VITI VII – HIXHRI

0

VITI I SHTATË I HIXHRIT

 

Ekspedita e Khaibarit

 

Në Khaibar, rreth 200 milje në veri të Medines, afër kufirit me Sirinë, ishte krijuar një përqendrim i madh dhe i fuqishëm jehudinjsh. Shumica e tyre ishin larguar nga krahina të tjera, me dëshirën e tyre dhe ishin vendosur në Khaibar. Sikurse është përmendur, tanimë, edhe banorët e fiseve Banu Kainuka dhe Banu Nadir të Medines, gjetën strehë këtu. Pas luftës së Hendekut, ndjenjat armiqësore të çifutëve u forcuan shumë. Abdullah Ubej, udhëheqësi i hipokritëve, mbante lidhje të fshehta me ta dhe u bënte të ditur lëvizjet e myslimanëve. Ata filluan përsëri të bashkëpunonin me fiset beduine për sulme ndaj Medines. Ata rrëmbyen disa karvane, vranë një numër myslimanësh dhe plaçkitën shtëpitë e pasuritë e tyre, bile edhe në fshatrat në periferi të Medines.

Ndërkaq, Profeti Muhamed a.s., me anë të shërbimit të zbulimit të tij, arriti të mësonte për planin e armiqve për të sulmuar Medinen. Ai mendoi të përfitonte nga informacioni që kishte dhe të mos u linte rast atyre të realizonin marshimin kundër Medines; çdo shtyrje e kohës, vetëm se e shtonte rrezikun. Prandaj, organizoi një veprim të shpejtë, flakë për flakë. Kësaj radhe, Profeti fisnik a.s. e gjykoi si më të përshtatshme që të drejtohej për në Khaibar, me qëllim që t’i ndalonte jehudinjtë që të sulmonin Medinen. Kështu që, në muajin Muharrem të vitit 7 të Hixhrit, 1] ai u nis nga Medina në krye të një force prej 1.600 besimtarësh. Në mungesë të tij, ai la si të ngarkuar me punë, në Medine Hazreti Siba bin Urfutah Ghifari. Profeti a.s. arriti në Khaibar, në ngulimin më të fuqishëm e të fortifikuar të jehudinjve, brenda tri ditësh. Ai zuri vend midis Khaibarit dhe Ghatfanit, në Raxhi, vend me një rëndësi strategjike të rëndësishme, duke i dhënë mundësi të priste çdo lidhje komunikimi e marrëdhënie në mes tyre. Si ndaloi aty, vuri roje për të vëzhguar rrugën e të mos linte asnjë prej fiseve fqinje t’u shkonin në ndihmë jehudinjve. Ghatfani mbylli dyert dhe nuk bëzani.

 

Përgatitja e jehudinjve

 

Jehudinjtë u kapën në befasi, kur panë Muhamedin a.s. me njerëzit e tij të marshonin drejt Khaibarit, më datë 4 (ose 5) të muajit Muharrem, në vitin 7 të Hixhrit. 2] Ata u ngujuan menjëherë në fortesat e tyre. Për ata u bë e qartë, tanimë, se kjo do të ishte ndeshja vendimtare dhe e fundit kundër myslimanëve, prandaj, u këshilluan gjatë me njëri-tjetrin. Në Khaibar kishte disa lagje të fortifikuara dhe shtatë kështjella të mëdha: Naim; Sulalim; Kamus; Natat; Kisarah; Shak dhe Marbat. Sipas historianëve, në fortesa kishte një forcë prej rreth 20.000 vetësh. 3] Me këshillën e kryetarit të tyre, Sallam bin Mishkam, pasurinë dhe familjet e tyre i vendosën në fortesat Watih dhe Salim, kurse luftëtarët zunë pozicion te fortesat Naim, Natat dhe Kamus, e tjerë. Kjo e fundit ishte kështjella më e fuqishme, sunduesi i së cilës ishte Marhab, luftëtari më në zë i tërë Arabisë. 4] Në këtë kështjellë jetonte, gjithashtu edhe familja azilante e Ibn Abi al-Hukaik e Khaibarit. Për Marhabin thuhej se ishte më i fortë se një mijë kalorës.

Kur arriti në Sahba, një vend afër Khaibarit, Profeti i Islamit a.s. fali namazin e mbasditës (Asr Salat) dhe hëngri një ushqim që përbëhej nga miell prej thekre të pjekur, i quajtur “Sawik”. 5] Pastaj, vazhdoi marshimin dhe arriti në periferi të Khaibarit, natën. Aty vazhdoi të falej dhe urdhëroi ushtrinë të pushonte për atë natë.

 

Fitorja

 

Profeti Muhamed a.s. nuk e dëshironte një rrethim të gjatë. Kur e kuptoi se jehudinjtë ishin përgatitur për luftë, ai urdhëroi të ndërmerrej sulmi. Beteja e parë u zhvillua kundër fortesës Naim. 6] Ajo ishte një betejë e rreptë, ku gjenerali mysliman Mahmud bin Muslimah ra dëshmor, por edhe kështjella, më në fund, u pushtua. Myslimanët zaptuan edhe fortesa të tjera të vogla, dhe me shumë vështirësi por, kur arritën te fortesa e famshme dhe e pathyeshme e Kamusit, aty e panë se kishin të bënin me diçka tjetër, si me atë arrën që është vështirë ta çash. Luftimi zgjati njëzet ditë. Çdo ditë shënonte disfatën e radhës. Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi Abu Bekrin dhe Ymerin, gjithashtu, por nuk ia arritën ta zaptonin fortesën. Megjithatë, Profeti i ndritur a.s. ishte plot me guxim dhe shpresë. Një mbrëmje, Profeti i lartë a.s. deklaroi se të nesërmen do t’ia jepte flamurin atij personi që e do Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe nga duart e të cilit fortesa do të pushtohej. 7] Secilit i shkonte në mendje, sikur ai vetë, ta kishte këtë fat. Të nesërmen, në mëngjes, Profeti i Islamit a.s.i bëri me shenjë Aliut, ia veshi me duart e tij parzmoen, ia dorëzoi shpatën e topuzin dhe e caktoi si komandant të trupave për atë ditë luftimi. Duke parë myslimanët nën komandën e Aliut, Marhab, luftëtari i famshëm, doli nga fortesa dhe e ftoi Aliun në duel. Në dyluftimin që u zhvillua midis Marhabit dhe Aliut, 8] ky i fundit e vrau kundërshtarin e vet që me sulmin e parë. 9] Pastaj, filloi një betejë e ashpër. Gjatë luftimit, Aliut iu thye shqyti, por ai shkuli një binar nga porta e fortesës dhe e përdori atë në vend të tij. Jehudinjtë nuk mundën të rezistonin më gjatë; ata u dorëzuan dhe fortesa ra në duart e myslimanëve.

Pas humbjes së fortesës së tyre më të fuqishme, atë të Kamusit, jehudinjtë e kuptuan se fundi ishte i afërt. Ata i kërkuan Profetit të mëshirës të bënin paqe, me kushtin që t’i paguanin atij gjysmën e prodhimit të tokave të tyre. 10] Jeta dhe pasuria e tyre, si edhe gratë e fëmijët nuk u cënuan fare. Megjithëse Profeti i madhërishëm a.s. e dinte mirë se ata nuk do t’i qëndronin fjalës, ai e pranoi kërkesën e tyre. Këtu mund të vërehet me lehtësi se, në qoftë se Islami është përhapur me anë të shpatës, ky do të ishte një nga rastet që për ta të parashtrohej alternativa e dënimit me vdekje të tyre. Në kundërshtim me këtë, edhe një armiku kaq të papajtueshëm e me karakter të pariparueshëm, iu dha kjo falje e përgjithshme e me gjithë zemër.

 

Nr.7. Rrënojat e Kasr Marhab, në Luginën e Khaibarit (faqe më vete)

 

Përpjekja për të helmuar Profetin Muhamed a.s.

 

Jehudinjtë bënë paqe me Profetin fisnik a.s. sa për sy e faqe, kurse, në tëvërtetë, mundoheshin të gjenin rastin ta vrisnin, tradhtisht. Ata janë njerëz që bëjnë veprime të çuditshme. Menjëherë, sa e përfunduan marrëveshjen me Profetin e ndritur a.s., filluan të sajonin planin për vrasjen e tij. Për këtë qëllim, ata nxitën një grua nga mesi i tyre, me emrin Zainab bin Harith, gruaja e njërit prej krerëve hebrenj, Sallain bin Mishkim. Sipas planit, ajo do ta ftonte për darkë Profetin e lartë a.s. dhe do t’ia hidhte helmin në gjellë. Dhe, me të vërtetë, në darkën që u shtrua, porsa e futi në gojë një kafshatë nga ushqimi i helmuar dhe filloi ta përtypte, në sajë të Ndërhyrjes Hyjnore, Profeti i madhërishëm a.s. e kuptoi se ishte me helm. 11] Ai pështyu menjëherë dhe e nxorri përjashta atë që kishte në gojë dhe nuk hëngri më tej. Njëri nga Shokët, Hazreti Bishr bin Bara, tanimë, kishte ngrënë një pjesë të ushqimit. Profeti i mëshirës a.s. e thirri gruan dhe filloi ta pyeste. Ajo e pranoi fajin. Dhe Profeti Muhamed a.s. e fali atë. Pas dy ose tri ditësh, Hazreti Bishr bin Bara vdiq, si pasojë e helmimit. Vetëm atëherë, ajo u dënua me vdekje, në përputhje me Ligjin Islam. 12]

 

Nënshtrimi i popullsisë së Fadakut

 

Pas fitores së Khaibarit, Fadak, një qytet izraelit, jo larg nga Khaibari, iu nënshtrua Profetit të Islamit a.s., gjithashtu, pa luftë. Midis dy palëve u nënshkrua një marrëveshje, me po ato kushte, si me Khaibarin. Pjesa që derdhi Fadaku, sipas marrëveshjes, i kaloi e tëra Profetit të nderuar a.s., meqenëse kjo u arrit pa luftë. 13]

 

Nënshtrimi i popullsisë së Wadi al-Kura

 

Gjatë rrugës së kthimit nga Khaibari, Profeti Muhamed a.s. erdhi te vendi i quajtur Wadi al-Kura, një vendbanim izraelit, midis Khaibarit dhe Taimas. Sipas disa historianëve, këtu ishte vendi i dikurshëm i popujve të Adit dhe Themudit. 14] Profeti fisnik a.s. nuk kishte ndër mend të luftonte me ta, por çifutët filluan të gjuanin me shigjeta, në drejtim të tyre, kështu që u zhvillua një luftim i vogël, që nuk zgjati shumë dhe armiku u dorëzua. Edhe me këta u veprua si me rastet e mëparshme; midis dy palëve u nënshkrua një marrëveshje, me po ato kushte, si për banorët e Khaibarit.

 

Martesa me Hazreti Safijen (Rad. A.)

 

Zonja Safije ishte gruaja e Kinanas, njërit prej krerëve çifutë të Khaibarit, i cili u vra gjatë betejës dhe ajo i pati rënë në pjesë Hazreti Dihjah Kalbi. 15] Meqenëse ajo ishte grua e një personi të rëndësishëm, e një kryetari, Profeti i ndritur a.s. e bleu atë për shtatë deve, vetëm për ta nderuar. Pastaj, ai i fali lirinë dhe u martua me të, si një mënyrë që ajo ta ruante statusin e saj të mëparshëm. 16] Dasma e Profetit të lartë a.s. me zonjën Safije, ka të ngjarë, të ketë ndodhur gjatë kohës që ai ishte ende në Khaibar. 17]Walimah” (darka festive e dasmës) ishte e pasur me hurma, një lloj gatimi me qumësht dhe gjalpë. Një vend i ngritur përtokë shërbente si tryezë, ku u shtruan ushqimet për pjesëmarrësit në dasmë. 18]

 

Dashuria e Abu Ajubit për Profetin e ndritur a.s.

 

Ndërsa Profeti Muhamed a.s. ishte me zonjën Safije (Rad. A.) në tendën e vet, Abu Ajubi qëndronte roje, aty pranë, me shpatën zhveshur. Në mëngjes, kur e pa Profeti i madhërishëm a.s., e pyeti, i çuditur dhe ai (Rad. A.) iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Zonja (d.m.th., zonja Safije) është e re dhe sapo ka pranuar Islamin; deri para pak kohe, ajo ishte e martuar me Kinanan, i cili u vra në luftë e kjo gjë mund t’ia turbullojë mendjen. Ku i dihet se ç’ndodh, thashë me vete; do të ruaj këtu afër tendës tënde, se mos ajo ndërmerr ndonjë gjë kundër jush.” Profeti i mëshirës a.s. i dha bekimin për këtë shfaqje kujdesi.

 

Ëndrra e zonjës Safije

 

Zonja Safije (Rad.A.) ishte shumë e lumtur me martesën. Tregohet se në fytyrën e saj, rreth syve, kishte një shenjë të nxirë, si pas një goditjeje; kur e pyeti Profeti i lartë a.s., me butësi, se çfarë e kishte atë shenjë, ajo iu përgjigj se atë e kishte për shkak të një ëndrre që kishte parë, kur jetonte me burrin e parë; në ëndërr iu shfaq sikur hëna i kishte rënë nga qielli në prehrin e saj; por kur ia tregoi atë Kinanas, ai e goditi atë me forcë, duke i thënë: “Çfarë ëndrre që paske parë! Kjo s’është tjetër, veç dëshira e jote ta kesh për burrë këtë mbretin e Hixhazit, Profetin.” 20] Shenja e goditjes ishte e njëjtë me atë që kishte parë edhe Profeti i nderuar alejhi salam. 21]

 

Profeti i shenjtë përshëndet Xhafarin dhe myslimanët emigrantë të tjerë, të kthyer nga Abisinia

Ndërsa po kthehej nga ekspedita e Khaibarit, Muhamedi a.s. pati kënaqësinë të përshëndeste kushëririn e tij, Xhafar bin Abu Talib dhe myslimanë të tjerë, të cilët po ktheheshin nga emigrimi i tyre, në Abisini. Me këtë rast, Profeti fisnik a.s. u shpreh: “Nuk e di, cila nga dy ngjarjet më sjell më tepër kënaqësi, ardhja e Xhafarit apo fitorja e Khaibarit.” 22] Ibn Hisham ka përmendur emrat e të gjithë myslimanëve të kthyer nga Abisinia, me këtë rast.

 

Kryerja e martesës me Um Habibah

 

Me kthimin e tij në Medine, nga Khaibari, Profeti i lartë a.s. e plotësoi martesën me Um Habibah (të bijën e Abu Sufjanit), të cilën Naxhashi (Negusi) kishte bërë kontratën me të, në Abisini.

 

EKSPEDITA TË VOGLA

 

Në librat e historisë përmenden një numër ekspeditash të vogla (“Sarajah”), të cilat kanë ndodhur gjatë këtij viti, pas ekspeditës së Tabukut, por përpara “Umres” së munguar. Këtu, ato do të pasqyrohen shkurt. Hollësitë rreth tyre mund të shihen te libri “Al-Tabakat al-Kubra”, nga Ibn Sad (Vëll. II, f.117-120).

 

  • Patrulla e Ymer bin Khatabit: 23]

Në muajin Shaban, një gup prej 30 vetësh, nën drejtimin e Ymerit, u dërgua në Turabah, e vendosur në rrugën nga Meka në Naxhran, ku banonte fisi Axhuz i Hawazinit. Me të dëgjuar për afrimin e myslimanëve, armiku u largua.

 

  • Patrulla e Abu Bekr Siddik: 24]

Edhe kjo ndodhi në muajin Shaban dhe u dërgua te Bani Kilab, në Nexhd. Me këtë rast, u zhvillua një luftim, në të cilin armiku u shpartallua.

 

  • Patrulla e Bashir bin Sad al-Ansari te Bani Murrah: 25]

Ajo u dërgua te Bani Murrah, në muajin Shaban për të paralajmëruar fiset që të mos shkonin në ndihmë jehudinjve gjatë betejës së Khaibarit. Me ta u zhvillua një luftim, ku disa myslimanë u plagosën për shkak të sulmeve me shigjeta nga ana e armikut. Sidoqoftë, armiku u tërhoq dhe dy prej tyre u zunë robër.

 

  • Patrulla e Galib bin Abdullah: 26]

Kjo u dërgua në muajin Ramazan në Maifa’ah, në Naxhd. Gjatë betejës, Hazreti Usamah bin Zaid vrau një prej tyre, ndërsa po recitonte Kaliman (që nënkuptonte se e kishte pranuar Islamin), sa për sy e faqe, me qëllim që të shpëtonte jetën. Profeti i Islamit a.s. e qortoi Usaman, duke i thënë: “A ia hape gjoksin që të shihje nëse e kishte me të vërtetë apo ishte mashtrues?” Qysh me këtë rast, dha urdhër që persona të tillë, të cilët e përqafonin Islamin, edhe në betejë e sipër, të mos vriteshin.

 

  • Patrulla e Bashir bin Sad al-Ansari në Xhabar

Kjo u dërgua në muajin Shawwal, në Jemen dhe në Xhabar, në Gatfan. Pas një luftimi të shkurtër, armiku u thye dhe myslimanët zunë një sasi plaçke të mirë.

Qëllimi kryesor i të gjitha këtyre fushatave ishte të paralajmëronte dhe të ndëshkonte fiset që bashkëpunuan me jehudinjtë në Khaibar, si edhe të shpërndante beduinët agresivë, që nuk bënin tjetër veçse të rrëmbenin e të grabitnin pasurinë e të tjerëve.

 

Kryerja e Umres të lënë mangut

 

Sipas kushtit të marrëveshjes së Hudeibijes, këtë vit, Profeti i madhërishëm a.s. do të kryente Umren, të cilën, sikurse dihet,  nuk arriti ta bënte një vit më parë. Profeti i mëshirës a.s. u nis për Umra, në muajin Dhil Kadah të vitit 7 të Hixhrit, 27] me 2.000 Shokë të devotshëm të tij. Gjithë këto shtatë vjet, ai nuk e kishte parë me sytë e vet, Mekën. Tani, kishte ardhur rasti. Ai dhe Shokët e tij nuk kishin marrë armë me vete, me përjashtim të thikave të udhëtimit, edhe ato , në këllëfë. Sipas marrëveshjes, jobesimtarët e zbrazën qytetin. Shokët ishin të mbushur me ndjenja gëzimi e lumturie. Myslimanët zbritën për në Mekë përmes rrugës nga veriu. Abdullah bin Rawaha mbante në dorë kapistallin e Kaswas, devesë së Profetit të ndritur a.s., kurse të gjithë të tjerët e ndiqnin nga prapa, në këmbë. Ëndrra e Profetit të lartë a.s. po realizohej; pa dyshim, shpallja e Allahut përmban të vërtetën më të qenësishme:

“Allahu e përmbushi me të vërtetë vizionin e të Dërguarit të Tij, i cili kishte thënë: ‘Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike’.”   (XLVIII: 27)

 

Ndërsa ai po kthehej, pas periudhës treditore, u ndeshën me një ngjarje prekëse. Vajza jetime e Hazreti Hamzasë e thirri Profetin e mëshirës a.s., “xhaxha, xhaxha”, 28] megjithëse ai ishte vetëm kushëri i saj, por këtë e bënte nga respekti. Hazreti Aliu e mori në krahë, por më vonë, ajo vazhdoi të mbetej nën kujdesin e hasreti Asmasë, tetos së saj, sepse Hazreti Xhafar dhe Hazreti Zaid bin Harith ishin bijtë e xhaxhallarëve të saj.

 

Pranimi i besimit nga Khalid Bin Walid, Amr bin As dhe të tjerë

 

Shpejt, pas largimit të Profetit të madhërishëm a.s., Khalid bin Walid, gjenerali i kalorësisë kurejshe, deklaroi se ai kishte kuptuar të vërtetën e Muhamedit a.s., prandaj, ai do ta pranonte Islamin. Ikrima dhe të tjerë u përpoqën ta ndalonin nga ky veprim, por më kot; ai nuk donte të dëgjonte askënd. Kur e mori vesh Abu Sufjani vendimin e tij, u tërbua nga zemërimi dhe deshi ta sulmonte Khalidin, por ndërhyri Ikrima, që i tha: “Ti do ta vrasësh për atë që do të bëjë, në një kohë që të gjithë kurejshët kanë të njëjtin mendim si ai? Për Zotin, kam frikë se po ta bëni këtë, të gjithë kurejshët do të emigrojnë në Medine”. Duke e parë veten se shihej si i padëshiruar në Mekë, Khalidi emigroi në Medine dhe u bashkua me myslimanët. Amr bin As dhe Uthman bin Talha, gjithashtu, emigruan në Medine, në të njëjtën kohë. Sipas Ibn Sad, këto ndodhën më datën 1 të muajit Safar të vitit 8 të Hixhrit. 29]

Aty nga fundi i vitit të shtatë të Hixhrit, Islami ishte vendosur, tanimë, dhe mund të thuhej se ishte vetëm çështje kohe, kur ai do të ngrihej dhe do të linte në hije të gjitha fetë e tjera, sikurse deklarohet në Kuranin e shenjtë:

“…si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.”   (XLVIII: 29]

 

Patrulla e Ibn Abi Awxha

 

Sipas Ibn Sad, 30] Profeti Muhamed a.s., në muajin Dhul Hixhah të vitit 7 të Hixhrit, dërgoi Ibn Abi Awxha në krye të 50 burrave në Bani Sulaim. Mes tyre u zhvillua një luftim dhe armiku u thye. Megjithatë, në vitin tjetër, banorët e fisit Banu Sulaim erdhën në Medine dhe e pranuan Islamin.

 

DISA NGA URDHËRESAT E SHPALLURA GJATË KËTIJ VITI

 

  • Gjatë betejës së Khaibarit, u ndalua përdorimi i mishit të gomarit shtëpiak.
  • Muta (martesa me kontratë) u deklarua e paligjshme (d.m.th., “Haram”).
  • Mishi i kafshëve mishngrënëse, gjithashtu, u shpall i paligjshëm (d.m.th., “Haram”).
  • Për një grua të divorcuar, ose të vejë, u caktua një afat kohor që duhej të përmbushej, përpara se ajo të mund të martohej, përsëri; hollësi të tjera, në lidhje me këtë veprim, jepen në librat e ligjeve islame.
  • Edhe për ndarjen e plaçkës së luftës, gjithashtu, u shpallën rregullat përkatëse, të pasqyruara edhe këto, në librat e ligjeve islame.

Martesa me zonjën Maimuna

 

Martesa me zonjën Maimuna ndodhi në Mekë, në kohën kur Profeti i Islamit a.s. ishte atje për Umren e lënë mangut, për të cilën është folur. Zonja Maimuna, motra e Um al-Fadal, bashkëshortes së Hazreti Abasit (Rad. A.), ishte e vejë. Ajo iu propozua Profetit të bekuar përmes Hazreti Abasit (Rad. A.). Duke e vlerësuar si një mjet për të vendosur marrëdhënie të mira me kurejshët, Profeti fisnik a.s. e pranoi propozimin. “Nikahu” (pagesa) u bë në Mekë, kurse martesa u konsumua në Sarf, rreth dhjetë milje larg nga Meka, gjatë rrugës për në Medine. 31]

(Shënim: Hollësitë rreth shkaqeve të të gjitha martesave të Profetit të ndritur a.s. jepen në Kapitullin XX të këtij libri).

 

Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”

Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së

 

  1. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.328; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.9; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.209; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.795.
  2. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.108.
  3. Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.484.
  4. Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.484. Gjithashtu, shih: “Tarik”, nga Jakubi (Vëll. II, f.56), sikurse citohet në “Siratun Nabi”.

Shënim: Ibn Ishak, Ibn Hisham, Ibn Abd al-Barr, al-Tabari dhe Ibn Khaldun e tj., e përmendin fortesën e Kamusit si “Fortesa e Ibn al-Hukaik”, d.m.th., se i përkiste këtij të fundit. Shih edhe: në Ishak, “Sirat Rasulallah” (Përkthim anglisht, “The Life of Muhammad” – Jeta e Muhamedit, nga Gijomë, f.511); Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.331; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.9; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.795; Ibn ‘Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.210; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil-Tarik”, Vëll. II, f.217.

E vërteta është se midis krerëve që shkuan në ekzil nga fisi Banu Nadir dhe erdhën në Khaibar, ishin Sallam bin Abd al-Hukaik, Kinana bin al-Rabi bin Abd al-Hukaik dhe Hujai bin Akhtab. “Kur shkuan atje, banorët iu nënshtruan atyre” (“Sirat Rasulallah”, përkthim anglisht, nga “The Life of Muhammad” – Jeta e Muhamedit, nga Gijomë, f.438; “Al-Sirat al-Nabawijah”, nga Ibn Hisham, Libri II, f.191). Përderisa Sallam bin Abd al-Hukaik, i njohur në përgjithësi, si Ibn al-Hukaik, shquhej mbi të gjithë, ai u bë kryetar i Kamusit, sundimtar i të cilit ishte luftëtari i madh, Marhab. Zonja Safije jetonte në këtë fortesë. Ajo ishte vajza e Hujai bin Akhtab dhe grua e Kinana bin al-Rabi bin Abd al-Hukaik (“Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, f.331).

  1. Sahih al-Bukhari”, (Kitab al-Maghazi, Kapitulli: Ghazwatu-Khaibar).
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.330. Shibli Numani. “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.485-486.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.334; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.110; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.12; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.211, 212; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil-Tarik”, Vëll. II, f.219.
  4. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.112; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.13; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.112; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.212, 213; Ibn Kathir, “Al-Bidaja wal-Nikaja”, Vëll. IV, f.187.

Shënim: Ibn Ishak, Ibn Hisham dhe të tjerë thonë se Muhamed bin Muslima e pranoi sfidën e Marhabit dhe e vrau atë: Ibn Ishak, “Sirat Rasulallah” (Përkthim anglisht, “The Life of Muhammad” – Jeta e Muhamedit, nga Gijomë, f.513); Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.333-334; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.10-11. Por te “Sahih Muslim”, emri i Aliut përmendet qartë në këtë luftim – “Sahih Muslim” (Kitab al-Xhihad wal-Sijar, Hadithi nr.1807); gjithashtu, shih edhe: “Zad al-Ma’ad”, Vëll. I, f.392.

  1. Sahih Muslim” (Kitab al-Xhihad wal-Sijar).
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.337; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.114; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.214; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.15.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.338; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.15; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.217.
  4. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.107; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.493; Bukhari, gjithashtu, e ka cituar këtë incident, nën autoritetin e Abu Hureiras: “Sahih al-Bukhari” (Kapitulli: al-Shat al-lati sommat lin-nabiji, Sallallahu Alaihi wa Sallam bi-Khaibar).
  5. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. III, f.353.
  6. Muxhim al-Buldan” (fjala “Kura”). Gjithashtu, shih: “Siratun Nabi”, nga Shibli Numani, Vëll. I, f.502.
  7. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.116.
  8. Për hollësi të tjera, lidhur me këtë, shih kapitullin XX të këtij libri: “Zonja Safije (Rad. A.)”.
  9. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.339.

(Shënim: Ibn Hisham thotë se martesa ndodhi ose në Khaibar, ose gjatë rrugës së kthimit, në Medine).

Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.116.

  1. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.116; gjithashtu, shih: “Al-Sirat al-Nabawijah”, nga Ibn Hisham, Vëll. II, f.340.
  2. Ibn Kathir, “Al-Bidaja wal-Nihaja”, Vëll. IV, f.212.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.336; Ibn Kathir, “Al-Bidaja wal-Nihaja”, Vëll. IV, f.197.
  4. Po ajo.
  5. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.359.
  6. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.117.
  7. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.117-118.
  8. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.118.
  9. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f. 119.
  10. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri III, (Vëll. 3 & 4), f.370; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.120; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.23; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.221.
  11. Sahih al-Bukhari” (Kitab al-Maghazi, Kapitulli: Umratul-Kada).
  12. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.252.
  13. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.123.
  14. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. VIII, f.132.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version