Muhamedi (a.s.) është më i madhi mirëbërës i njerëzimit, për arsye se ai nuk është vetëm bamirësi i një kombi, ose i një shoqërie, por i gjithë kombeve dhe komuniteteve të botës. Ai është i vetmi njeri, të cilit bota pa marrë parasysh kufijtë e saj gjeografikë, besimet dhe ndryshimin e ngjyrës i detyron borxhin më të madh të mirënjohjes. Kjo është arsyeja për të cilën Kur’ani e epiteton atë “Rahmetun lil-alemin” si mëshirë për gjithë kombet e botës. Çdo njeri, i cili përkushtohet në shërbimin e njerëzisë dhe sakrifikon çka ka për të mirën dhe progresin e njeriut, ai ka të drejtë të zërë një vend nderimi dhe dashurie pranë zemrave njerëzore, por ajo nuk është kërkesa e vetme e Muhamedit (a.s.) kundrejt njerëzisë. Ai bëri për popullin e tij atë që asnjë s’ka bërë kurrë për kombin ose atdheun e vet; ai solli Arabinë në transformimin më të madh; po të kemi parasysh fazat e ndryshme të jetës së saj: Ai e pastroi popullin e tij prej gjithë doktrinave të gabueshme dhe veprimeve të këqija; ai i ndryshoi ata brenda njëzet vjetëve prej një populli supersticioz, të shkatërruar dhe gjithmonë në luftë me njëri-tjetrin, në një popull të bashkuar dhe të lumtur, të cilët u bënë themeluesit e perandorive të mëdha dhe ndezësit e kandilit të dritës e të shkencës. Por simpatia e tij kaloi përtej kufijve të Arabisë. Ai dha të njëjtën bamirësi morale e materiale edhe mbi kombet e tjerë; ai themeloi një vëllazëri njerëzore shumë të gjerë, brenda së cilës arabi dhe joarabi, i bardhi dhe i ziu, patën të drejta të njëjta. Secila prej këtyre veprave të mëdha duhet t’i njohë të drejtën atij për të kërkuar vendin më të lartë midis bamirësve të njerëzve. Por vepra më të mëdha se këto ai ka kryer në besim, vepra të përbashkëta në mendim e në veprim, të cilat e paraqesin atë si të vetmin njeri që i ka bërë shërbimin më të madh mbarë botës. Prej veprave të mëdha që kreu Profeti i Islamit ne po rendisim vetëm dy: Së pari, ai e shpëtoi qytetërimin prej një shkatërrimi, i cili kishte për të sjellë vdekjen e tij; dhe së dyti, ai hodhi themelet e një bashkimi dhe paqeje globale.

Në sytë e Muhamedit (a.s.) bota ishte e zhytur thellë në injorancë. Po të studiojmë historinë, do të shohim se kandili i qytetërimit, që qe ndezur në çdo krahinë prej reformatorëve të mëdhenj, pothuaj ishte fikur. Kurani Famëlartë e përmbledh shkurtimisht këtë gjendjen e botës së atëhershme ku thotë: “Imoraliteti (korrupsioni) u shfaq në tokë e në det, për shkak të atyre veprave që njerëzit punuan me duart e tyre.” (30:41)

Historia e tregon qartazi të vërtetën e këtyre fjalëve. Judaizmi, Hinduizmi, Budizmi, patën pushuar për shumë kohë pa pasur ndonjë efekt të shëndoshë mbi jetën e pjesëtarëve të tyre dhe kishin rënë aq poshtë sa ato i atribuonin veprime të papëlqyeshme dijetarëve të mëdhenj, profetëve dhe reformatorëve të tyre. Prej njërit skaj një tjetrin, bota gjendej nën mbulesën e errësirës. Ishte drita e ndezur prej Muhamedit (a.s.), kandili i dijes dhe i qytetërimit, që shënoi agimin e një periudhe të re, jo vetëm mbi Arabinë, por edhe mbi vende të tjera të botës. Po përmendim këtu fjalët e një shkrimtari kristian të kohërave të reja:

“Në të pestin dhe në gjashtin shekull, bota qëndronte në bazën e shkatërrimit. Kultura e mallëngjyeshme e vjetër, që e bëri të mundur qytetërimin, mbasi ajo i pati dhënë njeriut një ndjenjë të bashkimit dhe të respektit kundrejt guvernatorëve të tij, ishte ligështuar dhe asgjë nuk ishte e mjaftueshme të zinte vendin e saj.”

Kjo tregon se qytetërimi i mrekullueshëm, për konstruktimin e të cilit patën kaluar katër shekuj, ishte mbi bazën e shkatërrimit dhe ajo gjini njerëzore duke u kthyer në konditat e barbarizmit.

Qytetërimi i përngjan një dogme, degët e së cilës kanë mbërritur sipër botës…por ajo qëndron duke u dredhur…dhe për më tepër është kalbur gjer në zemër… A kishte ndonjë kulturë tërheqëse që të mund ta mblidhte edhe një herë atë gjini njerëzore në një bashkim dhe të shpëtonte qytetërimin?

Ai i përgjigjet duke iu referuar konditave të barazisë së plotë, të përhapur në Arabi dhe në veprat e mëdha që kreu Profeti Muhamed (a.s.).

“Ishte midis këtyre popujve një njeri që kishte lindur për të bashkuar botën romane të lindjes me atë të jugut.” (marrë nga libri: “Emotion as the Babis of civilization” prej Denison-it.

Muhamedi pra, është shpëtimtari i qytetërimit të përbotshëm, por ai arriti edhe një triumf më të madh se ky. Ai hodhi themelet e paqes së përbotshme e të bashkimit, të cilët bënë të mundur vazhdimësinë e atij qytetërimi. Është një e vërtetë e pakontestueshme se pa bashkim edhe qytetërimi nuk mund të jetojë për as një ditë dhe sa më i gjerë të jetë bashkimi aq më tepër plotësohet qëllimi i qytetërimit. Muhamedi (a.s.) ishte i pari njeri në këtë botë që jo vetëm e kuptoi idenë e bashkimit të racave njerëzore, por edhe e zhvilloi me dimensionin e saj të plotë. Qysh me fjalët e para të Kuranit është cituar themeli i njësimit të mbarë kombeve, për shkak se në të Zoti nuk është përmendur si Zot i Izraelitëve ose Zot i Arabëve, por si Rabbul-Alemin, që domethënë Zot i të gjithë kombeve e mbarë botëve, i Cili njëkohësisht është dhe edukuesi i tyre, duke i transformuar ata prej një gjendjeje në tjetrën, deri sa t’ia mbërrijnë qëllimeve të plotësimit. Kështu pra, ideja e nënkuptueshme prej fjalës Rabbul-Alemin është, që as një shtet i veçantë nuk ka favorizim prej Zotit që të ketë një monopolizim në bamirësitë e Tij lëndore ose shpirtërore. Ai është në marrëdhënie të njëjta me të gjithë kombet, me të gjithë njerëzinë; gjithashtu plotësimi hyjnor nuk i takon vetëm një shteti, por të gjithë kombet përfshihen në këtë pikë prej sistemit hyjnor. Bashkimi i racave njerëzore është siguruar me fjalët e qarta të Kuranit: “…gjithë njerëzit janë të një shoqërie të vetme” (2:213)

Në këtë mënyrë është themeluar vëllazërimi i racave njerëzore, dhe ky mendim i madh është zbatuar pikërisht, në mënyrë që, sikur se është e vërtetë se dhuratat e Zotit (xh.sh.) janë të përbashkëta në mes të gjitha racave njerëzore, po ashtu edhe dhuratat morale dhe spirituale:

“Nuk ka ndonjë popull të cilit mos t’i ketë shkuar ndonjë lajmëtar.” (35:24)

“Çdo komb ka pasur një profet.” (10:47)

“Disa nga profetët T’i kemi treguar ty dhe disa prej tyre nuk t’i kemi treguar.” (4:164)

Besimi në profetët e feve të tjera është një prej parimeve themelore të fesë së Muhamedit (a.s.): “dhe ata, të cilët besojnë në çka të është zbritur ty dhe në atë që u është zbritur profetëve para teje” (2:4). Që Zoti (xh.sh.) është Perëndia i të të gjitha kombeve kjo nuk është një dogmë dosido; por një parim i gjallë që lëviz zemrën e shpirtin e çdo njeriu në ndjenja të dashurisë dhe simpatisë për gjithë racat e njeriut. Të gjitha kombet konsiderohen si pjesëtarët e një familjeje, dhe si vëllezër ata janë mësuar të duan dhe të respektojnë njëri-tjetrin. Profeti Muhamed (a.s.) është pra, themeluesi i paqes së përbotshme, e cila varet në bashkimin e racave njerëzore.

Vexhhi S. Demiri

 “Zani i Naltë” Nr. 12, Gusht 1932

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu