Kurban, në kuptimin gjuhësor do të thotë “të afrohesh, mjet që të afron me Zotin”. Ndërsa në literaturën islame ka kuptimin “të therësh një kafshë të përshtatshme sipas kushteve të caktuara me qëllim adhurimi”.

 

Urtësitë e therjes së kurbanit

Para së gjithash duhet ditur mirë se adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit. Dhe adhurimet të cilat kryhen me urdhërin e Zotit kanë shumë urtësi që mund t’i dimë apo jo. Kur kryhet adhurimi i kurbanit, me përmendjen e emrit të Zotit para therjes, bëhet e njohur se të gjitha kafshët në rruzullin tokësor janë pronë e Zotit që na i ka dhuruar neve për të përfituar prej tyre.

Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e tij. Atij nuk i shtohet as nuk i pakësohet asgjë nga qenia e tij hyjnore, premë apo nuk premë ne kurban për Të, por Atij i intereson devotshmëria e zemrave tona, siç thotë në kur’an: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij (Haxh 37). Dëshmia e sakrificës na bën t’i jemi Zotit mirënjohës që na mundësoi që të sakrifikojmë dhe ndërkohë të ndjejmë kënaqësi që duke shpërndarë mish, gëzojmë vëllezërit tanë për të festuar së bashku festën. Kjo na nxit që të jemi gjithmonë të gatshëm të bëjmë sakrifica për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe.

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat. Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falenderimit.

Gjithashtu kurbani ka shumë urtësi përsa i përket jetës sociale. Ai mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.

Në shoqëri, krahas të pasurve dhe atyre me gjendje mesatare, ka edhe njerëz apo familje me të ardhura të pakta ose të varfër, që nuk munden të marrin mish për periudha të gjata. Shumica e këtyre, duke qenë me sedër, nuk e bëjnë veten të kërkojnë. Ja pra, bajrami i kurbanit është një gosti e Allahut për të gjithë këta. Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.

Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. E nxit atë të ndihmojë të tjerët dhe të ndjejë thellë në ndërgjegje kënaqësinë që të jep kjo ndihmë që u ofrohet të tjerëve. Kështu e shpëton atë nga sëmundja e kopracisë dhe pasioni i tepërt për pasurinë e kësaj bote.

Bajrami i kurbanit është ditë paqeje. Kur njeriu është në paqe me Allahun, ai është në paqe me veten e tij, rrjedhimisht është me të gjithë ata që e rrethojnë. Për këtë qëllim besimtari duhet të gëzohet për këtë ditë feste. Hasan Es-Sibti tregon: “I dërguari i Allahut na urdhëroi të vishnim rrobat më të mira që mund të gjenim në dy bajramet, të lyheshim me parfumin më të mirë dhe të bënim kurban kafshën më të mirë që mund të gjenim” (Hakimi). Sipas edhe traditës islame rituali dhe festa e kurban bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

 

Kurbani Vaxhib

Bajrami i kurbanit që përcaktohet sipas kalendarit hënor (hixhri), fillon në ditën e dhjetë të muajit Dhulhixhe dhe vazhdon katër ditë. Quhet kështu sepse në këtë festë theret kurban. Kur thuhet kurban përgjithësisht nënkuptohet kafsha e therur gjatë bajramit të kurbanit. Personat, të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në aspektin fetar, e kanë vaxhib (të domosdoshme) të therin kurban.

Në Kur’an Allahu i drejtohet kështu Profetit (s.a.s.): “Fal namaz për Zotin tënd dhe ther kurban” (Keuther, 2). Gjithashtu transmetohet nga Ebu Hurejre se Profeti (a.s.) i ka paralajmëruar personat që kanë mundësi të therin kurban por nuk e bëjnë atë, në këtë mënyrë: “Ai që ka mundësi të therë kurban dhe nuk e bën këtë, të mos i afrohet faltores sonë” (Ahmed; Ibn Maxhe, Edahi, 2).

 

Tekbiret e teshrikut

Është vaxhib (e domosdoshme) për çdo person përgjegjës pa përjashtim mashkull apo femër, vendas apo udhëtar që, duke filluar një ditë përpara, nga namazi i agimit i ditës arefe të bajramit të kurbanit, e gjer në namazin e ikindisë së ditës së katërt të bajramit, gjithësej gjatë 23 kohëve, të bëjnë tekbir teshriku pas selamit të çdo namazi farz. Duhet të theksojmë që dhikri më i mirë në këto ditë është thënia e këtij tekbiri. Tekbiri i teshrikut është kështu:

 

Allahu Ekber, Allahu Ekber. La ilahe il’lallahu u’Allahu Ekber. Allahu Ekber ue lil’lahilhamd!

 

Kurbani i Premtimit

Është rasti kur një person, pa e patur domosdoshmëri, vendos që të therë një kafshë për hir të Zotit në momentin që ka arritur një qëllim ose ka shpëtuar nga diçka e keqe. Ky lloj kurbani nuk është domosdoshmëri, por personi që e ka vendosur dhe premtuar ta kryejë atë, i kthehet në vaxhib therja e kurbanit.

 

Kurbani Akika

Quhet kurbani që theret në ditët e para të lindjes së një fëmije me qëllim shprehjen e falenderimit ndaj Zotit Krijues. Ky nuk është një adhurim i detyrueshëm, por është sunet. Profeti (s.a.v.) ka therur nga një kurban akika për dy nipat e tij Hasanin dhe Hysejnin dhe ka këshilluar ymetin e tij që të therin kurban për fëmijët e tyre djem ose vajza.

 

Kafsha për kurban

Personi obligohet me therjen e një kurbani kur është mysliman, me mendje të shëndetshme dhe adult, nuk duhet të jetë udhëtar dhe duhet të zotërojë mundësi financiare minimale të përcaktuara fetarisht për t’u quajtur i pasur. Por që adhurimi i tij të plotësohet, duhet të zbatojë disa kushte përsa i përket kafshës së kurbanit dhe therjes së saj.

Kafsha hallall për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Pra dykëbëshët si pula, rosa, pata, gjeli i detit etj. nuk pranohen si kafshë për kurban. Kafshët e lartëpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por përsa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.

Për kafshët si delet dhe dhitë, ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit, atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia, duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli, duhet të jenë mbi dy vjeç, ndërsa deveja, duhet të jetë mbi pesë vjeç.

Delja dhe dhia mund të theren si kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi, ashtu edhe në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani, mishi ndahet ndërmjet këtyre shtatë personave në mënyrë të barabartë.

Kafsha që theret si kurban me qëllim adhurimi, duhet të jetë e shëndetshme, e majmë dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, ashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë plotësimin e kushteve të kurbanit, si përshembull të jetë e sëmurë keq, e verbër, sakate, me brirë të shkulur ose të thyer, me bisht apo vesh të prerë dhe me pjesën e madhe të dhëmbëve të rënë.

Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të bajramit të kurbanit deri në perëndimin e ditës së tretë. Përgjithësisht dhe më e preferueshme është që kurbani të theret në ditën e parë. Por ata që s’gjejnë rast për ta therur ditën e parë, mund ta therin edhe ditën e dytë a ditën e tretë.

 

Mënyra e therjes së kurbanit

Kafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lerë ndonjë tjetri. Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Profeti (a.s.) në lidhje me këtë aspekt ka thënë: “Kur të therni një kafshë, thereni me butësi, ai që ther prej jush, le ta mprehë mirë thikën dhe mos ta mundojë kafshën”. Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismilahi Allahu Ekber”, duke e prerë kafshën në të dyja anët e damarëve të qafës. Nga sahabët Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ditën e kurbanit theri dy desh me brirë dhe të majmë. Kur u mat me i therë tha kështu: “Unë fytyrën time e drejtova nga Ai, i cili ka krijuar qiejt e tokën dhe unë nuk jam prej idhujtarëve (En’am, 79). Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botërave. Ai nuk ka asnjë shok dhe unë jam prej myslimanëve (En’am, 162-163). O Zoti im, ky kurban është prej Teje dhe për Ty. Në emër të Muhamedit dhe ymetit të tij, Bismilahi Allahu Ekber” (Et-Taxh, III, 207).

Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

 

Ndarja e mishit të kurbanit

Është sunet për personin që të hajë vetë nga mishi i kurbanit dhe t’i japë kushërinjve të tij dhe fukarenjve. Profeti Muhamed (s.a.s.) porosit: “Nga kurbanet, hani, shpërndani dhe ruani” (Buhari, Edebu’l-Mufred, I, 198).

Dijetarët islam kanë këshilluar që është mirë që mishi të ndahet në tre pjesë, ku një pjesë të veçohet për pjesëtarët e familjes, një pjesë t’u shpërndahet të varfërve dhe një pjesë t’u jipet fqinjëve ose të afërmëve.

Duhet theksuar se mishi dhe lëkura e kurbanit nuk lejohen të shiten. Lëkura mund t’i jepet një institucioni bamirës, mund të përdoret si sexhade në shtëpi ose të shitet vetëm nëse paratë e saj do të jipen si sadaka.

Gjithashtu në këtë ditë feste nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. Në lidhje me këtë Ibn Abasi transmeton se Profeti (a.s.) dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë (ditët e teshrikut), pasi janë ditë, në të cilat hahet, pihet dhe gëzohet me familjen” (Taberani)

 

Sihariqi i Profetit

Ebu Saidi rrëfen se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Ngrihu o Fatime e shih therjen e kurbanit, se për çdo pikë që pikon nga gjaku i tij shpërblehemi me faljen e mëkateve që kemi bërë më parë. Ajo e pyeti: O i dërguari i Allahut! Është kjo vetëm për Ehli Bejtin, apo për të gjithë myslimanët? Ai tha: Për ne dhe për të gjithë myslimanët”. Një mysliman që e ther kurbanin me zemër të pastër dhe sinqeritet, ditën e gjykimit do të shpërblehet mirë tek Zoti. Pejgamberi ynë për këtë çështje thotë kështu: “Ditën e kurbanit nuk ka asnjë vepër të birit të Ademit më të dashur tek Allahu se sa therja e kurbanit. Ai kurban vjen ditën e gjykimit me brirët, lëkurën dhe thonjtë e tij. Gjaku i kurbanit tek Allahu ka një vlerë të madhe. Kurbani pranohet para se gjaku të bjerë në tokë. Paraqitni kurbanet tuaja tek Allahu me një zemër të pastër dhe të sinqertë” (Et-Taxh, III, 209).

 

Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”

Këshilli Botues, KMSH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu