VITI I PARË I HIXHRIT
(Rabi al-Awwal 1 v.H. deri te Dhil-Hixhah 1 v.H.)
JATRIB
Jatrib (emri origjinal i Medines, – Al-Madinah) është i vendosur në provincën e Hixhazit të Arabisë Saudite, rreth 270 milje në veri të Mekës dhe 650 milje në juglindje të Damaskut. Qyteti ngrihet në një lartësi prej 2050 këmbësh mbi nivelin e detit (rreth 800-900 m.) dhe është një oaz i lulëzuar, në skajin perëndimor të një fushe të gjërë, pjesërisht e formuar nga një shpërthim vullkanik. Në pjesën lindore, ajo lidhet me fushën e mbuluar nga llava vullkanike, kurse në të tri anët e tjera, ajo rrethohet në formë gjysmërrethi nga kodra të shkreta. Në majën më të lartë nga të gjitha këto, më shumë se 1200 këmbë mbi oaz, ndodhet Uhudi.
Historia e hershme e Jatribit nuk është e njohur, plotësisht. Fiset kryesore të Jatribit ishin Awus dhe Khazraxh. Përveç fiseve arabe autoktone, kishte edhe ngulime të jehudinjve të ardhur e që ishin vendosur në periferi të qytetit. Historia nuk e thotë qartë se kur ndodhi vala e parë e emigrantëve izraelitë. Ka të ngjarë që të ketë pasur vendbanime të tilla edhe në kohët parakristiane, por fluksi kryesor i tyre mendohet të ketë ndodhur si rezultat i dëbimit të tyre nga Perandori Romak, Ardiani, në vitin 135 e.r. Në atë kohë, oazi ishte i zënë nga fiset arabe të Awusit dhe të Khazraxhit. Pas krijimit të vendbanimeve hebreje, fiset Awus dhe Khazraxh ranë nën shtypjen e tyre për shkak të mbizotërimit nga ana ekonomike dhe të fuqizimit të çifutëve me fortesat e ngritura rreth qytetit. Kolonitë e fuqishme të tyre ishin: Banu Kuraizah, Banu Kainuka dhe Banu Nadir. Idhujtarët e Jatribit ishin të moderuar në praktikat fetare të tyre dhe tek ata ndjehej ndikimi i jehudinjve; për jatribasit u bë i njohur profeti i premtuar në shkrimet izraelite. Bile, një numër arabësh e pranuan judaizmin dhe filluan të jetonin me hebrenjtë. Sipas Jakubit, historianit të përmendur, Banu Kuraizah dhe Nadir ishin arabë të kthyer në jehudinj. 1] Një tjetër historian, gjithashtu, al-Masudi, në librin e tij, “Kitab al-Ishraf wal-Tanbih”, thotë se jehudinjtë e Hixhazit e kishin prejardhjen nga Xhidhami. Për shkak të përbuzjes që ndjenin ndaj Amalkëve dhe adhurimit të idhujve nga ana e tyre, ata e pranuan besimin e Profetit Moisiu dhe emigruan nga Siria në Hixhaz. Ata përbëheshin nga tri fise – Banu Kuraizah, Banu Kainuka dhe Banu Nadir – dhe u vendosën në afërsi të Jatribit, ku ngritën fortesa e bastione të fuqishme. 2]
HYRJA E PROFETIT TË ISLAMIT (SALALLAHU ALEJHI WA SALAM) NË AL-KUBA
Popullsia e Jatribit kishte dëgjuar, tanimë, për largimin e Profetit të madhërishëm a.s. nga Meka dhe po prisnin me ankth mbërritjen e tij. 3] Çdo ditë, ata dilnin jashtë qytetit për t’i uruar mirëseardhjen. Më në fund, Profeti Muhamed a.s. arriti te një vend i njohur me emrin Kuba, rreth tri milje nga Jatribi.
Shumica e historianëve janë të mendimit se Profeti fisnik a.s. ariti në Kuba ditën e hënë. 4] Ai qëndroi aty pak ditë dhe pastaj, vazhdoi rrugën për në Medine, ditën e premte. 5] Përsa i takon datës së arritjes në Kuba, ka mendime të ndryshme. Sipas disa historianëve, ai arriti në Kuba më datën 12 të muajit Rabi al Awwal. 6] Por, nëse krahasojmë tabelën kronologjike të kalendarit Hixhrij me atë të krishterë, kjo datë (data 12 e muajit Rabi al Awwal) bie në ditën e premte. 7] Në qoftë se pranojmë se ai arriti në Kuba ditën e hënë, atëherë, kjo duhet të ketë qenë data 8 e muajit Rabi al Awwal dhe, pikërisht, kjo është që merret si më e vërtetë nga disa historianë. 8] Në këtë rast, ai duhet të ketë qëndruar aty katër ditë 9] dhe ka vazhduar rrugën për në Medine, ditën e premte, më 12 Rabi al Awwal. 10]
Dita e hënë, më 8 të muajit Rabi al Awwal (më 13 Nabawi, ose 1, viti H.) përkon me datën 20 shtator të vitit 622 të kalendarit tonë, ndërsa dita e premte, më 12 Rabi al Awwal (më 13 Nabawi, ose 1, v.H.) i bie më 24 shtator, 622. 11] Kjo është edhe dita kur fillon Kalendari Islam (Kalendari Hixhri). 12]
Në Kuba, njihej një familje e shquar, familja Kulthum bin al-Hidm; kur e panë Profetin e ndritur a.s. të hynte në fshat, ata thirrën me zë të lartë, gjithë gëzim dhe entuziazëm, “Allahu Akbar”. Me ftesën e tyre, Profeti i shenjtë a.s. dhe Hazreti Abu Bekr qëndruan te kjo familje dy javë. Myslimanët nga Jatribi filluan të vinin në grupe, një mbas një, për të takuar të Dërguarin e Allahut. Ndërkohë, arriti edhe Hazreti Ali (Rad. A.), i cili u bashkua me ta.
Xhamia e parë në Al-Kuba
Profeti i lartë a.s., në Kuba hodhi themelet e xhamisë së parë të Islamit, e cila njihet me emrin “Xhamia e Kubas”. Toka për xhaminë u dhurua nga Kulthum (Rad. A.). 13] Profeti i nderuar a.s. punonte bashkë me shokët për ngritjen e xhamisë, si të gjithë punëtorët e zakonshëm. 14] Një nga shokët e shquar të Profetit Muhamed a.s., Hazreti Abdullah bin Rawaha, ishte poet i famshëm. Gjatë punës, ai s’pushonte së kënduari këngë, si këto:
“I suksesshëm është ai njeri,
Që ndërton xhami,
Që reciton Kuranin e shenjtë
Gjithë kohën dhe, zgjohet natën për adhurim të Allahut.”
Ja, si flitet në Kuranin e shenjtë për këtë xhami:
“Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të…” (9: 108)
JATRIBI BËHET AL-MADINAH AL-MUNAWARAH
(QYTETI I NDRITSHËM)
Profeti i Islamit a.s. u largua nga Kuba për në Jatrib, ditën e hënë, më 12 Rabi al Awwal, 15] që i bie më 24 shtator, 622.
Salati i parë i xhumasë, falja e parë e ditës së premte, në Historinë Islame, është bërë nën drejtimin (Imamatin) e Profetit fisnik a.s., në Bani Salim 16] që ndodhet në rrugën nga Kuba në Jatrib. Profeti i ndritur a.s. foli para xhematit (njerëzve të mbledhur në xhami) të Salatit të xhumasë. Fjalët e tij rrëmbyen zemrat e dëgjuesve.
Pas salatit të xhumasë, Profeti i lartë a.s. vazhdoi rrugën drejt Jatribit. Banu Naxhar, fis i njohur i qytetit dhe kushërinj të Profetit të nderuar a.s., nga ana e nënës së tij, i dolën përpara për ta përshëndetur, të pajisur me të gjitha armët që kishin, në shenjë nderimi. Atij iu bë një pritje e ngrohtë dhe entuziaste në hyrje të qytetit, e ngjashme me atë që i bëhet një mbreti, kur hyn në kryeqytetin e vet, pas një fitoreje të madhe. Sigurisht, ai i kish fituar zemrat e njerëzve me karakterin dhe mësimet e tij. Çdo banor i Jatribit e ndjente veten në kulmin e gëzimit. Deri edhe gratë e mbuluara ishin ngjitur në çatitë e shtëpive që ta ndiqnin ngjarjen me sytë e tyre. Deri atëherë, urdhri për “Hixhabin” (mbulesën e gruas) nuk ishte shpallur ende. Këngët e mirëseardhjes jehonin nën tingujt e gjithfarë melodish:
“Shikoni! Fort po shndrit që lart hëna e re
Mbi ne, që nga lugina e Wada’as,
Të lidhur nga detyra, të gjithë i falemi Zotit,
Derisa njerëzit jetojnë t’i luten Fuqiplotit.” 17]
Vajzat e vogla të fisit “Banu Naxhar” (fisi që i përkiste Salma, gruaja e Hashimit, stërgjyshi i Profetit të ndritur), këndonin vargjet:
“Ne jemi vashat e fisit Naxhar,
Urrah! Me ne do të jetojë Muhamedi.” 18]
Profeti fisnik a.s. iu drejtua vajzave të reja, “A më doni mua?” – “Po, o i Dërguari i Allahut!”- folën ato, të gjitha përnjëherë. “Edhe unë ju dua”, – shtoi Profeti Muhamed alejhi salam. 19]
Secili nga banorët e qytetit synonte të kishte nderin e të ftonte në shtëpinë e tij mysafirin e shquar. Situata paraqitej delikate, sepse kishe të bëje me ndjenjat e njerëzve, prandaj edhe Profeti i lartë a.s. e kishte të vështirë të vendoste; për këtë arsye, ai e la devenë e tij të lirë të ecte vetë dhe u tha njerëzve se ai do të zinte vend aty ku të ndalohej deveja. Shorti i ra Abu Ajub Ansarit (Rad. A.), sepse kafsha u ndal dhe u shtri rehat, tamam përballë shtëpisë së tij, te një truall bosh që i përkiste dy jetimëve, Sahl dhe Suhail, aty ku ndodhet sot “Xhamia e Profetit”. 20] Abu Ajub Ansari e ndjente veten të lumtur, në kulm. Nga të dy katet e shtëpisë së tij, ai i propozoi Profetit të nderuar a.s katin e sipërm, si më i rehatshëm, por ky parapëlqeu atë të poshtmin, për arsye se vizitorët do ta kishin më të lehtë. Hazreti Abu Ajub bëri gjithë sa mundi t’i krijonte kushtet më të mira Profetit të madhërishëm, i cili jetoi aty, shtatë muaj. 21] Profeti i Islamit a.s. mblodhi, gjithashtu edhe pjesëtarët e familjes së tij, gruan (Saudah) dhe dy vajzat, Fatimen dhe Um Kulthum; Hazreti Zaidin, djalin e tij të adoptuar dhe Abu Rafi, një shërbëtor.
Nga koha kur Profeti i ndritur a.s. nisi të jetonte në Jatrib, emri i këtij të fundit u ndryshua në “Madinatun Nabi” (Qyteti i Profetit), ose “Al-Madinah al-Munawwarah” (Qyteti i Ndritshëm), si edhe Taibah. 22]
Ndërtimi i Xhamisë së Profetit
Në mënyrë të domosdoshme, ishte i nevojshëm një vend për të adhuruar Allahun pesë herë në ditë. Për këtë arsye, vëmendja e Profetit të Islamit a.s. u drejtua në ndërtimin e një xhamie. Përballë shtëpisë së Abu Ajub Ansarit, kishte një copë truall, aty ku u ndal deveja e Profetit të madhërishëm, kur erdhi nga Kuba. Kjo tokë ishte në pronësi të dy jetimëve, Sahlit dhe Suhailit. Profeti Muhamed a.s. i thirri ata dhe u shprehu dëshirën e tij t’ua blente tokën për të ngritur xhaminë aty. Dy jetimët, jo vetëm e pranuan me kënaqësi propozimin, por ata ngulën këmbë që tokën ta jipnin si dhuratë për xhaminë; megjithatë, Profeti i lartë a.s. nuk e pranoi falas, por e bleu tokën. 23] Sipas një tregimi, ai i kërkoi Abu Bekrit ta paguante çmimin e tokës, në emër të tij. 24] Toka kishte ca pemë dhe disa varre. Profeti i nderuar a.s. urdhëroi që varret të sheshoheshin, kurse drurët u prenë dhe trungjet e tyre u lanë si shtylla për mbajtjen e çatisë së xhamisë.
Puna për ndërtimin e Xhamisë së Profetit filloi dhe ai vetë punonte aty, si punëtor i zakonshëm. 25] Shokët, ndërsa punonin, recitonin kuplete (”Raxhaz”) si ky:
“O Allah, suksesi i vetëm është ai i jetës së Pastajme,
Prandaj, fali muhaxhirët dhe ansarët.” 26]
Xhamia përfundoi së ndërtuari dhe, atëherë Profeti i Islamit shpalli para të gjithëve: 27]
“Kjo do të jetë shtëpia ime, vendi im i adhurimit, si edhe vendi im i prehjes së përjetshme.” 28] Të ndarat për bashkëshortet e tij, gjithashtu, u ndërtuan në oborrin ngjitur me xhaminë. 29] Në fillim, u ndërtuan vetëm dy të tilla, një për Hazreti Saudah dhe tjetra për Hazreti Aishan, por më vonë, u ndërtuan edhe të tjera, për secilën nga gratë më të cilën u martua. Këto apartamente ishin me tulla të papjekura dhe me çatitë prej gjethe palmash.
Xhamia e Profetit nuk kishte kurrfarë zbukurimesh a stoli të tjera; ajo ishte një shprehje e vërtetë e thjeshtësisë së Islamit. Medina u provua si vendi më i përshtatshëm për rritjen e Islamit, si fe e shkallës më të lartë. Mënyra e të luturit, salati, gjithashtu, këtu mori formë të përsosur dhe në historinë e Islamit filloi një epokë e re, gjatë së cilës Feja, si e tërë, u përsos.
Këtu filloi praktika e Adhanit – ezanit, – thirrja për lutje, salat, pesë herë në ditë. Hazreti Bilali u caktua si muaddhin, mezin i xhamisë për të thirrur ezanin. 30] Në fillim, myslimanët luteshin në xhami me fytyrën në drejtim të Jeruzalemit që ka qenë “kibla” e profetëve të mëparshëm. Por, më vonë (në muajin Rexheb të vitit të 2-të të Hixhrit), Allahu urdhëroi për ndryshimin e “kibles” në drejtim të Kabës (Al-Masxhid al-Haram, – Xhamisë së Shenjtë, në Mekë). Më në hollësi, do të flitet edhe për këtë, në kohën e vet.
Suffah
Në një nga qoshet e xhamisë, u ndërtua një vend pak i ngritur, si një platformë a qoshk, me çati prej kashte. Ai vend u bë qendra për mësimin e parimeve e regullave të Islamit, si edhe një strehë për myslimanët e varfër (veçanërisht, për emigrantët nga Meka, që nuk kishin asnjë mjet jetese). Myslimanët që qëndronin aty, filluan të njihen si “Ashab-i-Suffah” (Shokët, njerëzit e Sufas, të sofasë). 31] Një nga banorët e Sufas, ka qenë edhe Abu Hurejrah (Rad. A.) i cili, më vonë, do të bëhej treguesi më i shquar i haditheve.
Vëllazërimi midis myslimanëve (Al-Muwakhat)
Ndërkohë, ardhja e myslimanëve emigrantë (Muhaxhirin) nga Meka vazhdonte, prandaj vëmendja e Profetit Muhamed a.s. u drejtua ndaj gjendjes së mjerë të këtyre emigrantëve, të cilët kishin lënë gjithçka nga pasuria e tyre, për hir të Allahut, të të Dërguarit të Tij dhe të Besimit fetar. Mësimi bazë i Islamit, “Myslimani është vëlla i çdo myslimani tjetër”, u vu para një sprove të madhe në Medine. Kur ata emigruan këtu, të gjithë pasurinë e tyre e rrëmbyen jobesimtarët e Mekës. Zgjidhja e vërtetë e problemit të tyre ishte vetëm vëllazërimi me bazë Islamin. Profeti i Islamit a.s. thirri një mysliman medinas që gëzonte titullin “Ansar” (d.m.th., ndihmës) dhe një emigrant nga Meka, “muhaxhir”, dhe i bëri vëllezër. 32] Kjo lloj vëllazërie doli më e fortë se vëllazëria e mirëfilltë. “Ansari” i dha vëllait të tij, “muhaxhir” gjysmën e çdo gjëje nga pasuria e tij. 33] Në këtë mënyrë, myslimanët nga Meka gjetën shtëpinë e tyre të re. Kjo ishte një dukuri e rrallë, unike në llojin e vet, për dashurinë e rrallë, mirësjelljen, simpatinë, me të cilën u paraqit Islami, duke i bashkuar në një lidhje kaq të fortë dy popuj krejt të huaj për nga raca e kultura e duke i bashkuar ata në rrugën e vëllazërimit. Por edhe emigrantët, nga ana e tyre, shfaqën fisnikërinë e tyre në sjellje e në karakter, duke shmangur me sa të kishin mundësi përfitimin e tepruar nga kjo ofertë e jashtëzakonshme. Ata, në masë të madhe, parapëlqenin të punonin vetë e ta rimëkëmbnin gjendjen me përpjekjet e forcat e veta. Ja, si shprehet Kurani i shenjtë lidhur me këtë vëllazëri të paparë:
“Vërtet, ata që besuan dhe mërguan (për hir të besimit), e më pas luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut dhe ata që u dhanë strehim e i ndihmuan, janë miq e mbrojtës për njëri-tjetrin.” (VIII: 72)
Në bazë të urdhëresës së mësipërme, një “muhaxhir” trashëgonte pasurinë e vëllait të tij “ansar”, ndërsa, nga ana tjetër, humbiste të drejtën e trashëgimisë nga lidhja e mirëfilltë farefisnore. 34] Megjithatë, pas betejës së Bedrit, kur “muhaxhirët” nuk kishin nevojë të ndihmoheshin më tej, ky rregull u ndryshua me anë të shpalljes së mëposhtme:
“Sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë).” (VIII: 75)
“Muhaxhirët” parapëlqenin biznesin, tregtinë, në ndryshim me vëllezërit e tyre “ansarë” që ishin të dhënë më tepër pas punimit të tokës. Brenda një kohe të shkurtër, disa prej tyre u bënë tregtarë të mëdhenj, si Hazreti Osmani dhe Hazreti Abdur Rahman bin Awuf (Radiallahu anhuma).
Bejtul Mal (Thesari Publik)
Për herë të parë në histori, populli paguante një sasi të caktuar të hollash për një fond që u krijua për mirëqenien e përgjithshme, për ndihma ndaj atyre që ishin në nevojë e tjerë. Ky fond thirrej, në përgjithësi, me emrin “Bejtul Mal”, d.m.th., thesari publik. Myslimanët e varfër dhe banorët e ‘sufas’, gjithashtu, mbaheshin me anë të këtij fondi.
Marrëveshja midis myslimanëve dhe izraelitëve
Sikurse u tha edhenë fillim të këtij kapitulli, rreth Medines kishte ngulime hebreje. Ata ishin zotërues kapitalesh, merreshin me tregti dhe, sidomos, praktikonin dhënien e parave hua kundrejt interesave shumë të larta dhe ajo që duhet të shtohet, ishin shumë të ashpër në kthimin e borxhit të dhënë. Para daljes në skenë të Islamit, fiset që jetonin në Medine, në mënyrë të veçantë, ato të Awusit dhe të Khazraxhit, ishin në gjendje lufte. Beteja e famshme e Buathit, që shënon edhe luftën e fundit midis këtyre dy fiseve, i kishte shkatërruar ata plotësisht. Meqenëse kjo përçarje midis jatribasve (medinasve) me njëri-tjetrin ishte në interes të jehudinjve, këta të fundit nuk e dëshironin kurrë bashkimin e fiseve arabe.
Shfaqja e Islamit dhe pastaj, ardhja e Profetit Muhamed a.s. në Medine u bënë shkak që fiset luftarake Awus dhe Khazraxh të bashkoheshin me njëri-tjetrin. Pas kësaj, Profeti i fisnik a.s. u përpoq për krijimin e marrëdhënieve të mira midis gjithë banorëve medinas, si ato midis emigrantëve (“muhaxhirëve”) dhe medinasve vendës (“ansarëve”), ashtu edhe midis myslimanëve, në tërësi (d.m.th., të emigrantëve dhe vendësve) me jehudinjtë. Në të njëjtën mënyrë, ai përpunonte terrenin edhe në marrëdhëniet midis Islamit dhe judaizmit për lulëzimin e paqes në qytet dhe e shihte si një gjë me shumë interes një marrëveshje midis myslimanëve dhe izraelitëve. Në librat e historisë jepen në mënyrë të plotë kushtet e marrëveshjes. 35]
Ne po nënvizojmë disa pjesë të dokumentit të nënshkruar me këtë rast:
“Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Ky është një dokument (“kitab”) nga Muhamedi, Profeti (që qeveris marrëdhëniet) midis besimtarëve dhe të nënshtruarve, të bindurve (“muminin dhe muslimin”) nga radhët e kurejshëve (d.m.th., emigrantëve nga Meka) dhe jatribasve (d.m.th., banorëve të Medines) dhe ata që i ndoqën, u bashkuan me ata dhe luftuan me ata. Të gjithë ata, së bashku, përbëjnë një komunitet, një bashkësi të vetme (‘umma’) përballë të gjithë pjesës tjetër të popullsisë. Emigrantët nga radhët e kurejshëve mbajnë përgjegjësi për fjalët e veprat e tyre, do të shpaguajnë gjakun, sipas zakonit të tyre dhe do të shpëtojnë të afërmit e vet (fjala është për robërit e luftës) dhe do të jetojnë në paqe, harmoni e drejtësi, siç është e zakonshme midis besimtarëve. Banu Awuf do të shpaguajë gjakun që i takon sipas zakonit të tanishëm dhe, siç kanë bërë edhe më parë. Çdo grup i bashkësisë do të shpëtojë të afërmit e vet (fjala është për robërit e luftës) dhe do të jetojnë në paqe, harmoni e drejtësi, siç është e zakonshme midis besimtarëve. Po kështu, Banu Saidah; Banu al-Harith; Banu Xhusham; dhe Banu al-Naxhar (këto fise i përkisnin al-Khazraxhit);…(dhe, po kështu) Banu Amr bin Awuf; Banu al-Nabit; dhe Banu al-Awus do të shpëtojnë të afërmit e tyre (fjala është për robërit e luftës) dhe (do të jetojnë së bashku) në harmoni e me drejtësi.
Dhe, asnjë besimtar nuk do të ndërhyjë në marrëdhëniet e një besimtari tjetër me klientin e vet. Kushdo që rebelohet, ose bën padrejtësi, armiqësi, ushqen urrejtje dhe nxit kryengritje kundër besimtarëve, secili duhet të ngrihet kundër tij, le të jetë ai edhe i biri apo i afërt i tij. Një besimtar nuk duhet të vrasë një besimtar tjetër për të shpaguar një jobesimtar, as nuk duhet të ndihmojë një jobesimtar kundër një besimtari.
Kushdo nga jehudinjtë që na ndjek, do ta ketë ndihmën tonë, njësoj; ata nuk duhet të lëndohen dhe asnjë armiku nuk duhet t’i jepet ndihmë kundër tyre…Asnjë paqe e pjesshme nuk do të nënshkruhet kur bëhet luftë në rrugën e Allahut…Besimtarët duhet të hakmerren në dobi të njëri-tjetrit, kur derdhin gjakun në rrugën e Allahut…Kushdo që vret një besimtar, gabimisht, ai duhet ta shpaguajë gjakun; të gjithë besimtarët duhet të ngrihen kundër tij, si një njeri i vetëm dhe duhet të jenë të gatshëm për çdo masë që do të merret kundër tij.
Jehudinjtë duhet të ndihmojnë besimtarët (për shpenzimet e luftës) sa kohë që ata janë në luftë kundër një armiku të përbashkët. Degët e ndryshme të jehudinjve, – ata që ishin të lidhur në një mënyrë a tjetër, përkatësisht, me fiset Banu Awuf, Banu Nadir, Banu Awus e tjerë…janë një popull me besimtarët. Izraelitët do të mbajnë fenë e tyre dhe, po ashtu, myslimanët do të mbajnë të vetën. Brenda bashkësisë së jehudinjve (që u përkasin fiseve të ndryshme), po ashtu edhe aleatët e tyre, kushdo që bën shkelje dhe sillet padrejtësisht dhe bën mëkat, dëmi është për ta e për familjet e tyre. Besnikëria është mbrojtja më e sigurt ndaj tradhtisë. Miqtë e ngushtë të jehudinjve konsiderohen si ata vetë. Askush prej tyre nuk mund të marrë pjesë në një ekspeditë luftarake, veçse me lejën e Muhamedit, por atë nuk e pengon njeri të marrë hak për lëndimin që i është bërë…Jehudinjtë do të jenë përgjegjës për shpenzimet e tyre dhe besimtarët myslimanë për të vetat. Cilado palë që të sulmohet, pala tjetër duhet t’i vejë në ndihmë.
Lugina e Jatribit (Medina) do të jetë e shenjtë dhe e paprekshme për të gjithë ata që i bashkon kjo Marrëveshje. Të huajt që merren nën mbrojtje nga njëra prej palëve trajtohen njësoj si mbrojtësit e tyre; por asnjë i huaj nuk mund të merret në mbrojtje pa konsensusin e fisit të tij…Një grua mund të merret në mbrojtje vetëm me miratimin e familjes së saj.
Në qoftë se lind ndonjë problem shqetësues, që mund të bëhet shkak turbullirash, atëherë duhet të shqyrtohet në bazë të parimeve të Allahut dhe t’i parashtrohet të Dërguarit të Allahut.
Palët që e nënshkruajnë këtë marrëveshje duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin ndaj çdo sulmi që vjen kundër Jatribit. Në qoftë se atyre u bëhet thirrje për paqe dhe e mbajnë atë, ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë; po ashtu, në qoftë se edhe ata bëjnë të njëjtën kërkesë ndaj myslimanëve, këta të fundit duhet ta zbatojnë atë, vetëm në rastin e një lufte të shenjtë. Secili ka pjesën e vet në anën që i përket…
Allahu e jep pëlqimin për këtë dokument…Kjo marrëveshje nuk mbron të padrejtët dhe mëkatarët…Allahu mbron njerëzit e mirë dhe ata që ia kanë frikën Zotit (d.m.th., “muttaki”); dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut.”
Duke komentuar marrëveshjen e mësipërme, Dr. Muhamed Hamidullah shkruan: “Kushtetuta e parë e shkruar e një shteti, e hartuar dhe e shpallur ndonjëherë nga një sovran, në historinë e njerëzimit, është kjo që nxori Profeti i shenjtë i Islamit. Ajo ka ndodhur në vitin e parë të Hixhrit (viti 622 i epokës kristiane) dhe na ka ardhur e plotë deri në ditët e sotme.” 36] Duke theksuar tiparet kryesore të Marrëveshjes, Prof. M.Hamidullah vazhdon: “…Do të ishte (d.m.th., ishte, në të vërtetë) e dëshirueshme krijimi i një qyteti shtet në rajonin e Medines, mbi një bazë konfederate, ku çdo njësi të kishte një autonomi shumë të madhe. Vetëgjyqësia nuk duhej të ekzistonte; për çështjet me rëndësi duhej t’i drejtoheshe kreut të Shtetit, i cili të kishte kompetencat të vendoste për pjesëmarrjen në ekspedita, për luftën e paqen dhe këto prerogativa të ishin të pandashme. Sigurimi shoqëror duhej të institucionalizohej mbi një bazë piramidale për barrë të rënda që ishte e vështirë të përballoheshin nga individët e veçantë, si ato për shpagimin e gjakut me të holla, kur vrasja nuk dënohej me vdekje, si edhe kompensimi për lirimin e robërve të luftës, në duart e armikut. Me t’u arritur miratimi për këto çështje, u morën masat që ajo të përpilohej në formë të shkruar, duke e bërë, kështu, këtë dokument, kushtetutën e parë të shkruar të një shteti në botë, të shpallur nga kreu i tij. Teksti ka ardhur deri në kohën tonë, i plotë.” 37]
Tor Andre e komenton me këto fjalë këtë ngjarje:
“Ligjet e Asamblesë së Medines janë drafti i parë i një kushtetute teokratike, e cila, shkallë-shkallë, e bëri Islamin një perandori botërore dhe fe botërore…Kushdo që vepron në kundërshtim me autoritetin fetar, nuk mund të mbrohet nga askush, as nga farefisi i tij më i afërt. Islami po bëhej jo vetëm fe, por edhe një vëllazëri. ‘Pa dyshim, besimtarët janë vëllezër’, – thuhet në Suren 49, në ajetin 10.” 38] (Shënim: Tor Andre e përkthen fjalën ‘Ummah’ me fjalën Asamble).
Hipokritët
Brenda një kohe të shkurtër, e tërë Medina, me përjashtim të çifutëve, e pranuan Islamin. Megjithatë, kishte njerëz që nuk u pëlqente suksesi i misionit të Profetit të Islamit a.s.. Udhëheqësi i këtij grupi të pakënaqurish ishte Abdullah bin Ubaji, i cili, para emigrimit të Profetit Muhamed a.s., ëndërronte të bëhej princ (sundimtar) në Medine. Me gojë, ata shqiptonin përkatësinë islame, por në brendësi të vetes ushqenin mendime të liga ndaj Profetit fisnik a.s. dhe myslimanëve. 39] Njerëz të tillë, në Kuranin e shenjtë janë të njohur, si “Munafikin” (hipokritë). Më vonë, ata u lidhën me çifutët dhe armiqtë e tjerë të Islamit 40] dhe u përpoqën në mënyrë të vazhdueshme të dëmtonin Profetin e ndritur dhe myslimanët.
NGJARJE TË NDRYSHME GJATË VITIT TË PARË TË HIXHRIT
(i ).Zonja Aisha fillon të jetojë me Profetin e lartë a.s.
Martesa (“Nikah”) me zonjushen Aisha ndodhi në Mekë, pas vdekjes së Zonjës Hatixhe (Rad. A.). Megjithatë, ajo nuk filloi të jetojë menjëherë pas martesës, me Profetin e nderuar. Sipas disa të thënave, 41] Profeti i ndritur a.s. e thirri atë në shtëpinë e tij, në Medine, në muajin Shawwal (në vitin e 1-rë të Hixhrit). Në atë kohë, ajo ishte nëntë vjeç. 42] Në Arabinë e asaj kohe, vajzat në këtë moshë quheshin të rritura, gjë që pranohet edhe nga W. Montgomeri Watt, 43] një kritik i rreptë i martesës së saj në këtë moshë të re.
(ii). Vdekja e Walid bin al-Mughira dhe As bin Wail
Është për t’u shënuar vdekja e këtyre dy armiqve të betuar të Profetit të Islamit. Walid bin al-Mughira dhe As bin Wail vdiqën në Mekë, në këtë vit. 44]
(iii). Lindja e Abdullah bin Zubair
Pas ardhjes së myslimanëve në Medine, për ca kohë, nuk pati ndonjë lindje në familjet e emigrantëve (“Muhaxhirin”). Disa njerëz, nga mesi i hipokritëve, filluan të pëshpëritnin sikur kjo ishte rrjedhojë e ndonjë farë magjie, nga ana e çifutëve. Mirëpo, në familjen e Zubairit (kushëri i Profetit të lartë) dhe Esmasë (e bija e Abu Bekrit), lindi një foshnje, djalë që i vunë emrin Abdullah. Kjo ngjarje u prit me gëzim shumë të madh nga myslimanët. 45]
(iv). Një ndryshim në namaz
Deri tani, në çdo salat, kishte vetëm dy rakate farz (të detyruara). Në muajin e dytë të Hixhrit, d.m.th., në muajin Rabi’ al-Akhir, 46] u urdhërua që numri i rakateve të tilla, të detyruara (farz), të shtohej në katër, në kohën e Dhuhrit (mesditës), ‘Asrit (iqindisë) dhe Ishasë (jacisë). Megjithatë, gjatë udhëtimit, vazhdohej me rregullin e mëparshëm, me dy rakate të detyruara edhe në këto namaze.
(v). Hyrja në Islam e Abdullah bin Salam
Abdullah bin Salam (Rad. A.) ishte një dijetar i madh dhe prift i jehudinjve. Kur dëgjoi për Profetin e Islamit a.s., ai e njohu atë, si të Dërguarin e fundit. Ai erdhi dhe e takoi Profetin e madhërishëm dhe përqafoi Islamin. Kjo ishte goditje e rëndë për çifutët.
Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”
Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.295; Jakubi, Vëll. II, f.49 (ashtu si është cituar në “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.295); Abdur Tahaman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.24.
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.295; Al-Ma’sudi, “Kitab al-Ishraf wal-Tanbih”, f.247, sikurse është cituar në “Siratun Nabi”, Vëll. II, f.295.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.233; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri I, (Vëll. I & II), f.492; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.350; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.739.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri I, f.492; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.11; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.351, 420; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.233; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.739; Ibn ‘Abd al-Barr, “Kitab al-Istiab fi Marfat-il Ashab”, Vëll. I, f.17; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.292, 393; Ibn Kajjim, “Zad al-Ma’ad”, Vëll. I, f.310; Ibn Kathir, “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. III, f.190, 198; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil Tarik”, Vëll. II, f.40.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.352; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.11; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. I, f.494; Ibn Abd al-Barr, “Al-Isti’ab”, Vëll. I, f.17, 18; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil-Tarik”, Vëll. II, f.40; Ibn Kathir, “Al-Bidajah al-Nihajah”, Vëll. III, f.198.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri I, f.492; Ibn Abd al-Barr, “Al-Istiab”, Vëll. I, f.17; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.11; Muhamed Zurkani, “Sharah al- Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.351; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.381, 392, 393; Abu Barakat Danapuri, “Asah al-Sijar”, f.108.
- ”Tabela krahasuese e datave të Kalendarit Hixhrij dhe atij të Krishterë”, me autor A.M. Khalid, Anxhuman-e-Tarakki-e-Urdu (Indi), Delhi, 1939. (Ky është përkthim i Tabelës së Eduard Mahlerit, botuar në Leipcig, më 1926.); “Miftahut-Takwim”, nga Habibur Rahman Khan Sabri, Urdu Tarakki Board, New Delhi, 1977.
- Ibn Abd al-Barr, “Kitab al-Istiab fi Marfat-il-Ashab”, Vëll. I, f.17; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.351; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.277; Kadi Sulejman Mansupuri, “Rahmatulil-Alamin”, Vëll. I, f.89.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.351; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.381-393; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil Tarik”, Vëll. II, f.40; Ibn Kathir, “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. III, f.198; Ali bin Burhannuddin al-Halbi, “Al-Sirat al-Halbiah”, Vëll. I, f.59.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.351; Ibn Hazm (sikurse citohet nga Muhamed Zurkani në librin e referuar më sipër, Vëll. I, f.352); Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.381-393; Kadi Sulaiman Mansurpuri, “Rahmatulil-Alamin”, Vëll. I, f.89.
- Shih tabelat e referuara më sipër, te shënimi nr. 4. Sipas Montgomeri Watt, gjithashtu, data 12 e muajit Rabi al Awwal (1, v.H.) përkon me datën 24 shtator, 622: “Muhamedi, Profet dhe Burrë shteti”, f.91. Dr. M.Hamidullah thotë se ajo përkon me datën 31 maj, 622: “Muhamed Rasulullah”, f.60.
- Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.392, 393; Ibn Kathir, “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. III, f.206, 207: “Sahih al-Bukhari” (sikurse citohet nga Ibn Kathir, në “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. III, f.206.
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.276; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.353.
- Nuruddin bin Xhamaudin, “Wafa-ul-Wafa”, Vëll. I, f.180; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.11; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.276.
- Kjo është në përputhje me pikëpamjen se Profeti Muhamed a.s. hyri në Kuba ditën e hënë, më 8, Rabi al Awwal. Sipas Ibn Ishak dhe të tjerëve, Profeti i shenjtë qëndroi në Kuba vetëm katër ditë dhe u nis për në Medine ditën e premte. Shih: “Sharah al-Mawahib”, (Vëll. I, f.352), “Al-Raud al-Unuf”, (Vëll. II, f.11); si edhe “Al-Istiab” (Vëll. I, f.17, 18); “Al-Sirat al-Nabawijah” (nga Ibn Hisham), Vëll. I, f.494.
Sidoqoftë, lidhur me këtë, ka mendime të ndryshme. Për kohën që ai qëndroi në Kuba, numri i ditëve shkon nga katër ditë deri në më shumë se njëzet të tilla. Shih: “Sharah al-Mawahib”, (Vëll. I, f.351-353); “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, (Vëll. I, f.383). Disa historianë thonë se Profeti i ndritur u nis për në Medine, të premten e radhës, d.m.th., më 23, Rabi al-Awwal.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri I, (Vëll. I & II), f.492; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.354; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik aë-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.394; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.739; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.27; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil Tarik”, Vëll. II, f.41.
Shënim: Sipas Prof. M.Hamidullah, Salati i të premtes së parë me xhemat, u drejtua nga Musab bin Umar (para se Profeti i lartë të emigronte në Medine (“Muhamed Rasulullah”, f.57).
- Dr. Maxhid Ali Kan, “Profeti i fundit”, f.36; Nuruddin bin Xhamaluddin, “Wafa-al-Wafa”, Vëll. I, f.187; Muhamed Zurkani, “Al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. III, f.82, dhe Vëll. I, f.359; Shibli Numani, “Siratun Nabi”; Ibn Kathir, Vëll. II, f.922, e tjerë. Disa historianë thonë se këto vargje janë recituar e kënduar, kur Profeti i nderuar arriti në Kuba, nga Meka.
- Nuruddin bin Xhamaluddin, “Wafa-al-Wafa”, Vëll. I, f.187; Dr. Maxhid Ali Kan, “Profeti i fundit”, f.36; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.278; Baihaki, i mbështetur nga Anas Bin Malik (Sirat, nga Ibn Kathir, Vëll. II, f.274).
- Nuruddin bin Xhamaluddin, “Wafa-al-Wafa”, Vëll. I, f.187.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri I, (Vëll. I & 2), f.494-496; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.237; Ibn ‘Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.94; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.396; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.12; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.357; Ibn Khaldun “Tarik”, Vëll. II, f.740.
- ”Sirat”, nga Ibn Kathir, Vëll. II, f.279. Shënim: Në disa libra të tjerë, flitet për një periudhë më të shkurtër.
- Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. I, f.16.
- ”Sahih al-Bukhari”, (Bab ‘al-Hixhrah’), Vëll. I, f.555; “Sunan li-Abi Dawud” (Bab fi Bina-il-Masaxhid), Vëll. I, f.173; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.364; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.12; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.396; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.740.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.239; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.364.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.366-378.
- ”Sirat”, nga Ibn Kathir, Vëll. II, f.251; Ibn Kajim: “Zad al-Ma’ad”, f.311.
- ”Sunan li Abi Dawud” (Bab: fi Bina-al-Masaxhid), Vëll. I, f.17; “Sahih al-Bukhari”, (Bab: fil-Masaxhid); Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.366; “Sirat li-Ibn Hisham” (sikurse janë dhënë në shënimet e “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.12 & 13.
- Përkthimi anglisht i “Pajambar”, Vëll. III, f.27.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.240; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.369, 370; Ibn Kajim, “Zad al-Ma’ad”, Vëll. I, f.312.
- ”Sunan li Abi-Dawud” (Bab: Bad-ul-Adhan), Vëll. I, f.186; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. I, f.508, 509; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.375-380; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.19; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.283.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.370; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.293.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri I (Vëll. I & 2), f.507; ‘Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.18; Muhamed Zurkani, “Sharah al Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.373; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.741, 742; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.285; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.96.
- Për hollësi të tjera, shih “Sahih al-Bukhari”, Kapitulli “Si i bëri Profeti vëllezër Ansarët dhe Muhaxhirët”.
- ”Sahih al-Bukhari”, (Kitab al-Tafsir), Vëll. II, f.659; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.238; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.374; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.285; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.96; Ibn Kajim, “Zad al-Ma’ad”, Vëll. I, f.312.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. I, f.501-504; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.296; Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.16, 17. Gjithashtu, shih: “Hajatu Muhamed”, f.486-491; “Rahmatulil ‘Alamin”, f.100-101; Dr. Maxhid Ali Kan, “Profeti i fundit”, f.38, 39; Dr. Muhamed Hamidullah, “Muhamed Rasulullah”, f.63-66; A. Gijome, “The Life of Muhammad” – Jeta e Muhamedit, (një përkthim nga Ishak,në Sirat Rasul Allah), f.231-233.
- Dr. M.Hamidullah, ‘The First Written Constitution in the World’ – Kushtetuta e parë e shkruar në botë, – “The Journal of the Muslim World League”, Vëll. I, Nr. 4, f.47, Mekë, 1974 (1393).
- Dr. M.Hamidullah, “Muhamed Rasulullah”, f.63 (paragr. 144).
- Tor Andre, “Muhammad, the Man and His Faith” – Muhamedi, Njeriu dhe besimi i tij, – f.136.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.386.
- Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.101; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.386; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.743.
- Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.398, 399.
- Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.399.
- W. Montgomery Watt, “Muhammad, Prophet and Statesman” – Muhamedi, profet dhe burrë shteti, – f.102.
- Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.398.
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.298; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.401.
(Shënim: Sipas disa tregimeve nga Tabari, Abdullah bin Zubair ka lindur 14 ose 20 muaj, pas Hixhretit, d.m.th., gjatë vitit të dytë të Hixhrit).
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. I, f.384, 385; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.400; Shibli Nu’mani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.298. (Shënim: tek “Siratun Nabi”, nuk përmendet muaji, saktësisht).