, sepse shpresa e tij ishte që nga pasardhësit e tyre të dalin njerëz që do të adhurojnë vetëm Allahun dhe nuk do t’i bëjnë Atij shok.
Kështu, ai tregoi se nuk vepronte për hakmarrje personale, por për të udhëzuar njerëzit dhe për të shtuar ata që e njohin Allahun dhe i nënshtrohen Atij.
Përfundimi i ngjarjes
Më vonë, efektet e kësaj lutjeje u panë. Në vitin e nëntë të hixhretit, banorët e Taifit, duke parë përhapjen e Islamit në të gjithë Arabinë, dërguan një delegacion në Medinë për të pranuar Islamin.
Profeti ﷺ i priti me mirësi dhe i nderoi në xhaminë e tij.
Ata kërkuan disa kushte për pranimin e Islamit, si përjashtim nga namazi dhe lejimin e disa ndalesave, por asnjë prej tyre nuk u pranua. Kur panë se nuk kishte kompromis në parimet e Islamit, ata e pranuan fenë Islame.
Elvis Hymeraj














