Kjo shkollë juridike lidhet me emrin e dijetarit muxhtehid, juristit dhe kolosit, Imam Adhamit, Ebu Hanife En-Nu’man bin Thabit. Ai lindi në vitin 80 H/699 M, në Kufe dhe vdiq në vitin 150 H/767 M. Kishte mësuar nga shumë dijetarë, por më së shumti nga më i njohuri, Hamad b. Ebu Sulejmani, i cili kishte mësuar nga Ibrahim En-Nah’iju, e ky nga Abdulla ibni Mes’udi. Pra, kjo nënkupton se Imam Ebu Hanifja ishte student i formuar në shkollën juridiko-racionaliste. Ky dijetar me njohuritë dhe af­të­sinë e tij befasoi jo vetëm gjeneratën dhe kohën e vet, por edhe mbarë botën për shekuj me radhë. Prandaj, me të drejtë, është i vetmi që u cilësua titullin më të lartë shkencor “Imamu-l-Adham Ebu Hanife”.

Ebu Hanifja i përket gjeneratës së dytë pas Profetit a.s., që njihen si tabiinët. Është me rëndësi të theksohet se imam Ebu Hanifeja kishte respekt për shokët e Pejgamberit a.s., por tek ai ndikim më të madh kishin lënë tre nga shokët e të Dërguarit a.s., të cilët dalloheshin për largpamësinë e tyre: Omer b. Hattabi, Ali b. Ebi Talibi dhe me theks të veçantë Abdullah b. Mes’udi r.a.

Ebu Hanifja e donte aq shumë diturinë dhe mësuesin e tij, sa thoshte: “Për Zotin, unë kërkoj falje dhe mëshirë për Hamadin në çdo namaz, ashtu siç kërkoj falje dhe mëshirë për prindërit e mi. Unë kërkoj falje dhe mëshirë për ata që më dhanë dije dhe për ata që ai iu ka dhënë dije”. Aq shumë e donte mësuesin e tij Hamadin, sa theksonte: “Pasha Zotin, në shtëpinë time kurrë nuk kam mundur t’i shtrij këmbët në drejtim të shtëpisë së mësuesit tim.”

Ebu Hanifja në krye të Akademisë

Qëllimisht po e theksojmë, qysh në fillim, se të gjithë ata që kanë shpre­hur dëshirë të studiojnë veprimtarinë akademike të këtij imami gjigant, detyrimisht janë dorëzuar para veprës së tij. Ato që e bënë Ebu Hanifen të njohur e të vlerësuar, krahas bindjes, kapacitetit intelektual, largpamësisë, punës së palodhshme dhe sinqeritetit të tij, janë edhe dy faktorë shumë thelbësorë, që e karakterizojnë personalitetin e tij, të cilat bien në sy menjëherë: modestia dhe aftësia për të punuar në grup.

Ebu Hanifja, kur e mori rolin e mësuesit, hapin e parë që bëri, ishte ndalimi i fikhut individual. Ai ngriti një grup pune të përbërë nga dyzet persona, të cilët ishin ekspertë në fusha të ndryshme të jetës. Në grupin e tij kishte dijetarë të hadithit, tefsirit, gjuhës, poezisë, psikologjisë, sociologjisë dhe të shumë fushave të tjera. Detyra e këtij grupi ishte që nga Kur’ani dhe Hadithi të nxirrnin dispozita që t’i përmbushnin nevojat e bashkësisë islame. Me këtë veprim, Imam Ebu Hanifja arriti të ndërtojë një shkollë dinjitoze të fikhut, apo më mirë të themi një fakultet, një universitet, apo një akademi siç quhet në kohën moderne.

 

Nxënësit e Ebu Hanifes

Nga Akademia e Ebu Hanifes dolën një numër i konsiderueshëm i nxënësve dhe dijetarëve shembullorë. Shumë prej tyre e përcollën gjatë tërë jetës së tij, ndërsa një numër, pasi i përvetësonin principet dhe metodat, largoheshin prej tij. Për nxënësit që e shoqëronin gjithnjë atë, Ebu Hanifja shpeshherë thoshte: “28 nxënës vlejnë për gjykatës, 6 prej tyre vlejnë për të dhënë fetva, ndërkaq dy prej tyre mund të merren me edukimin e gjykatësve dhe të myftinjve, e ata janë Ebu Jusufi dhe Zuferi.” Prej nxënësve që më së shumti meritojnë lëvdata për përhapjen e mendimeve të kësaj shkolle, pas vdekjes së Ebu Hanifes, janë: Ebu Jusufi (Jakub b. Ibrahimi), 113-182 H. dhe Muhamed b. Hasen Esh-Shejbani, 132-189H. Ky i fundit, kur vdiq Ebu Hanifja, ishte në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, ndaj edhe nuk pati rast që të mësonte më shumë prej tij, por mësimet i vazhdoi te Ebu Jusufi. Njëri ndër nxënësit më të dalluar të Ebu Hanifes ishte edhe Zufer b. Hudhejli, 110-158 H.

Imam Ebu Hanifja, kur dëshironte të nxirrte dispozitën islame për ndonjë çështje, nuk e merrte vendimin vetëm në bazë të ixhtihadit të tij, por çështjen e hidhte në diskutim dhe merrte mendimin e të gjithëve, përfshirë edhe mendimet e 40 ekspertëve që i kishte në akademinë e tij, ndërsa çështjen e shqyrtonin nga shumë këndvështrime. Pasi i diskutonte të gjitha verdiktet (fetvatë) dhe pasi merrej vendimi përfundimtar, e urdhëronte nxë­nësin e tij, Ebu Jusufin, ta regjistronte fet­vanë. Kjo metodologji e veprimit akademik i nxiti disa dijetarë që të mendonin se fetvatë e kësaj shkolle janë të pagabueshme. Këtë e tregon rasti kur një dijetar në praninë e dijetarit Sufjan Thevriu, për një çështje të fikhut, tha:

– Ebu Hanifja ka gabuar!

Sufjani reagoi menjëherë dhe iu përgjigj:

– Nuk është e mundur!

I pari ndërhyri sërish dhe ia ktheu:

– Mos është i pagabueshëm ai?

Sufjani shtoi:

– Jo, ai nuk është i pagabueshëm, sepse ai kurrë nuk vendoste vetë, por në grup. Jam shumë i bindur se këtu qëndron edhe sekreti i fuqisë së kësaj shkolle edhe pse asnjë sfidë e stuhi nuk mundën ta mposhtin këtë shkollë.

Metodologjia e Ebu Hanifes
në nxjerrjen e dispozitave

Metodologjinë shkencore të nxjerrjes së dispozitave të sheriatit islam, e përcakton dhe e sqaron vetë Ebu Hanifja, kur thotë:

“Unë veproj sipas Librit të Allahut, e nëse problemin nuk e gjej aty, veproj sipas Synetit të Pejgamberit a.s., e nëse edhe aty nuk gjej zgjidhje, atëherë veproj me fjalët e sahabeve duke e marrë fjalën e njërit dhe duke e lënë fjalën e tjetrit, por nuk largohem prej fjalëve të tyre që të marrë fjalët e të tjerëve, kurse sa i përket tabiinëve, ata nuk më obligojnë me asgjë, ata janë burra edhe ne jemi burra, pra unë bëj ixhtihad ashtu siç kanë bërë ixhtihad edhe ata.”

Kjo argumenton se burimet e sheriatit islam sipas metodologjisë së Ebu Hanifes janë: Kur’ani, Syneti, Ixhmai, që nënkupton se Kijasin, Istihsanin dhe Urfin, si burime të sheriatit islam, i përdorte vetëm në raste kur nuk gjente zgjidhje për ndonjë çështje në burimet e mëparshme. Ky fakt hedh poshtë pretendimin e atyre që akuzuan Ebu Hanifen se ka përdorur ixhtihadin duke lënë mënjanë Synetin e Pejgamberit a.s. Prandaj për këtë çështje është e kotë të flitet më shumë.

Imam Ebu Hanifja ishte i pari i cili u mor me radhitjen e haditheve sipas kapitujve të shkencës së fikhut, duke filluar prej pastërtisë, namazit etj.

Ebu Hanifja ndërroi jetë në mes të muajit Sheval të vitit 150 H/767M. Ai që e përgatiti dhe pastroi xhenazen e tij tha: “Allahu të mëshiroftë dhe të faltë! Nuk e ke prishur Ramazanin për tridhjetë vjet, për dyzet vjet nuk je mbështetur natën që të pushosh, i ke lodhur ata që do vijnë pas teje dhe i ke rraskapitur lexuesit (me aftësinë tënde).”

Shkëputur nga libri “ILMIHAL i zgjeruar”

Botim i tri Bashkësive Islame (Tiranë-Prishtinë-Shkup)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu