Fitr do të thotë krijim, natyrë, mbyllje e agjërimit, etj. Sadakaja ose lëmosha e fitrit quhet shkurt edhe fitre. Sadakaja e fitrit është një adhurim pasuror (material) që e kanë për detyrë ta zbatojnë myslimanët që zotërojnë pasurinë e quajtur nisab (përveç nevojave të përditshme) si dhe personat që kanë nën kujdestari, të cilët arrijnë bajramin e ramazanit.

Dhënia e sadakasë së fitrit është vaxhib. Sadakaja e fitrit është një përgjegjësi e mbështetur mbi numrin e personave të familjes të përbërë nga kryefamiljari ose kujdestari dhe personat që ka nën kujdestari. Kurse shkaku i konkludimit të sadakasë së fitrit si vaxhib, e shprehur teknikisht, është arritja e personit deri në ditën e parë të bajramit të ramazanit.

Në shumë hadithe, Profeti (s.a.s.) ka urdhëruar dhënien e sadakasë së fitrit. Një hadith profetik i rrëfyer nga Abdullah b. Omeri, është kështu: “I Dërguari i Allahut e ka caktuar sadakanë e fitrit 1 (3.350 kg) hurma dhe 1 elb për person (mashkull, femër, të madh, të vogël) dhe ka urdhëruar të jepet para se njerëzit të dalin për të falur namazin e bajramit (të ramazanit ose fitrit) (Buhari, Zekat, 76; Muslim, Zekat, 12).

     Sadakaja e fitrit është një adhurim që ka zënë vendin e vet në fe si një falenderim ndaj dhuntisë së jetës dhe trupit të favorizuar nga Allahu për personin dhe personat që ai ka nën kujdestari. Prandaj mbajtja e agjërimit nuk është kusht që sadakaja e fitrit të jetë ose të bëhet vaxhib. Edhe ata që s’mbajnë agjërim ose që s’munden të mbajnë agjërim, e kanë vaxhib të japin sadaka fitri. Sadakaja e fitrit bart edhe kuptimin e falenderimit ndaj Allahut të Lartë që i bëri myslimanët, të cilët mundën ta plotësojnë atë vit adhurimin e agjërimit, të aftë për ta kryer këtë adhurim.

Në të njëjtën kohë, siç bëhet e ditur në hadithin profetik, për myslimanin që ka mbajtur agjërim, sadakaja e fitrit plotëson mangësitë e adhurimit të tronditur me sjellje që s’i kanë hije personit të agjëruar. Gjithashtu, sadakaja e fitrit siguron pjesëmarrjen e të varfërve në gëzimin e bajramit (Ebu Davud, Zekat, 17; Ahmed b. Hanbel, Musned, 2/277). Veçanërisht, është thënë se dhënia e sadakasë së fitrit është shkak për pranimin e agjërimit, për shpëtim, për lehtësimin e vuajtjeve të çastit të vdekjes dhe të varrit.

Sadakaja e fitrit zbatohet nga personat përgjegjës në një kuadër shumë më të gjerë se zekati. Kështu, çdo njeri që ka mundësi për të dhënë sadakanë e fitrit, shijon kënaqësinë e dhënies së diçkaje në rrugën e Allahut, sheh dhe kupton më nga afër gjendjen e njerëzve nevojtarë në shoqëri. Nga ana tjetër, edhe njerëzve të varfër u zgjatet dora e ndihmës duke ua ruajtur nderin dhe duke mos i lënë të detyruar të kërkojnë. Kështu, mes individëve që jetojnë në të njëjtën shoqëri, ngrihet dhe funksionon edhe një urë tjetër vëllazërie dhe miqësie!

 

 

Kushtet e përgjegjësisë për dhënien e sadakasë së fitrit

    

     Të jesh mysliman.  Për një person, dhënia e sadakasë së fitrit bëhet vaxhib në qoftë se është mysliman.

     Të kesh pasuri në masën nisab. Për një person, që të bëhet përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, duhet të zotërojë, mbi nevojat themelore, pasuri në masën nisab, ekuivalente me vlerën e 85 gr flori ose 595 gr argjend. Ndryshe nga zekati, që sadakaja e fitrit të jetë vaxhib, nuk është kusht që pasuria (mbi nevojat themelore) që zotëron personi të jetë rentabël (shtuese) dhe që të ketë qëndruar në dorë të tij një vit. Sipas shkollave shafiite, malikite dhe hanbelite, për të qenë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, nuk është kusht që personi të zotërojë pasurinë në masën nisab. Çdo mysliman i cili, përveç nevojave themelore, ka aq ushqim sa t’i mjaftojë për natën dhe ditën e bajramit, është përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit.

     Përgjegjësia e dhënies së sadakasë së fitrit. Për të qenë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit nuk është kusht që personi të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Sipas Ebu Hanifesë dhe Ebu Jusufit, sadaka fitri duhet dhënë edhe për fëmijën dhe të sëmurin mendor që zotërojnë pasuri në masën nisab.

     Përkatësia gjinore dhe kujdestaria. Që dikush të jetë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit për persona të tjerë, duhet që personat e tjerë të jenë pjesëtarë të familjes së tij ose nën kujdestarinë e tij.

 

Koha e dhënies të sadakasë së fitrit

 

Sadakaja e fitrit mund të jepet që me hyrjen e muajit të Ramazanit. Në përputhje me qëllimin e plotësimit të nevojave të të varfërve, të shprehur në hadithet e Profetit (s.a.s.), dijetarët kanë nxitur dhënien e sadakasë së fitrit një a dy ditë para bajramit. Nuk është e përshtatshme që dhënia e sadakasë së fitrit të lihet pas ditës së parë të bajramit. Megjithëkëtë, edhe në qoftë se mbetet për t’u dhënë pas bajramit, përgjegjësia e dhënies së fitrit vazhdon dhe duhet kryer në rastin më të parë.

Sipas shkollës shafiite, vonimi pa justifikim i dhënies së sadakasë së fitrit pas ditës së bajramit është haram.

 

 

Sasia e sadakasë së fitrit

 

Siç u përmend edhe më parë, në hadithet lidhur me sadakanë e fitrit bëhet e ditur se, në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ky adhurim pasuror është kryer në sasinë 1 sá (njësi mase prej 3.350 kg) nga lëndët ushqimore të përdorura më shumë në atë periudhë, si hurma, elbi, rrush i thatë, etj. Veç kësaj, rrëfehet se sipas praktikës së sahabeve, mes të cilëve ndodheshin edhe kalifët rashidinë, është dhënë sadaka fitri në grurë në masën 1/2 sá.

Sipas shkollës hanefite, sadakaja e fitrit duhet të jepet në formën e katër lëndëve ushqimore: grurë, elb, hurma dhe rrush i thatë. Nga gruri (ku futen edhe mielli i grurit dhe nënproduktet e tij), jepet 1/2 sá, kurse nga të tjerat jepet 1 sá sadaka fitri.

Të tilla janë të dhënat dhe masat që përmbahen në burimet klasike të fikhut. Ndërkaq, po të shihen me kujdes zbatimet e periudhës së Profetit dhe të mbahen parasysh përmbajtja dhe qëllimi i sadakasë së fitrit, kuptohet se fitri i dhënë përgjithësisht në masën 1 sá ishte sa ushqimi njëditor i një të varfëri. Në mënyrë të veçantë, transmetimet lidhur me këtë çështje tregojnë se lëndët ushqimore të dhëna në atë periudhë si sadaka fitri, kanë qenë lëndë konsumi themelore të shoqërisë dhe se ndërmjet masave ka ekuivalencë.

Nisur nga kjo, kuptohet se me sadakanë e fitrit është synuar të plotësohet ushqimi njëditor (mëngjes-mbrëmje) i një të varfëri sipas standarteve të shoqërisë ku ai jeton. Prandaj mund të thuhet se sot në ditët tona, dhënia e sadakasë së fitrit me njërën prej lëndëve ushqimore, si gruri, elbi, hurmatë dhe rrushi i thatë dhe në masën 1 sá, është e pamjaftueshme. Duke u nisur nga ky arsyetim dhe arsyetime të ngjashme me këtë, dijetarët islamë kanë mendimin se në përcaktimin e masës së sadakasë së fitrit duhet marrë për bazë njëri nga kriteret si më poshtë:

* Të merret mesatarja në vlerë monetare e sasisë 1 sá e njërës prej lëndëve ushqimore grurë, elb, hurma ose rrush i thatë. Me këtë zbatim parandalohet dalja në shesh në muajin e ramazanit e shumë shifrave të ndryshme nga njëra-tjetra të përcaktuara sipas cilësisë së këtyre lëndëve ushqimore dhe rënies së myslimanëve në lëkundje para kësaj situate.

* Të merret për bazë sasia që do të siguronte ushqimin normal njëditor të një personi. Kjo sasi nuk duhet të jetë më e ulët se vlera e lëndës ushqimore më të lirë të përcaktuar në hadithet.

Si përfundim, dhënia e sadakasë së fitrit duke marrë si masë sasinë që do të siguronte ushqimin njëditor normal të një personi është kriteri më i saktë. Duke u nisur nga fakti që paraja vlen për plotësimin e çdo lloj nevoje, dhënia e sadakasë së fitrit në monedhë është më e mirë. Për t’i ardhur në ndihmë besimtarëve myslimanë shqiptarë në këtë drejtim, çdo vit Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpall zyrtarisht vlerën minimale të sadaka-i fitrit në Shqipëri.

 

Personat të cilëve mund t’u jepet sadakaja e fitrit

 

Vendet ku mund të jepet sadakaja e fitrit me vendet ku mund të jepet zekati, janë të njëjta. Nisur nga kjo, personave që nuk mund t’u jepet zekat, nuk mund t’u jepet as sadaka e fitrit.

Personat që nuk mund t’u jepet zekat janë këta: personat që konsiderohen fetarisht të pasur (që zotërojnë sasinë nisab pavarësisht nëse është rentabël apo jo), gruaja e personit që jep fitër, të afërmit bazë (nëna-babai, gjyshja-gjyshi), të afërmit e nivelit të dytë (fëmijët, nipërit dhe mbesat), të afërmit që ka nën kujdestari. Personi që jep sadakanë e fitrit, duhet t’u japë përparësi të varfërve të vendit apo mjedisit ku banon, farefisit që mund të banojë edhe larg, të varfërve me moral të mirë dhe nxënësve.

Personi që jep sadakanë e fitrit, mund t’ia japë atë si një të varfëri të vetëm, ashtu dhe duke ua shpërndarë disa të varfërve. Por, për sa i përket përballimit të nevojave të personit të varfër, dhënia një të varfëri është më e mirë. Ndërkaq, disa persona mund t’ia japin fitret një të varfëri të vetëm.

 

Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”

Këshilli Botues, KMSH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu