PËRSIATJE E SHKURTËR MBI LINDJEN E NJERIUT MODERN

Mesjeta dhe Rilindja janë dy epoka të cilat në thelbin e tyre janë krejt të kundërta pavarësisht se zhvillohen në të njëjtin truall gjeografik, Evropën Perëndimore. Që të jemi të qartë dhe të kuptojmë pse këto dy epoka janë në thelb të ndryshme nga njëra tjetra është domosdoshmëri të vëmë në dukje bazamentin ideor mbi të cilin ndërtohet secila prej tyre.

Thelbi ideor i mesjetës ishte botëkuptimi tradicional mbi njeriun , botën, universin. Në bazë të këtij botëkuptimi qëndronte tradita që vjen nga një botë përtej njerëzore, për t’i shenjuar njeriut mënyrën e jetesës në përkohësi. Kësisoj në qendër ishte Qenia Hyjnore dhe krejt kuptimet e shpjegimet mbi qenien e vet, botën, universin njeriu i lidhte me fuqinë krijuese e drejtuese të Hyut të Plotfuqishëm.

Thelbi ideor i Rilindjes ishte botëkuptimi modern, i cili lidhet kryekëput me humanizmin dhe Rilindjen. Ura lidhëse e humanizmit dhe Rilindjes është njeriu, tashmë i shkëputur nga lidhja me fenë, besimin e krishterë katolik. Ky njeri nuk e shpjegon më veten, botën, universin në bazë të mësimeve kishtare si në mesjetë, por përpiqet t’i kuptojë dhe shpjegojë këta tri elementë duke u nisur prej vetvetes. Njeriu është në qendër të dhënies kuptimësi jetës dhe botës. Njeriu modern shenjtëron arsyen dhe rrjedhimisht fuqitë shpjeguese të tij, duke marrë rolin e Zotit. Besimi se arsyeja kupton dhe shpjegon çdo gjë, madje dhe vetë Zotin, ishte bazamenti i Humanizmit dhe Rilindjes.

Kalimi nga Mesjeta tek Rilindja pati ndikim në të gjitha sferat e jetës në Evropën Perëndimore. Nga kjo tronditje e thelbit botëkuptimor nuk do të shpëtonte as filozofia. Përgjatë mesjetës filozofia ishte në shërbim të besimit. Filozofët e Mesjetës që njëkohësisht ishin dhe klerikë kishtarë, u përpoqën të gjenin të përbashkëtat e filozofisë antike me besimin fetar, për ta vendosur filozofinë në shërbim të teologjisë. Synohej një bashkërendim i mendimit filozofik të botës klasike me doktrinën kishtare. Besimi ishte mbizotërues ndaj arsyes dhe arsyeja duhej të përkulej me nderim ndaj besimit.

Në periudhën e Rilindjes filozofia u laicizua. Përmasa njerëzore tashmë po ndërhynte edhe në realitete ku arsyeja më herët nuk kishte guxuar as të afrohej, veçanërisht në kuptimet dhe interpretimet teologjike. Kjo mënyrë e të vështruari të qenies njerëzore dhe botës solli ringritje të fuqishme dhe ndikim tepër të madh në mendimin filozofik të modernes, të filozofisë antike. Mesjeta u cilësua epokë e errët, madje u tall e u zhvlerësua nga modernistët  që tashmë ishin duke i dhënë më shumë rëndësi formës sesa përmbajtjes. Me njeriun në qëndër, me arsyen e ulur në fronin ku më parë qëndronte Hyu i Plotfuqishëm, filozofia moderne i hapi udhë eksperimentalizmit si metodë e studimit të natyrës dhe përfitimit prej saj. Njeriu kishte filluar të besonte se tashmë ishte zot i natyrës dhe i vetvetes. Filozofia moderne po ushqente gjithmonë e më shumë idetë se njeriu duhej të merrte në duart e veta fatin e tij dhe fatet e botës. Teologjia mesjetare ishte thjesht objekt studimi e kritike. Ndikimi i fesë në sferën private dhe publike kishte marrë tatëpjetën. Kjo nuk ishte vetëm meritë e Humanizmit e Rilindjes. Vetë kisha katolike me abuzimet e saj dha një kontribut të madh në ushqyerjen e rrënjës moderne. Kur kjo rrënjë dha frytet e veta, teologjia mesjetare ishte e vonuar në reagimin e saj për ta mbajtur filozofinë të lidhur pas vetes. Shkëputja prej teologjisë mesjetare u perceptua si një domosdoshmëri në nivel absolut për të ndërtuar një shoqëri të re, shoqërinë moderne. Filozofia e laicizuar grishi njeriun të studiojë natyrën, veten, shoqërinë nga perspektiva e njeriut pa Zot, ose me një teologji të dobët thjesht si kurë shpirtërore. Kjo i hapi udhë gjithmonë e më shumë plotësimit të dëshirave njerëzore pa kurrfarë droje nga ndëshkimi hyjnor. Ishte një ndryshim dramatik që e solli njeriun modern në ngritjen e një qytetërimi të ri, qytetërimin modern të Evropës Perëndimore, krejt i ndryshëm nga qytetërimi mesjetar i Evropës Perëndimore.

Me njeriun në fronin e Zotit, moderniteti u kthye në magnet që thith e mban pas vetes energjinë e qenies njerëzore, energji nëpër të cilën njeriu modern nanuritet e sheh ëndrra më sy hapur si padron i planetit që i ka mbetur të pushtojë veç kozmosin.

Nuredin Nazarko