Namazi – Dhurata më e madhe e Miraxhit

Sapo futemi në tre muajt e begatë, filloj e meditoj mbi ngjarjet që kanë shënjuar gjatë tyre. Një ndalesë e rëndësishme është ajo e Israsë dhe Miraxhit e ndodhur gjatë muajit Shaban sipas kalendarit hënor, për faktin se, në atë natë të bekuar na ka dhuruar Allahu i Lartësuar nëpërmjet profetit të Tij të dashur Muhamedit alejhi selam, dhuratën më të çmuar – Namazin. Na ka dhënë mundësinë të kontaktojmë me Të (Allahun) 5 herë në ditë në intervale të ndryshme kohore, që t’i mbajmë lidhjet në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë me Krijuesin tonë. Ndryshe nga shtyllat e tjera të fesë Islame siç janë Zekati, Agjërimi apo Haxhi, urdhërin për kryerjen e tyre e ka dhënë nëpërmjet ajeteve kur’anore, ndërsa për faljen e Namazit, Allahu zgjodhi një formë të veçantë dhe një ngjarje të veçantë, e cila është gdhendur në kujtesën e gjeneratave islame dhe kalendarit të datave të shënuara për ymetin islam dhe që përkujtohet vit për vit nga besimtarët myslimanë anembanë botës. Duke qenë se Namazi synon të lidhë njeriun që jeton në tokë me Allahun që qëndron mbi  Arsh, ai u obligua pikërisht atje. Besimtari, edhe pse e vë ballin dhe kokën e tij në tokë gjatë faljes, lutjet dhe duatë e tij ngrihen lart në qiej e depërtojnë deri në lartësitë ku nuk pipëtin asnjë gjallesë përveç të Gjallit, të Përjetshmit, të Pavdekshmit, Allahut Fuqiplotë.

Israja dhe Miraxhi janë ndër mrekullitë me të cilat e nderoi dhe e dalloi me to Allahu i Lartësuar profetin Muhamed nga njerëzit e tjerë, por edhe nga profetët e tjerë të mëparshëm. Brenda një nate, me fuqinë e Tij të mbinatyrshme, të pakapshme dhe të paimagjinueshme nga logjika njerëzore, të dërguarit Muhamed i mundësoi një udhëtim mbresëlënës dhe unik, fat të cilin nuk e pati askush tjetër nga mesi i njerëzve, që nga lindja e Ademit alejhi selam e deri tek njeriu i fundit qe do të lind mbi faqen e dheut. Nga Meka e Bekuar e dërgoi në xhaminë Aksa në Palestinë me një shpejtësi, të cilën s’e mat dot asnjë njësi matëse shpejtësish nga ato që njohin njerëzit, edhe pse ka transmetime se ka qenë me shpejtësinë e dritës, apo me shpejtësinë e erës, etj, e më pas nga aty, i rezervoi një takim që nuk do ta harronte gjithë jetën, një takim me atë që është Dritë mbi dritë, me Allahun. Për shumëkënd, ngjarja e asaj nate mbetet e pabesueshme, e pakapshme dhe e paperceptueshme, por për besimtarët myslimanë, të cilët besojnë me bindje të plotë dhe me gjithë qënien e tyre në fuqinë absolute të Krijuesit të Universit; në fuqinë e Atij që i mjafton vetëm t’i thotë diçkaje “Bëhu” dhe ajo bëhet; për ata që i besojnë besnikërisë dhe vërtetësisë së profetit Muhamed, ndodhitë e asaj nate të rrëfyera prej tij, qëndrojnë dhe janë fiks ashtu siç i ka përshkruar gjuha e të cilit nuk u lëkund kurrë nga e vërteta.

Sa e bukur dhe e mbushur është dita jonë me namaz dhe sa bosh dhe sa thatë do ishte pa të. Ashtu siç trupi ka nevojë për ushqim, edhe shpirti ka nevojë për ushqim, por ushqimi i tij është tjetër lloj, nuk i ngjan atij trupor. Namazi është një nga ushqimet që e mban gjallë shpirtin tonë, e karikon atë, e vitalizon, e pastron, e rigjeneron dhe e furnizon.

Ndryshe nga shtyllat e tjera të islamit që nuk janë obligim i përditshëm, si psh: Haxhi është detyrë të kryhet një herë në jetë nëse plotësohen kushtet për kryerjen e tij; Zekati po ashtu është obligim për atë që disponon një sasi të caktuar nga pasuria; Agjërimi i Ramazanit është obligim vetëm një muaj në vit, ndërsa me Namazin ndryshon puna. Ai është një adhurim që duhet kryer përditë, madje në pesë kohë të ndryshme të ditë-natës.  Është interesant fakti se si janë të shpërndara faljet ditore (namazet).   Dita nis me faljen e namazit të Sabahut për të vijuar në mesditë me faljen e Drekës, pasdite me atë të Iqindisë, në perëndim të Diellit me atë të Akshamit dhe me namazin e Jacisë në mbrëmje, besimtari e mbyll ditën e tij duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit në orare të përcaktuara. Të gjitha këto shkëputje nga rutina ditore e kësaj dynjaje i shërbejnë njeriut dhe e vetëdijësojnë atë për nevojën e madhe për ndihmën e Zotit; për dorëzimin e tërësishëm para madhështisë së Tij dhe për përgjërimin dhe përuljen e njeriut ndaj fuqisë së Tij.

Të gjithë kemi nevojë që të na flasë Zoti dhe t’i flasim e t’i lutemi Atij. Këtë komunikim të dyanshëm e realizojmë gjatë namazit, pasi gjatë tij lexojmë pjesë të ndryshme nga Kur’ani që janë fjalët e Zotit, gjithashtu i lutemi Atij dhe i shprehim brengat tona, problemet tona, kërkesat tona të përulur para Tij në ruku e sexhde. Një namaz i falur me devocion e përkushtim të dhuron një rehati shpirtërore që s’ta ofron asgjë tjetër. Eh sa e sa njerëz vuajnë pikërisht ngaqë nuk ndihen mirë shpirtërisht, i ka mposhtuar stresi e ankthi dhe nuk ndihen aspak të lumtur, edhe pse nga ana ekonomike mund të jenë shumë mirë.

Faleminderit o Zot që na jep mundësinë të falemi e të lutemi! Namazin tonë, shpresojmë tek Ty ta bësh dritë për ne në jetën e kësaj bote dhe mbi të gjitha, dritë që mposht errësirën në jetën e Varrit dhe shpëtim nga zjarri i Xhehenemit! Amin!

Qani Sulku