VITET X/XI – HIXHRI

VITET E DHJETË DHE TË NJËMBËDHJETË TË HIXHRIT

 

Khalidi dërgohet në Naxhran dhe Aliu në Jemen

 

Një numër të krishterësh të Naxhranit e kishin përqafuar Islamin, megjithatë, shumë prej tyre nuk e kishin bërë një gjë të tillë. Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi Khalid bin Walidin (Rad. A.) me mision, në Naxhran. 1] Ai bëri punë të madhe, duke qëndruar atje, derisa populli i atjeshëm dërgoi një përfaqësi në Medine, të cilët u pritën nga Profeti i mëshirës a.s. me nderime të mëdha.

Në Jemen, gjithashtu, kishte shumë paganë. Profeti Muhamed a.s. dërgoi atje Hazreti Aliun (Rad. A.), në muajin Ramazan të vitit 10, H. 2] me 300 kalorës. Kur Aliu arriti në Jemen, ai i ftoi ata në Islam, por ata e pritën me luftë. U zhvillua një luftë e vogël, në të cilën paganët u mundën dhe, më në fund, u nënshtruan dhe dërguan një përfaqësi te Profeti i ndritur a.s. dhe ai i takoi ata, pak para vdekjes së tij. Hazreti Aliu (Rad. A.) qëndroi në Jemen deri në fund të muajit Dhul Kadah të vitit 10 të Hixhrit.

 

HAXHI I LAMTUMIRËS

 

Me ekspeditën e Tabukut, fushatat ushtarake, pothuajse morën fund. Brenda një viti, pas ekspeditës së Tabukut, e tërë Arabia ishte nën zotërim të plotë të Islamit. Tani, Profeti i Islamit a.s. rrinte në Medine, ku priste përfaqësues dhe njerëz të tjerë, nga të katër anët e Gadishullit Arabik dhe u mësonte atyre Islamin. Me zbritjen e shpalljes së kapitullit të Kuranit të shenjtë, që po e japim më poshtë, pas triumfit të Mekës, ai u bë i vetëdijshëm se misionit të tij i kishte ardhur fundi:

“Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)

Dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe,

Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.”   (Kapitulli CX)

Deri tani, ai nuk kishte kryer ndonjë haxh të detyruar, d.m.th., Haxhin që u bë obligim, në kohën e Islamit. Ai nuk pati mundësi të shkonte në haxhin e parë të detyruar, në vitin 9 të Hixhrit, kur ai caktoi Hazreti Abu Bekrin, si përfaqësues të tij për të drejtuar Haxhin.

Në vitin 10 të Hixhrit, Profeti Muhamed a.s. bëri të ditur qëllimin e tij për të shkuar për haxh, në Mekë. Ai dërgoi njerëz në të gjitha anët e Arabisë, duke u kërkuar atyre që të bashkoheshin me të, në këtë haxh të madh. 3] Njerëzit iu përgjigjën me entuziazëm thirrjes së tij, jo me qindra, por me mijëra e dhjetra mijëra. Jashtë Medines ngriheshin tenda të panumërta nga njerëzit që përgatiteshin të niseshin për haxh; dhe këta njerëz ishin burra e gra, që vinin nga të gjitha anët e Arabisë, valë-valë, nën flamurin e Islamit që të bashkoheshin me Profetin e madhërishëm a.s. për në Haxh. Numri i tyre i kapërcente të njëqind mijë vetët. (Shënim: Numri i njerëzve të mbledhur në Arafat, atë vit, thuhet se ka qenë 120.000 njerëz).

Profeti i Islamit a.s., bashkë me Shokët, u nis nga Medina, më 26 të muajit Dhul-Kadah. Pasi përshkoi gjashtë milje, ai veshi në trup ‘rroben e haxhit’ (Ihramin), te vendi i quajtur Dhul-Hulaifah; të gjithë Shokët ndoqën shembullin e tij. Si e veshi Ihramin, ai shqiptoi:

“O Allah, ja ku jam,

Jam këtu, në shërbimin Tënd,

Ti nuk ke shok dhe unë jam në praninë Tënde,

Lavdërimet dhe bekimet janë vetëm për Ty,

Ti je Sunduesi, askush s’është shok me Ty.”

Fjalët e tij përsëriteshin nga mijëra zëra dhe e tërë shkretëtira përcillte jehonën e tyre. Më datën 5 të muajit Dhul-Hixhah (dhe, sipas disave, më datën 4), Profeti Muhamed a.s. arriti në Mekë. Pasi fali namazin prej dy rakatesh, ai u ngjit në malin Safa dhe, duke hedhur sytë nga Kaba, nisi të fliste:

“Askush nuk është i denjë të adhurohet, përveç Allahut. Ai nuk ka shok. Mbretëria e Tij është e madhe. Ai jep jetën dhe shkakton vdekjen. Ai është i Plotfuqishëm. Nuk ka zot tjetër, veç Allahut. Ai është mbi të gjithë e mbi gjithçka. Ai e përmbushi premtimin e Vet, ai e ndihmoi shërbëtorin e Vet dhe Ai vetë i shkatërroi gjithë grupet kundërshtare.”

Pastaj, ai bëri “Sa’i”-jen (shtatë xhirot vajtje-ardhje) midis lartësive Safa dhe Marwa. Pastaj, ai edhe të gjithë ata që nuk kishin me vete kafshë për kurban, e qethën kokën. Hazreti Aliu, gjithashtu, bashkë me një grup jemenitësh u bashkua me të. Profeti i ndritur a.s. ndenji në Mekë, deri më 8 të Dhul Hixhah. Po këtë ditë, u nis nga Meka për në Mina dhe kaloi natën atje. Të nesërmen, në mëngjes, më 9 të Dhul Hixhah, ai u nis nga Mina për në Arafat.

 

Predikimi historik

 

Pasditën e datës 9, të Dhul Hixhah, Profeti i madhërishëm a.s. i hipi devesë së tij, Kaswas, dhe filloi fjalimin e tij historik para mizërisë së njerëzve që i kalonte të 100.000 vetët. Fjalimi i plotë nuk jepet në asnjë prej librave të haditheve ose biografive të Profetit të Islamit alejhi salam. Por libra të ndryshëm kanë dhënë pjesë të ndryshme të tij. Dhe ja fjalimi që u mbajt aty, atë ditë: 4]

“Me të vërtetë, të gjitha ritet dhe traditat e kohës së Injorancës (periudha paraislame) janë shkelur nën këmbët e mia..” (“Al-Durar”; “Sahih Bukhari”; “Sahih Muslim”).

“Asnjë arab nuk ka epërsi mbi një ‘Axhami’ (joarab) dhe asnjë ‘Axhami’ (joarab) nuk ka epërsi mbi një arab. Të gjithë jeni pasardhës të Ademit dhe Ademi është krijuar nga dheu” (“ ‘Ikdul Farid”).

“(Ju duhet ta dini se) çdo mysliman është vëlla i një myslimani tjetër” (“Tarik”, nga Tabari; “Al-Tabakat”, nga Ibn Sad).

“Të jeni të drejtë me skllevërit tuaj. Kujdesuni që t’u jepni të hanë atë që hani ju dhe t’i vishni ata me ato që visheni ju vetë.” (“Al-Tabakat”, nga Ibn Sad).

“Gjakmarrjen për gjakun e derdhur në Kohën e Injorancës, quajeni të fshirë; dhe unë jam i pari që e fal gjakun e Rabiah bin al-Harith (që i përket familjes sime).” (“Sahih al-Bukhari”; “Sahih Muslim”; dhe “Sunan Abi Dawud”).

“Sot, të gjitha shumat nga interesat e parave të dhëna me fajde në Kohën e Injorancës, janë të falura, përfshirë edhe ato të familjes sime dhe të Abas bin-Abdul Mutalib” (“Sahih Muslim”; “Sunan Abi Dawud”).

“(O njerëzit e mi!) kijeni frikë Allahun në trajtimin e grave.” (“Sahih Muslim” dhe “Sunan Abi Dawud”).

“Ju keni disa të drejta mbi to dhe ato kanë disa të drejta mbi ju” (“Sirat”, nga Ibn Hisham; “Tarik”, nga Tabari).

“(Po ju paralajmëroj që) jeta juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjtë për njëri-tjetrin sikurse kjo Ditë e Shenjtë, si ky Muaj i Shenjtë dhe si ky Qytet i Shenjtë.” (“Sahih al-Bukhari”; “Sahih Muslim” dhe “Sunan Abi Dawud”).

“Me të vërtetë, unë po lë prapa meje një gjë të madhe; në qoftë se ju kapeni fort për të, nuk do të gaboni kurrë drejtimin. Ky është Libri i Allahut (d.m.th., Kurani i shenjtë).” (“Sahih al-Bukhari”; “Sahih Muslim”).

Më tej, Profeti i madhërishëm a.s. u ndal tek disa ligje:

“Allahu ju ka dhënë të drejtën e pasurisë (si rezultat i ligjeve të trashëgimisë). Prandaj, askush nuk ka të drejtë të lërë një testament sipas së drejtës së trashëgimisë së lashtë (kundër ligjeve islame). Djali lind nga martesa e vërtetë, shkelja e kurorës dënohet me vdekje dhe atëherë, Allahu nuk e merr në përgjegjësi. Mallkimi i Allahut bie mbi atë, i cili pretendon një linjë tjetër nga ajo e babait të vet, dhe mbi skllavin, i cili lidhet me një person tjetër, veç zotërisë së tij. Pa lejen e burrit të saj, gruaja nuk ka të drejtë t’i japë kujt nga pasuria e malli i tij. Borxhi duhet të paguhet; gjëja e marrë hua duhet të kthehet dhe garanti duhet të ngarkohet me përgjegjësi në rast humbjeje.” (“Al-Tabakat”, nga Ibn Sad; “Sirat”, nga Ibn Ishak; “Sunan”, nga Ibn Maxhah).

Pastaj, Profeti Muhamed a.s.e vazhdoi fjalën e tij:

“Çfarë do të thoni kur Allahu t’ju pyesë për mua, në Ditën e Gjykimit?” Shokët, të gjithë, iu përgjigjën me një zë, ‘Ne do të themi se ti na e ke dhënë Mesazhin.’ Atëherë, Profeti i Islamit drejtoi sytë nga qielli dhe tha: ‘O Zot! Ti je Dëshmitari im’.” (“Sunan Abi Dawud”; “Sahih Muslim”).

Dhe kjo ishte shpallja që i zbriti atë çast Profetit të madhërishëm alejhi salam:

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”  (V: 3).

Më pas, Profeti i ndritur a.s. i kërkoi Hazreti Bilalit të thërriste ezanin dhe fali me xhemat namazin e Dhuhrit dhe të Asrit (mesditën dhe mbasditën), së bashku. Pas faljes, gjithë kohën e kaloi me dhikër – përmendja e Allahut dhe lutje (Du’a) dhe, pas perëndimit të diellit, u nis nga Mina për Muzdalifa. Këtu, ai fali namazet e Magribit dhe të Ishasë (akshamin dhe jacinë – të mbrëmjes dhe të natës), së bashku, me xhemat. Pas këtyre, ai pushoi deri në mëngjes (fexhr). Sipas disa dijetarëve në fushën e haditheve, kjo është e vetmja natë, në të cilën Profeti i lartë a.s. nuk kreu Tahaxhud Salat (falja vullnetare, gjatë natës). Në mëngjesin e datës 10, Dhul Hixhah, pas namazit të fexhrit (falja e sabahut, e mëngjesit), ai u nis nga Muzdalifa dhe, pa lindur akoma dielli, arriti në Mina, ku bëri gjuajtjen e parë me gurë, në Xhamarat; pas kësaj, bëri kurbanin. Në vazhdim, erdhi në Mekë, ku bëri “Tawafin” (rrotullimin rreth Kabës) dhe piu ujë nga Burimi Zam Zam. Pas kryerjes së “Tawafit”, ai u kthye në Mina dhe qëndroi atje, deri më datën 12 të Dhul Hixhah. Të nesërmen, më 13 të Dhul Hixhas, ai erdhi te lugina Mushab, ku pushoi për pak kohë; mandej, u kthye në Mekë, ku kreu “Tawafin” e fundit dhe, me datën 14 të Dhul Hixhas, mori rrugën nga Meka për në Medine.

 

TË GJITHA EKSPEDITAT E PROFETIT TË ISLAMIT

 

Sipas mendimit të shumicës së historianëve, numri i ekspeditave (Ghazwat), në të cilat Profeti Muhamed a.s. ka marrë pjesë, personalisht, arrijnë në njëzet e shtatë të tilla. Ato mund t’i renditim, si më poshtë:

(i) Ekspedita e Abwasë (ose, Wuddan); (ii) Ekspedita e Buwatit; (iii) Ekspedita e Ushairas; (iv) Ekspedita e Badr-al-Ula; (v) Ekspedita e Badr (d.m.th., Badr al-Kubra); (vi) Ekspedita e Bani Sulaim; (vii) Ekspedita e Sawik; (viii) Ekspedita e Ghatfanit; (ix) Ekspedita e Buhranit; (x) Ekspedita e Uhudit; (xi) Ekspedita e Hamra al-Asad; (xii) Ekspedita e Bani Nadir; (xiii) Ekspedita e Dhat al-Rika; (xiv) Ekspedita e Badr al-Akhirah; (xv) Ekspedita e Daumatul Xhandal; (xvi) Ekspedita e Hendekut; (xvii) Ekspedita e Bani Kuraizah; (xviii) Ekspedita e Bani Lihjan; (xix) Ekspedita e Dhi-Karad; (xx) Ekspedita e Bani Mustalik; (xxi) Ekspedita e Hudeibijes; (xxii) Ekspedita e Khaiberit; (xxiii) Ekspedita e Umres së munguar; (xxiv) Ekspedita e Triumfit të Mekës; (xxv) Ekspedita e Huneinit; (xxvi) Ekspedita e Taifit; (xxvii) Ekspedita e Tabukut.

Nga këto njëzet e shtatë ekspedita, në nëntë prej tyre, janë zhvilluar luftime dhe, pikërisht: në ekspeditën e Bedrit, të Uhudit, të Hendekut, të Bani Kuraizah, të Bani Mustalik, të Khaiberit, të Triumfit të Mekës dhe në ekspeditën e Taifit.

Përsa i përket misioneve ose patrullave vëzhguese (ekspedita të vogla), të cilat ai i dërgoi në vende të ndryshme e me detyra të ndryshme dhe ku ai nuk mori pjesë, personalisht, për numrin e tyre, historianët nuk janë të gjithë në një mendje. Sipas Ibn Hishamit, numri i ekspeditave të tilla, “Sarajah” ose “Bauth”, sikurse i quan ai, arrin në tridhjetë e nëntë, 6] kurse Ibn Sad këtë numër e ngre në dyzet e shtatë. 7] Shumica e këtyre misioneve (“Sarajah”), të përmendura nga Ibn Sad, janë pasqyruar edhe në këtë libër.

 

PROFETËT E RREMË

 

Pas “Haxhit të Lamtumirës”, Profeti i madhërishëm a.s. u kthye në Medine dhe arabët nga vise të ndryshme, shkuan në shtëpitë e veta. Profeti i mëshirës a.s. ishte shumë i kënaqur me përhapjen e Islamit. Ai po mendonte për sfidën që kishte përpara, atë me romakët, të cilët po bëheshin një rrezik i dukshëm kundëe Islamit dhe myslimanëve.

Ndërkaq, Profeti fisnik a.s. u vu në dijeni për Musailima (Mashtruesin), i cili kishte marrë guximin ta shpallte veten profet dhe i shkroi Profetit të ndritur a.s. një letër, në të cilën thoshte së gjysma e tokës i përkiste atij vetë dhe gjysma tjetër kurejshëve. 8] Profeti i lartë iu përgjigj Musailimas: “Nga Muhamedi, i Dërguari i Allahut, për Musailiman, Mashtruesin: Toka i përket Allahut dhe ai ia lë trashëgim atij që i pëlqen midis shërbëtorëve të denjë të Tij dhe paqja qoftë mbi atë që ndjek rrugën e drejtë.” 9]

Edhe dy individë të tjerë dolën me pretendimin se ishin profetë. Njëri prej tyre ishte Tulaiha Zaim bin Asad i Nexhdit, por ai kishte frikë t’i dilte haptas Profetit të nderuar a.s. dhe priste çastin ta bënte këtë, pas vdekjes së Profetit të Islamit. Pretendenti tjetër ishte Aswad Awsi i Jemenit, i cili kishte arritur të bënte një numër të konsiderueshëm ndjekësish, me anën e artit të magjisë. Ai vrau guvernatorin e Profetit të madhërishëm a.s në Jemen, Ibn Badhan dhe u martua me gruan e tij. Ai lëvizi me ushtrinë e tij në drejtim të Naxhranit, mirëpo më vonë, gruaja me të cilën u martua, e veja e Ibn Badhanit, e vrau atë duke i dhënë fund aventurës së profetësisë së tij.

 

Profeti i Islamit përgatit ushtri kundër romakëve

 

Sikurse u vu në dukje edhe më sipër, një përplasje midis myslimanëve dhe të krishterëve, ishte e pashmangshme. Romakët e shihnin përparimin e myslimanëve dhe ata do të kishin ndërmarrë pushtimin e territoreve islame shumë kohë më parë, po të mos ishte frika që ndjenin para këtyre luftëtarëve të shquar, të gatshëm për t’u martirizuar, të cilët luftonin deri në fund, ose të fitonin, për hir të Allahut, ose të vdisnin në Rrugën e Tij.

Gjatë ditëve të fundit të jetës së tij, Profeti i madhërishëm a.s. mori dijeni për përgatitjet e romakëve kundër myslimanëve, në kufirin sirian. Ai urdhëroi për përgatitjen e një batalioni. Si komandant të tij , ai caktoi Usamah bin Zaid bin Haritha, babai i të cilit kishte rënë dëshmor, në betejën e mëparshme kundër të të njëjtit armik. 10] Në këtë ekspeditë merrnin pjesë edhe Shokët e tij të shquar, si Abu Bakr, Ymeri, Abasi dhe Aliu. Profeti Muhamed a.s. i kërkoi Usamas të marshonte deri te kufiri, në Balka dhe të hynte në territorin e armikut, në rrugën për në Palestinë, afër Muttasë, aty ku kishte rënë dëshmor babai i tij.

Batalioni i Usamas, nuk kishte përshkuar veçsa pak milje, kur morën lajmin e trishtuar për vdekjen e Profetit të Islamit, prandaj ata u ndalën në Xhurf, jo larg Medines, për të marrë pjesë në ritet e varrimit.

 

SËMUNDJA E FUNDIT E PROFETIT MUHAMED DHE VDEKJA E TIJ

 

Dy muaj pas kryerjes së Haxhit të famshëm, Haxhit të Lamtumirës (Hixhat-al- Wida), Profeti i madhërishëm a.s. ra i sëmurë, megjithatë, ai vazhdoi me detyrat e tij, si zakonisht. Bile, ai shkoi edhe në Uhud, ku u lut për martirët e rënë atje. Me këtë rast, ai iu drejtua të pranishmëve: “Nuk besoj se ju do të ktheheni përsëri në idhujtari, pas meje, por kam frikë se ju do të jepeni kaq shumë pas kësaj bote, sa do ta humbni mendjen e do të filloni të vrisni njëri-tjetrin. Atëherë, do të jeni të mbaruar, sikurse mbaruan të tjerët, para jush.”

Profeti Muhamed a.s. vazhdoi të drejtonte salatin (namazet, kohët e faljes) me xhemat, derisa u dobësua kaq shumë, sa nuk ishte në gjendje të lëvizte. Atëherë, ai urdhëroi Abu Bekrin që të drejtonte faljen e përditshme (salatin) dhe kjo gjë vazhdoi për disa ditë. Katër ditë para se të vdiste, ai e ndjeu veten pak më mirë dhe bëri një banjë për namazin e drekës (Zuhar Salat). Mandej, i mbajtur pas Hazreti Abasit dhe Hazreti Aliut, ai doli nga shtëpia për në drejtim të xhamisë. Hazreti Abu Bekr po drejtonte faljen, si zakonisht. Kur e dalloi afrimin e Profetit të mëshirës a.s., ai bëri të lëvizte për t’ia lëshuar vendin në krye, por Profeti i ndritur a.s. i bëri shenjë të vazhdonte dhe u ul përbri tij. Pas namazit, ai i foli xhematit të vet:

“Allahu ia shtroi përpara shërbëtorit të Tij, që të zgjidhte midis kësaj bote dhe jetës së Pastajme. Ai zgjodhi këtë të fundit. Po ju tërheq vëmendjen, o myslimanë, të jeni të mirë me “ansarët”. Sigurisht, ata e kanë kryer mirë detyrën e tyre. Myslimanët, në përgjithësi, do të shtohen në numër, kurse “ansarët” do të pakësohen dhe do të jenë si kripa në gjellë.

Mjerë ato kombe para jush, të cilët adhuruan varret, profetët dhe shenjtorët e tyre. Unë jua ndaloj rreptësisht ta bëni këtë. Unë i detyrohem shumë Abu Bekrit. Në qoftë se do të më duhej që ta quaja ndonjërin mik, ai do të ishte Abu Bekri, mirëpo lidhja me bazë Islamin është e mjaftueshme, mbi çdo miqësi. O bija ime e dashur, Fatime dhe tetoja e dashur, Safije, bëni ç’të mundeni për jetën e Pastajme, sepse unë nuk do të jem në gjendje t’ju ndihmoj fare kundër vullnetit të Allahut.”

Ky ka qenë predikimi i fundit i Profetit Muhamed alejhi salam. Pastaj, sëmundja iu rëndua. Ai u duk pak më mirë në mëngjesin e ditës së hënë, më 12, Rabi al-Awwal, por pasdite, gjendja e tij u bë serioze, përsëri. Disa herë, i binte të fikët. Por edhe në këto orë agonie, nuk pushonte së kujtuari Zotin e tij. Ai vazhdimish shqiptonte me buzët e lodhura: “Më fal, o Zoti im!” Gjatë mbasdites e deri vonë, fryma ishte vetëm një drithërimë, që luftonte në gjoksin e tij, buzët e Profetit të mëshirës a.s. lëviznin ngadalë, duke lëshuar një zë që mezi dëgjohej nga ata që i rrinin rrotull:

“Mos iu ndani namazit dhe silluni mirë me skllevërit.”

Pranë tij mbanin një legen plot me ujë; ai njomte duart në të dhe fërkonte fytyrën, herë pas here. Pastaj, përnjëherë, duke e ngritur dorën lart e duke shënuar me gisht, shqiptoi tri herë:

“Atje te Shoku, Më i Larti” (Bal-ir-Rafik al-A’la).

Shpirti i fluturoi në Gjoksin e dashur, në Shoqërinë e më të Lartit. Ishte mbrëmja e së hënës, më 12, të muajit Rabi al-Awwal, të vitit 11 të Hixhrit 11] (8 Qershor, 632). 12] Ceremonia e varrimit u bë të nesërmen, ditën e martë. Hazreti Fadal bin Abas, Hazreti Ali dhe Hazreti Usamah e lanë trupin e tij, sikurse bëhet me çdo mysliman, pataj e zbritën në varr, te apartamenti i Zonjës Aishe (Rad. A.), ku dha frymën e fundit. Tani, kjo dhomë njihet, si “Raudat-un Nabawi”, Mauzoleu i Famshëm i Profetit dhe i të Dërguarit të Fundit.

Allahume Salli wa sallim alejhi wa ala alibi wa as-ha bihi salawatan kathiran kathiran

[O Allah, derdhi Bekimet Tuaja dhe jepi paqen shumë e shumë herë atij (d.m.th., Profetit të madhërishëm) dhe Shokëve të tij].   

 

Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”

Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së

 

  1. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.169; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.126. Gjithashtu, shih: “Al-Sirat al-Nabawijah”, nga Ibn Hisham, Libri II, f.641.
  2. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.169; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.131.

Shënim: 1. Edhe Ibn Hisham e ka përmendur këtë, por nuk ka dhënë një datë të caktuar.: “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, f.641.

  1. Hazreti Aliu u është dërguar në Jemen dy herë: Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, f.641; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.169.
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.60; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.148; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.275.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.603-604; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.150-152; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.282-283; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. II, f.124-125.

Gjithashtu, shih: “Al-Bidajah wal-Nihajah”; “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”; “Sahih al-Bukhari”; “Sahih Muslim”; “Sunan Abi Dawud” dhe “Xhuz Hixhatul-Wada”, nga Shaik Maulana Muhamed Zakarija al-Kandhlawi.

  1. Sahih al-Bukhari”; “Sahih Muslim”; “Sunan Abi Dawud”; “Al-Tabakat al-Kubra”, nga Ibn Sad, Vëll. II, f.188; “Siratun Nabi”, nga Shibli Numani, Vëll. II, f.125.
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.609.
  3. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.6.
  4. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.146.
  5. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.146.
  6. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.641; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.189; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.184.
  7. Sipas shumicës së historianëve, Profeti i Islamit a.s. vdiq, më 12, Rabi al-Awwal. Shih Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. III, f.110; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.200; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.272; Ibn Kathir, “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. V, f.254-256.
  8. Sipas tabelave krahasuese të kalendarit Hixhri me atë të krishterë (“Miftahut-Takwim”, nga H.R.Khan Sabri dhe “Comparative Tables of Hijri and Christian Dates” – Tabela krahasuese e datave sipas kalendarit Hixhri dhe atij të krishterë, e përpiluar nga A.M.Khalidi e të tjerë), data 12 e muajit Rabi al-Awwal, e vitit 11 të Hixhrit i bie ditën e djelë të datës 7 qershor të vitit 632, në rast se muaji paraardhës, d.m.th., Safar i vitit 11, H. merret për 29 ditësh. Por në qoftë se supozojmë se ky muaj, d.m.th., Safari parardhës ka qenë 30 ditësh, atëherë 12, Rabi al-Awwal i vitit 11, H., i bie me saktësi, ditën e hënë, më 8 qershor të vitit 632.