Mësimi është baza dhe jeta e Islamit

“Lexo (kërko) me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë), e krijoi njeriun prej një pike gjaku të ngjizur. Lexo se Zoti është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato gjëra që nuk i dinte.” (Alak, 1-5)

Në këtë shkrim do të bëjmë fjalë për një çështje me rëndësi të madhe dhe për një detyrë të domosdoshme e të pazëvendësueshme për çdo njeri në përgjithësi dhe për ne, pasuesit e fesë islame në veçanti. Pra, është fjala për kërkimin e diturisë në Islam.

Fillimisht duhet të themi se mësimi dhe arsimimi është baza dhe jeta e Islamit; në historinë islame ata zënë vend qendror, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e të qytetërimit islam. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë të përcaktuar me fjalën e Zotit – Kur’anin dhe me thëniet e profetit të Zotit – dhe janë të urdhëruar për të gjithë myslimanët.

Mendja, si bazë e themel i mësimit dhe arsimimit, sipas Islamit, është instrumenti më i fuqishëm për realizimin e aspiratave dhe idealeve njerëzore. Ajo është dhurata më madhështore e Zotit, që njeriun e lartësoi mbi të gjitha krijesat e gjalla në tokë. Ajo është drita dhe syri i shpirtit njerëzor.

Qysh në shpalljen e parë kur’anore i bëhet thirrje mendjes së njeriut me urdhrin: “Lexo (kërko)…” Thirrja i drejtohet fillimisht Muhamedit a.s., e pastaj, përmes tij, tërë gjinisë njerëzore, besimtarë e jobesimtarë, të gjitha grupmoshave dhe profesioneve. Kërkimit të diturisë këtu i paraprin edhe kultivimi i besimit. Ne e dimë se imani (besimi) është shpirti i fesë dhe faktori kryesor i saj. Megjithatë, shpallja fillon me “Lexo/mëso” e jo me “besoni”. Në këtë kontekst, vlen të përmendet edhe ajeti 113 i sures ‘Nisa’, i cili, ndonëse flet për besimin dhe besimtarët, ka një lidhje edhe me mësimin dhe arsimimin apo më mirë të themi me mësimin e besimit. Ajeti thotë: “O besimtarë, besojini Allahut dhe të dërguarit të Tij, edhe në librin që Ai ia shpalli pejgamberit të vet, por edhe në librat që u shpallën më parë. Ndërsa ai që e mohon Allahun, engjëjt e Tij, të dërguarit e Tij, librat e Tij dhe botën tjetër, ai ka humbur shumë keq”.

Çfarë do të thotë kjo thirrje për besim, drejtuar atyre që tashmë i janë nisur rrugës së Zotit, atyre që tashmë kanë besuar? Kjo mbase dikujt mund t’i duket e tepërt, mirëpo nuk është ashtu. Ky apel, gjithsesi ka arsyet dhe kuptimin e tij të thellë. Urtësia e Zotit e di më së miri se përmes cilës rrugë arrihet me siguri deri te qëllimi kryesor.

Edhe fëmijët tanë, kryesisht nëse janë nxënës vazhdimisht i këshillojmë që të mësojnë gjithnjë e më mirë. I ftojmë që të mësohen të fitojnë dituri. Po ashtu edhe Zoti i fton të gjithë ata që besojnë që të mësohen të besojnë drejt. Që ta mësojnë një besim të shëndoshë, të pastër dhe konsekuent, sepse imani i vërtetë është ai që frymëzon dhe që dëshmohet me besnikëri dhe me një jetë pa gjynahe.

Njeriu është udhëtar në këtë jetë. Rrugën e tij e përcaktojnë faktorët e fatit të tij, siç janë: vullneti i Zotit dhe i vetë njeriut, dituria e tij, mendja dhe aftësitë e tjera. Nga kjo kuptohet se feja islame i jep rëndësi tepër të madhe faktorit dije, sepse cilëndo rrugë që të ndjekim, më parë na duhet të mësojmë, ta njohim atë rrugë apo atë udhërrëfyes, ndryshe, humbja do të jetë e sigurt.

Një nga karakteristikat më të rëndësishme të thirrjes kur’anore për besim është pikërisht faktori i theksuar i diturisë, i cili në librin e Zotit krahasohet me dritën dhe të parët, ndërsa padituria me errësirën dhe verbërinë. Ja krahasimet kur’anore që e magjepsin mendjen njerëzore: “Nuk është i njëjtë i verbri dhe ai që sheh; as errësira dhe drita; as freskia (e hijes) me vapën. Po ashtu nuk janë të njëjtë të gjallët dhe të vdekurit. Allahun e dëgjojnë vetëm ata të cilëve u është dhënë të dëgjuarit, mirëpo ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” (Fatir, 19)

Është detyrë e secilit prej nesh që të mësojë besimin e drejtë e konsekuent dhe përmes mësimit dhe arsimimit, përmes njohjes së mësimit dhe normave islame, vazhdimisht ta verifikojë besimin e vet. Islami e udhëzon besimtarin për në dritën e diturisë, sepse vetë ai është dritë dhe shfaqja e tij në botë shndrit zemrat njerëzore “… që ta nxjerrë botën nga errësira në dritë…” (Ibrahim, 1) dhe ajeti tjetër: “prandaj besojini Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe dritën që e kemi zbritur. Allahu është i mirinformuar për veprat tuaja” (Tegabunë, 8). Kurse Muhamedi a.s. thotë: “Dijetarët në botë janë si yjet në qiell”.

Vullneti për dije është dhurata më madhështore e Zotit. Dëshira për dije buron nga dashuria për të ditur. Dituria dhe dashuria për diturinë rriten së bashku. Sa më shumë që di, aq më tepër e do dijen tënde. Ndërsa urrejtja ndaj diturisë lind nga padituria. Njeriu nuk e do atë që nuk e di, apo siç thotë një proberb arab: “Njeriu është armik i asaj që nuk e di”.

Islami konsideron se ekziston vetëm një e keqe – ajo është injoranca. Prandaj, ta zhdukim këtë të keqe në veten tonë, në mjedisin tonë e në shoqëri në përgjithësi, të fillojmë me kërkimin e diturisë, sepse “është farz – obligim për çdo mysliman e myslimane”. Nga ky hadith i sapocituar dhe nga ajeti i cituar në fillim, që urdhëron kërkimin e diturisë, mund të kuptojmë se arsimimi nuk është privilegj vetëm i mashkullit, por i barabartë dhe në mënyrë kategorike edhe i femrës. Aq më tepër, do të ishte absurde, një e pavërtetë e tmerrshme dhe një gjynah i rëndë të thuhet se femrës (gruas) si e tillë nuk i duhet dituria, mësimi dhe arsimimi. Kjo, pa dyshim, do të ishte në kundërshtim të plotë me tërë Kur’anin dhe sunetin e Pejgamberit a.s. dhe me tërë atë që ne sot e quajmë Islam.

Të gjithë ne, besimtarë e besimtare, myslimanë e myslimane, pavarësisht nga gjinia, duhet të kërkojmë dituri, të mësojmë, të arsimohemi, madje edhe profesionalisht të aftësohemi në mënyrë që të jemi në gjendje ta mbrojmë dhe ta argumentojmë besimin tonë. Besimi ynë duhet të jetë i shoqëruar me dituri e me bindje, i dëshmuar me fakte e sinqeritet e jo me fanatizëm dogmatik e hipokrizi. Besimi i myslimanit duhet të jetë i gjallë e produktiv e jo i ngurtësuar në vetvete e steril.

Mësimi duhet të jetë i themeltë – depërtim i thellë në shkencë. Vetë dijetarët e thelluar mirë në dije dëshmojnë për ekzistencën e të Gjithëdijshmit: “Allahu e dëshmon (vetë) se nuk ka zot tjetër përveç Atij, edhe engjëjt dhe të diturit e dëshmojnë me veprim të drejtë. Nuk ka zot tjetër përveç Atij, të Fortit, të Urtit” (Al’Imran, 18)

Sado që të flasim e të shkruajmë për rëndësinë dhe rolin e diturisë në Islam, pas fjalëve të Allahut xh.sh. dhe haditheve të Pejgamberit a.s., neve nuk na mbetet aq shumë të bredhim mendjen e penën tonë. Prandaj le të dëgjojmë edhe disa hadithe të Muhamedit a.s.: “Respektoni të diturit, sepse ata e vazhdojnë misionin e të dërguarve të Zotit dhe kush i respekton ata, ai ka respektuar Allahun dhe të dërguarin e Tij”; “Ekzistojnë dy lloje njerëzish – po qe se janë të mirë ata, edhe populli do të jetë i mirë, e nëse ata janë të këqij, i keq do të jetë edhe populli. Ata janë dijetarët dhe sundimtarët”; “Vdekja e një fisi të tërë është më pak e keqe se vdekja e një dijetari”; “Kush i mëson dikujt një ajet nga Kur’ani ose një pjesë nga dituria e dobishme, do ta ketë shpërblimin e Allahut deri në Ditën e Gjykimit”; “Nuk është e moralshme për besimtarin të jetë servil apo ziliqar, përveç nëse është fjala për përfitimin e diturisë”; “Kush dëshiron një jetë të këndshme në këtë botë, le të arsimohet. Kush dëshiron lumturi e kënaqësi në botën tjetër, le të arsimohet. Po kush i dëshiron të dy botët bashkërisht; patjetër të arsimohet”.

Duke i lexuar dhe duke medituar thellë në këto ajete kur’anore dhe sentenca profetike, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të lusim Allahun që të na dhurojë forcë e ndihmë për realizimin e porosive të tyre.

Muhidin Ahmeti