LAMTUMIRË RAMAZAN

 

Çdo gjë që është në tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim” (Rrahman, 26-27).

Shkoi edhe muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët- Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kur’anit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe favori hyjnor.

A nuk ishe në mesin tonë deri para disa momenteve? A nuk ishe gjallërim e zbukurim i jetës dhe xhamive tona? I vizitonim të afërmit dhe miqtë, përgatitnim iftare, kërkonim falje për mëkatet, bënim lutje, adhurim… Në gjithçka ndihej një gëzim i fshehtë, në shtëpi, në njerëz, në rrugë, në natyrë. E ku është tani?

Ah sa mysafir i mirë dhe i vërtetë!!! Asnjë vit, nuk na harron.

Na mundësove o Ramazan që një e mirë e jona në këtë muaj, të jetë e barabartë me një obligim në muajt e tjerë dhe një obligim të jetë shtatëdhjetë herë më i vlefshëm se i njëjti në muajt e tjerë. Na mundësove që frymëmarja jonë të jetë lavdi dhe fjetja lutje.

Na mundësove që të njihemi më gjerësisht me Kur’anin dhe na tregove se në fjalë askush nuk mund të jetë më i saktë se Allahu. Na njoftove se Kur’ani është burimi i diturisë dhe udhëzues për çdo njeri.

Ti shkove duke zbatuar ligjin e Zotit, e për përshëndetje të fundit po na lë festën e Bajramit, por a thua i ke pranuar lutjet, faljet e namazeve, agjërimin, pendimet, të mirat dhe bisedat tona?! Megjithatë, dyert për pendim i ke lënë të hapura, duke na treguar se si thotë Allahu (xh.sh.) në Kur’an:

Thuaj: “O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten tuaj me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut,  se në të vërtetë Allahu i fal të gjitha gjynahet. Vërtetë, Ai është Falësi i Madh dhe Mëshirëploti”. (Zumer, 53)

Edhe për ne, shqiptarët, ishe i mirëseardhur sepse na ofrove durim, bekim, pastërti e njohuri të pafund. Na bëre me dije se në Kur’an është dituria, mençuria, pasuria e pafund dhe e vërteta absolute. Na tregove se ai është shërues shpirtëror, trupor dhe nervor i njeriut.

Ishe prej atyre që së pari i ftove ata të agjërojnë, të mbjellin virtytin e dashurisë dhe të largojnë nga zemrat e tyre ligësitë, zilinë, smirën, hidhërimin, inatin, gjaknxehtësinë, etj. Pastaj i ftove që të bëhen dinjitozë, të sinqertë, të butë, të mëshirshëm, të pastër, duke na bërë të heqim dorë nga punët e ndaluara. Na mësove të duam njëri-tjetrin për Allahun (xh.sh.) dhe na bëre të kuptojmë më thellë se ç’është vllazërimi Islam.

Krahas popujve të tjerë edhe ne shqiptarët kemi nevojë për prehje shpirtërore, për pastrim shpirtëror, për qëndrueshmëri, durim, mbisundim të epsheve, për çlirim nga kultura e huaj, për stabilitet, drejtësi, barazi e marrëdhënie të mira të mbështetura në parimet e Ramazanit.

Drejtimin që morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që arritëm, është e nevojshme t’i vazhdojmë më tej. Kështu pra, duke i dhënë lamtumirën Ramazanit, është shumë gabim që t’u japim lamtumirën edhe xhamisë, adhurimit dhe portës së Allahut. Me begatinë dhe vrullin që morëm nga ky muaj i bekuar, ndërsa çdo ditë këpusim nga një fletë prej kalendarit tonë dhe largohemi prej botës së vdekshme, duhet që, duke u lartësuar shpirtërisht, të përgatitemi për t’iu afruar edhe pak më shumë Allahut, për të arritur tek Ai, për të dalë në audiencë para Tij! Po qe se ditët tona do t’i kemi të njëjta me njëra-tjetrën, po të mos përparojmë çdo ditë sadopak në jetën fetare, do të thotë se gënjejmë veten. Duhet medoemos që çdo ditë të përparojmë vijimisht drejt përjetësisë, në raport me të shkuarën duhet të jemi më të përgatitur e më të fuqishëm.

Mbetet të themi se Allahu nuk është nevojtar për adhurimin e askujt. Adhurimet, lufta me nefsin, egon dhe armiqtë tanë të tjerë, janë për ne, për formimin tonë dhe për jetën tjetër që është prespektiva e përjetshme! Nuk ka rrugë tjetër  për  t’u formuar dhe për t’iu afruar Allahut. Fjalë të tilla si “unë nuk falem, nuk jam fetar, por  zemrën e kam të pastër”, janë fjalë boshe që s’shprehin asgjë, madje edhe ai vetë nuk i beson. E vetmja rrugë e drejtë që të çon te Zoti, është “të besosh” dhe “të veprosh”. Të tjerat që mbeten janë dredhi e djallit, gënjeshtër e egos…

Tashmë po dalim nga muaji i bekuar i Ramazanit me fuqi, energji dhe vullnet të akumuluar për gjatë gjithë vitit vijues. Jemi më të bindur dhe e ndjejmë veten  më të përgatitur shpirtërisht, psiqikisht, moralisht të mobilizuar dhe të gatshëm për Ramazanin tjetër.

Së fundi e lusim Allahun të na i pranojë të gjitha adhurimet që kemi bërë gjatë këtij muaji; agjërimin, lutjet, faljet e namazeve, leximin e dëgjimin e Kur’anit, sadaka-i fitrin dhe të gjitha veprat e tjera të mira.

Dorian Demetja