TEFSIRI I SURES KUREJSH

 

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَـنِ الرَّحِيمِ

لِإِيلافِ قُرَيْشٍ (1) إِيلافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْفِ (2) فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْتِ (3) الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ (4)

 

Shqipërimi:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. (Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh,
  2. për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.
  3. Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes),
  4. i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.

Sures Kurejsh, i thuhet ndryshe edhe surja “Li’ilafi Kurejsh”. E zbritur në Meke, ka 4 ajete. Emrin e ka marrë prej fjalës Kurejsh në fillim të sures. Fakti se ka një lidhje të fortë me suren paraardhëse, e bën të duket sikur është vazhdimi i saj. Tregon mirësitë që kanë fituar Kurejshët nga observimi i Qabes.

 

Shkaku i zbritjes

Prej shkaqeve të zbritjes është fakti se Kurejshët, duke parë ndihmën e Zotit në ngjarjen e “poseduesve të elefantit”, në vend që të ishin të parët në pranimin e Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe fesë së Zotit, ata ishin të parët që kundërshtuan dhe këmbëngulën në politeizmin e tyre.

 

TEFSIRI

لِإِيلافِ قُرَيْشٍ

  1. (Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh

إِيلافِ Ijlaf, ka kuptimin e të mësuarit me diçka, e bërë e zakonshme. Allahu (xh.sh.), duke i bashkuar ata kur ishin të përçarë, si dhe duke i shndërruar rrugët e tregtisë në diçka të zakonshme, ua kishte mundësuar atyre që të fitonin pasuri me anë të saj. Ndërsa ata, tani distancoheshin nga adhurimi i Allahut.

Ndërkohë që, vetëm mirësia e udhëtimeve tregtare të dhuruara prej Allahut (xh.sh.), pa marrë parasysh mirësitë e tjera të panumërta, ishte një dhuratë e madhe dhe, sikur vetëm për këtë duhet ta adhuronin Allahun.

 

إِيلافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْفِ

  1. Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë

Allahu ua lehtësoi Kurejshëve rrugët e tregtisë gjatë dimrit për në Jemen dhe gjatë verës për në Siri, që ta adhurojnë Allahun.

رِحْلَةَ rihlet, ka kuptimin udhëtim, emigrim. Kurejshët udhëtonin gjatë dimrit në Jemen, dhe gjatë verës në Siri dhe Basra për tregti. Në të njëjtën mënyrë emigronin për tregti ose për arsye të tjera gjatë verës në Taif, dhe gjatë dimrit në Meke. Edhe pa i llogaritur mirësitë e tjera të pafund të Allahut (xh.sh.), Kurejshët më e pakta duhet ta adhuronin Allahun, qoftë kjo edhe vetëm për mirësinë e udhëtimit.

 

فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْتِ

  1. Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes)

Pra, ta njohin të vërtetën që solli Profeti Muhamed (alejhi selam) e të mos jenë të pabindur ndaj Tij, të heqin dorë prej politeizmit e mohimit dhe të adhurojnë Zotin e Bejtul Atik (shtëpia e parë e ndërtuar në tokë), i Cili e ruajti atë prej sulmit të ushtrisë së elefantit, ta njohin vetëm Atë si Zot dhe të adhurojnë vetëm Atë. Adhurimi kryhet në drejtim të Qabes, por jo për vetë Qaben, por për Zotin e Qabes. Fatkeqësisht, disa besimtarë, respektin që tregojnë ndaj vetë Qabes, nuk e tregojnë për Zotin e Qabes, Profetin apo Kuranin.

 

الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ

  1. i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike

E kjo ishte frika nga armiku (ushtria e elefantit) i shpënë. Po ashtu, siç pohon edhe ajeti në të cilin thuhet se: “Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten? A mos vallë ata besojnë në gjëra të kota, ndërsa dhuntitë e Allahut i mohojnë?![1], njerëzit përreth tyre plaçkiteshin dhe vriteshin, ndërsa Kurejshët ishin të sigurt në zonën e sigurt (Qabe) dhe udhëtonin të sigurt për të bërë tregti. Kjo, ishte bërë e mundur me lutjen e gjyshit të tyre, Ibrahimit (a.s.), sepse ai, qe lutur: “Zoti im, bëje këtë vend qytet të sigurt[2]. Sërish në një tjetër dua thotë: “Jepu fruta![3] Pra, a nuk duhet që Kurejshët ta adhurojnë atë Zot që i ushqen dhe i siguron prej çdo frike?

Pra, ju ruajti ju nga frika kur askush nuk ishte i sigurt në Arabi. Në atë periudhë, në asnjë cep të Arabisë askush nuk mund të flinte i qetë. Ishin gjatë gjithë kohës përballë rrezikut të ndonjë sulmi. Askush nuk mund të dilte jashtë kufijve të fisit të tij, sepse në rast se dilte i vetëm, i pashoqëruar, ishte e pamundur të kthehej i gjallë. Mund të vritej nga dikush ose mund të zihej rob. Asnjë karvan nuk ishte i sigurt prej sulmeve, vetëm nëse i jepte ryshfet prijësve të fiseve përreth mund të kalonte shëndoshë e mirë. Po ashtu, kapitali që kishte me vete karvani mund të plaçkitej. Ndërsa Kurejshët mekas, ata ishin të sigurt prej çdo lloj rreziku. Për ata nuk ekzistonte frika e sulmit të armikut. Nuk kishin as frikë se armiku mund të sulmonte Mekën. Ata shëtisnin të lirë në çdo cep të vendit me karvanë të vegjël e të mëdhenj. Ata nuk i prekte askush, për vetë faktin që ishin “shërbyes të Qabes”. Askush nuk mund ta ngrinte zërin kundër tyre. Edhe sikur një kurejsh të sulmohej gjatë ndonjë udhëtimi, mjaftonte që ai të thoshte “jam nga Haremi”, pra nga Meka. Sapo dëgjonte këtë fjalë, sulmuesi ndalonte, sepse fiset që jetonin në gadishullin arabik nuk respektonin vetëm Qaben por edhe kurejshët që jetonin në rrethinat e Qabes. Ata thoshin: “Këta janë komshinjtë e shtëpisë së Allahut, janë banorët e Qabes dhe prijësit e saj, popull i Zotit.”

Pra, një popull që gëzonte një prestigj të tillë si në gadishullin arabik, po ashtu edhe nga fiset arabe, që jetonin jashtë gadishullit, duke menduar se po të ndiqnin Profetin Muhamed (s.a.s.) do të ishte në dëm të interesave të tyre, dolën kundër thirrjes së Tij. Në këtë sure, urdhërohen që mos të dalin kundër teuhidit (monoteizmit), tek i cili i fton kjo thirrje, dhe ta pranojnë këtë thirrje dhe të adhurojnë Zotin e Qabes që ua ka dhuruar atyre këto mirësi.

Këshilli Botues, KMSH

[1]. Surja Ankebut, 29:67

[2]. Surja Bekare, 2:126

[3]. Surja Ibrahim, 14:37