Gjendja e njeriut pasqyrohet në atë se ai në çdo kohë e në çdo vend mërzitet prej së vjetrës dhe priret e nxiton për tek e reja. Ama është detyrë për të që të qëndrojë te humanizmi i tij, të përmbushë kuptimet e tij, të plotësojë kërkesat e tij dhe të mos mërzitet me to, sado i vjetër që të bëhet shoqërimi i njeriut me humanizmin e tij. Madje njeriu nuk do të mund të jetonte veçse me këtë angazhim nëpërmjet kryerjes së kësaj detyre.

Midis së vjetrës dhe së resë

Lidhja me identitetin njerëzor është pikënisja dhe baza. Kurse orientimi drejt interpretimit, zhvillimit, novacionit dhe përtëritjes së mënyrave të reja për jetën duhet të realizohet brenda këtij identiteti dhe ato duhet të jenë për hir të shërbimit ndaj tij dhe mbrojtjes së tij.

Megjithatë, problemi i njeriut të civilizimit modern është se ai njihet e familjarizohet gjithmonë me çdo gjë të re, ndaj së cilës priret nefsi i tij, madje edhe sikur ai, për të, ta tejkalonte vetveten dhe të mohonte identitetin e vet. Si rrjedhojë, ai bie në konflikt me humanizmin e tij dhe bie në një dyzim shkatërrimtar midis kërkesave të qëndrueshme të identitetit të tij dhe midis fantazive të ripërtërira të tij. Që të kurohet ky problem kërkohet nga ne që, të parin e hapave të metodës së planifikuar për ripërtëritjen e jetës sonë, të bëjmë njohjen e identitetit tonë dhe pastaj në vijim ripërtëritjen e lidhjes me të dhe kapjen fort pas kërkesave esenciale të tij.

Modernizimi dhe origjinaliteti

Duke parë se peshorja e fjalës sime, lidhur me dy polet e modernizimit dhe të origjinalitetit, është Islami, atëherë identiteti, i cili do të jetë objekti i qasjes sime në trajtimin e kësaj çështjeje, është adhurimi i njeriut ndaj Allahut. Megjithatë, ndodhet një bashkues i përbashkët midis myslimanëve dhe jomyslimanëve për të bashkëpunuar në zgjidhjen e këtij problemi; ai bashkues është identiteti njerëzor, sepse Allahu nuk i njoftoi robt e Tij rreth kësaj feje, qysh prej fillimit të ekzistencës njerëzore, dhe as nuk i obligoi ata me ndjekjen e bazave të besimit dhe me dekretet e normat etike, veçse me qëllim që ajo të jetë mbrojtësja e kuptimeve dhe e vlerave njerëzore, të cilat e dallojnë njeriun prej krijesave të tjera.

Kështu, diskutimi im, lidhur me Islamin dhe me atë çfarë mund të ketë prej gjërave të qëndrueshme dhe atyre të ndryshueshme, do të jetë veçse një diskutim rreth murit, i cili i ruan kuptimet njerëzore prej qenies së tyre të kota dhe prej përpjekjes për t’i asgjësuar ato.

Unë nuk kam gjetur brenda strukturës së të vërtetave islame, e cila përbëhet prej parimeve shkencore të besimit dhe prej normave etike, veçse vlerat e qëndrueshme, të cilat nuk ndryshojnë, sepse gjithçka që gjendet në to janë realitete; dhe realitetet – sipas logjikës – nuk pranojnë asnjë zhvillim apo ndryshim. Megjithatë, krahas funksionit të këtyre realiteteve të qëndrueshme, ato e nxisin njeriun mysliman për të ushtruar jetën e tij ideologjike, civilizuese dhe ekonomike, në përgjithësi, për ripërtëritjen e mënyrave në përputhje me një sistem të qëndrueshëm të përcaktuar, të cilin ta administrojnë e ta sundojnë ato realitete të pandryshueshëm. Është e rëndësishme që ta dimë se këto ndryshime ideologjike dhe civilizuese nuk janë të brendshme në ndonjërën prej atyre realiteteve, por ato janë prej rrjedhojave dhe rezultateve të tyre.  Prej urtësive të shndritshme të Allahut xh.sh. është se Islami nuk mund t’i nxisë myslimanët për ripërtëritje të vazhdueshme në jetën e tyre, veçse në qoftë se ajo është në vetvete – domethënë e mishëruar në realitetet e tij – e stabilizuar e përcaktuar dhe qëndron e lartësuar mbi zhvillimin dhe ndryshimin.

Kjo përmbledhje, të cilën unë po e vendos para lexuesit, nuk është e zgjeruar në sqarimin e kësaj të vërtete, dhe nuk parashtrohet veçse me anën e disa shembujve të shkurtër praktikë. Shpresoj që kjo të jetë e mjaftueshme për shpjegimin e kësaj së vërtete të rëndësishme.

Së pari, shikoni këtë shembull! Nga parimet më të rëndësishme të Islamit është rrotullimi i dekreteve të tij mbi ruajtjen e interesave të njerëzve, që në rendin e tyre të respektohet shkalla e prioriteteve në formën vijuese:

E para, është ruajtja e interesit të fesë. E dyta, është ruajtja e jetës. E treta, mendja. E katërta, familja. E pesta, pasuria.

Sigurisht dhe padyshim, ky parim është një interpretim i një realiteti të qëndrueshëm, i cili sfidon çdo zhvillim apo ndryshim të tij. Megjithatë ai nxit një seri zhvillimesh të pafundme brenda kuadrit të marrëdhënieve me jetën. Ai parim kërkon prej nesh ruajtjen e interesit të mendjes sa herë që është në harmoni e në përputhje me interesin e jetës. Por vetë ai parim bën të detyrueshme për ne që ta shkelim e tejkalojmë interesin e mendjes, në qoftë se në të do të kishte kërcënim ndaj interesit të jetës.

Gjithashtu ky parim, lidhur me interesin e pasurisë, na kërkon neve ta ruajmë pasurinë nëpërmjet fitimit, zhvillimit dhe kursimit me të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme, për sa kohë që ekziston koordinimi dhe proporcioni midis kërkesave të kësaj ruajtjeje dhe asaj të katër interesave të tjerë, të cilët e paraprijnë atë në prioritet dhe në rëndësi. Në qoftë se ka konflikt midis kërkesave të ruajtjes së pasurisë dhe midis secilës prej atyre interesave të tjera, atëherë duhet që ne ta tejkalojmë interesin e pasurisë në atë masë që bën të mundur realizimin e koordinimit midis asaj dhe atyre gjërave prej interesave të tjera me të cilat bie ndesh. Ky parim i qëndrueshëm nxit një lëvizje të vazhdueshme në përtëritjen e marrëdhënieve bashkëvepruese midis këtyre interesave sa herë që tek ato ndodh ndonjë defekt apo çrregullim. Sigurisht është shumë e qartë se kjo lëvizje e rregullt nuk është vetëm se një hije e atij parimi të qëndrueshëm, dhe ajo nuk është vetë parimi, siç e mendojnë disa sipërfaqësorë.

Një shembull tjetër: Midis parimeve dhe dekreteve të qëndrueshme është ndalimi i spekulimit dhe i mashtrimit në transaksionet financiare dhe ndalimi i veprimeve financiare që çojnë në shtimin e parave prej parave pa i lidhur ato me avantazhet e përfitimet (domethënë, me kamatë). Disiplina nëpërmjet këtij parimi të qëndrueshëm është që të hapë rrugën për tek alternativat e shumta të ndryshme në aspektet e veprimeve financiare, të tilla si: Aktet ligjore lidhur me fitimin dhe spekulimin, si dhe lidhur me llojet e shumta të kompanive dhe të çfarëdo gjëje tjetër që do të mund të përtërinin veprimet financiare, duke qëndruar larg kamatës, spekulimit dhe mashtrimit. Ai është një parim i qëndrueshëm në vetvete, por ai nxit për të modernizuar mënyra e zhvillime të reja prej marrëveshjeve ekonomike dhe financiare.

Një shembull tjetër: Midis parimeve të qëndrueshme është kushtëzimi i drejtësisë për personat që marrin poste të larta të ndjeshme si, në gjykatë e në vende të tjera të ngjashme; dhe kushtëzimi i drejtësisë për njerëzit që dëshmojnë nëpër gjykata. Drejtësia te njeriu është që ai të mos kryejë hapur një veprim i cili do t’i prekte burrërinë edhe nëse do të ngulmonte në bërjen e atij veprimi. Por cila është gjëja që prek burrërinë? Ajo është ngulmimi në kryerjen e diçkaje prej veprave të ndaluara, ose dalja kundër zakoneve dhe traditave të ndjekura nga njerëzit. Ai është një parim dhe një dekret i qëndrueshëm e i pandryshueshëm në Sheriat. Por, siç e shikoni, ai është i lidhur me ndryshimet e traditave shoqërore. Prej kërkesës së këtij parimi ishte, për shembull, heqja e burrërisë prej dikujt që vishte pantallona të ngushta dhe që ecte i zhveshur midis njerëzve nëpër rrugët e përgjithshme para disa shekujve, për shkak se kjo përbënte dalje kundra zakoneve dhe traditave, që ndiqeshin në atë kohë. Por pikërisht këto veshje sot janë në harmoni të plotë me burrërinë dhe nuk ndalojnë për të dhënë dëshmi dhe as për të marrë ndonjë post të lartë të ndjeshëm. Imam Shatibiu – që është, ashtu siç e dini, njëri prej dijetarëve më të shquar të Granatës – thotë: “Dalja me kokë të zbuluar e një personaliteti mysliman nëpër rrugë të përgjithshme e në vende publike, në Lindje, bën që atij  t’i bie burrëria dhe i refuzohet dhënia e dëshmisë si dhe i ndalohet marrja e ndonjë posti të lartë në gjykatë e në vende të tjera të ngjashme. Por, dalja e këtij personaliteti mysliman tek ne në Perëndim, me këtë pamje, nuk e dëmton burrërinë dhe as nuk ndikon në saktësinë e dëshmisë dhe as nuk ndalohet për të pranuar ndonjë post.

Kështu Islami e bëri traditën e ndjekur shoqërore një peshore për mirësjellje me të cilën duhet të pajiset e dallohet myslimani dhe madje çdo njeri; është ajo e cila e bën të fitojë burrëri sipas terminologjisë së fikhut, me kusht që tradita të mos kundërshtojë një parim tjetër të qëndrueshëm prej parimeve islame.

Nevojat e njeriut dhe Islami

Të gjitha parimet dhe dekretet e Islamit janë të qëndrueshme e nuk mund të shfuqizohen nga rrymat e modernizimit. Shkaku i qëndrueshmërisë së tyre është se ato u përgjigjen kërkesave dhe nevojave të qëndrueshme njerëzore. Në qoftë se do të zhvillohej humanizmi i njeriut, edhe këto dekrete e parime do të zhvilloheshin bashkë me të. Por rruga e zbatimit të këtyre dekreteve dhe parimeve i nënshtrohet vazhdimisht – ashtu siç e pamë – risisë dhe zhvillimit. Traditat e shëndosha shoqërore kanë pushtet të vazhdueshëm mbi të.

Pjesa e mbetur e fjalës është se të gjitha dekretet që përmban Islami janë të qëndrueshëm dhe të pandryshueshëm. Por vërtetësia e kapjes fort pas dekreteve të tij nxit zhvillimin e vazhdueshëm me kusht që kjo të realizohet nën inspektimin dhe kontrollin e vazhdueshëm të atyre dekreteve. Argument i qartë për këtë është se myslimanët që e përqafuan Islamin në Epokën e Vulës së Profetëve, Muhamedit a.s., dhe të cilët ishin grupime prej fiseve nomade arabe, i zhvilluan për një periudhë gjysmë shekullore të gjitha mënyrat dhe stilet e jetës së tyre më shumë se sa i zhvilluan ato mënyra myslimanët e ndriçuar në këto katër shekujt e fundit; dhe ai zhvillim i shpejtë nuk i shtyu ata për te zhvillimi i asnjërit prej dekreteve të Islamit. Sekreti i zhvillimit të tyre ishte forca e qëndresës dhe vazhdimësia e kapjes së tyre pas atyre dekreteve.

Kështu, myslimanët, sa më shumë të fitojnë prej parimeve të Islamit dhe sa më me ngulm të kapen pas tyre, aq më shumë dhe, pikërisht, në atë masë ato parime do të hapin për ta horizontet e zhvillimit dhe të modernizimit, duke i shtyrë me shpejtësi drejt tyre brenda sistemit dhe planimetrisë. A e keni parë makinën në të cilën ne hipim? Islami është si kjo makinë. Sa më shumë që ne të kujdesemi për rregulloren e saj dhe për pajisjet e saja të brendshme, aq më shumë ajo të transporton dhe të çon tek objektivat e tua. Ndërsa, në qoftë se ti do të lodheshe e mërziteshe prej zbatimit të rregullores së saj dhe fillon të bësh gjëra të kota me të, sigurisht ajo do të ndalonte dhe, si rrjedhojë, ajo do të të ndalonte edhe ty duke të të lënë prapa, duke mos arritur tek aspiratat e tua.

    Dr. Muhammed Seid Ramadan El-Buti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu