Kreu Bota Jone YMETI IM ËSHTË SIKURSE SHIU I FRYTSHËM, NUK DIHET A ËSHTË MË...

YMETI IM ËSHTË SIKURSE SHIU I FRYTSHËM, NUK DIHET A ËSHTË MË I MIRË FILLIMI APO FUNDI I TIJ

0

Allahu i Madhërishëm në Kur’an shpalli:

Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (Err – Rra’d, 11)

Ky është ajet të cilin myslimanët e dëgjojnë për çdo ditë nga minberët e xhamive tona si dhe në raste të tjera, dhe ky shtron rregullin kur’anor në të cilin ofrohet zgjidhja dhe dalja nga të gjitha krizat dhe sprovat.

Mesazhi i parë i kësaj të vërtete kur’anore është se gjendja e bollëkut, mirëqenies, lumturisë dhe suksesit nuk mund të ndryshojë, derisa ata që jetojnë në këtë mirëqenie nuk ndryshojnë, përderisa vetë nuk i groposin themelet e jetës së lumtur dhe të mirë. Por, po ashtu nëse gjendja jonë është negative, nëse kalojmë nëpër kriza të ndryshme, vuajtje, sprova dhe intriga, Allahu edhe këtë gjendje nuk do ta ndryshojë derisa ne nuk ndryshohemi, derisa nuk ndërmarrim hapat që nënkuptojnë zgjimin nga gjumi, i cili kupton gatishmërinë për sakrificë në emër të idealeve të larta, gatishmërinë e luftës për liri, drejtësi, të vërtetën, dhe gatishmërinë që të bëhemi të durueshëm deri te qëllimet e larta dhe që asnjëherë të mos humbim shpresën në mëshirën e Allahut dhe fitore.

Mesazhi i dytë i këtij ajeti është që ndryshimi për të cilin flet Kur’ani vjen nga brenda, e kurrsesi nga jashtë. E kjo d.m.th. që krizat politike, ekonomike, morale, etj., nëpër të cilat ne po kalojmë si ymet, pastaj armiqësia, krimet, okupimi i vendeve myslimane, vrasjet masive të fëmijëve, grave dhe pleqve, shfrytëzimi i të mirave të myslimanëve, intrigat e armiqve sikurse nyjet e shejtanit që vijnë njëra pas tjetrës e të cilave nuk u shihet fundi, nuk do të zhduken përderisa myslimanët nuk ndryshojnë nga brenda, përderisa nuk e ndryshojnë marrëdhënien e tyre me Allahut, me njëri-tjetrin dhe me jetën në përgjithësi.

Mesazhi i tretë, që transmeton ky ajet, është fakti se njeriu vërtet është i aftë që të bëjë ndryshime, që të ndryshojë gjendjen e jetës së tij, ngase sikur njeriu të mos e kishte këtë mundësi, atëherë as dërgimi i pejgamberëve të Allahut nuk do të kishte kuptim dhe në këtë rast çdo formë e veprimit njerëzor dhe përpjekje do të ishte e kotë. Nëse njeriu nuk është i aftë të ndryshojë ambientin ku jeton, atëherë përse mëson, studion dhe hulumton?! Vetëm për arsye se njeriu është vërtet i aftësuar të bëjë ndryshime dhe të ndikojë në rrjedhat e jetës, Allahu dërgoi pejgamberë dhe shpalli libra.

Mesazhi i katërt është që mundësia e ndryshimit është pjesë e besimit dhe bindjes personale. Ne nuk mundemi të ndryshojmë asgjë nëse nuk jemi të bindur që kemi mundësi për këtë dhe nëse nuk kemi dëshirë që të ndryshojmë gjërat për të mirë.

E pamundur është vetëm ajo që nuk dëshirojmë ta bëjmë.

Problemi i myslimanëve të sotëm është pikërisht ajo që jeta jonë është e shënuar me inerci, pasivitet, oportunizëm dhe fatalizëm. Edhe pse fatalizmi është i huaj në Islam, për shumicën e myslimanëve sot, për shkak të moskuptimit të Kur’anit dhe synetit, është karakteristikë e lënies dhe dorëzimit të fatit, shikimit pesimist të realitetit, dorëzimit pa luftë, pritjes që fitorja dhe suksesi të vijë nga qielli, nga vetvetja, ndërsa nuk kemi ndërmarrë asgjë hap deri te kjo dhe kurrsesi nuk interesohemi për ndryshim, por vetëm dëshirojmë fuqishëm që të zgjidhim problemet dhe të bëhet më mirë, ndërsa këto janë vetëm dëshira boshe dhe fantazi.

Një njeri i ka thënë Ibn Sirinit: “Kam ëndërruar duke notuar në pishinë pa ujë dhe duke fluturuar pa krahë. Çfarë do të thotë kjo? Ibn Sirini iu përgjigj: ‘Ti je njeri i cili fantazon shumë.’”

Fantazia dhe shpresa nuk janë dy gjëra të njëjta. Ai i cili vetëm fantazon, ai vetëm i dëshiron të gjitha të mirat e kësaj bote pa punë dhe pa përpjekje. Ndërsa për ata që nuk fantazojnë, por shpresojnë në bazë të veprave reale, Allahu thotë:

      Kush shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurim ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd.” (El – Kehf, 110)

Transmetohet që Shekik Belhi kërkoi nga shejhu i tij, Ibrahim Edhemi, që ta lejojë të udhëtojë për tregti, dhe shejhu e lejoi. Në rrugën e tij tregtare, Shekik Belhi pa një zog të verbër dhe me krahë të thyer. U ul dhe filloi të mendojë:

– “A thua si ushqehet ky zog, si jeton kështu në këtë vend?” Nuk kaloi shumë kohë dhe fluturimthi erdhi një zog tjetër dhe i solli ushqim. Shekiku u çudit nga kjo skenë dhe i tha vetes:

– “Kur Allahu kujdeset për furnizimin e këtij zogu në shkretëtirë, përse të lodhem e të merrem me tregti në këtë moshë?” Dhe u kthye në shtëpi. Kur e vizitoi shejhun, ai e pyeti përse u kthye, ndërsa Shekiku ia rrëfeu tregimin për zogun e verbër me krahë të thyer dhe tjetrin që e ushqeu, dhe vendimin e tij për t’u kthyer, ngase ja, Allahu i jep furnizim atij zogu, dhe do t’i japë edhe atij. Ibrahim Edhemi i tha: “I mjeri ti, o Shekik! Përse nuk zgjodhe të jesh zogu i shëndoshë, i cili përpiqet dhe lodhet e pastaj i sjell familjes së tij dhe u shërben atyre përreth, por zgjodhe të jesh zogu i verbër të cilin duhet ta ushqejnë të tjerët?! A thua nuk ke dëgjuar se Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Dora e lartë është e mirë se e poshtmja’.”

Omeri, r.a., thoshte: “Askush nga ju mos të ulet duke pritur rrëskun e duke u lutur ‘O Allahu im, më furnizo!’ Ju e dini mirë se nga qielli nuk bie floriri dhe argjendi.”

Problemi qëndron se shumë myslimanë sot presin ditën kur do të zgjohen duke parë sesi Allahu i ka dënuar dhe mposhtur armiqtë e Islamit dhe myslimanët do të fillojnë jetën e tyre në qetësi, rehati, paqe, liri e prosperitet të përgjithshëm.

Problemi është po ashtu që nga brenda jemi të mposhtur dhe e dekurajojmë dhe e nënçmojmë veten, dhe që justifikohemi me pretendimet si: populli është i prishur, mediat të prishura, shoqëria është në greminë dhe shkatërrim, nuk ka shpëtim për ne, ngase ne jemi gjenerata më e keqe e ymetit islam.

Ata të cilët mendojnë kështu për gjeneratën aktuale të myslimanëve, para se gjithash duhet të dinë se kjo nuk është e vërtetë dhe në gjeneratat e myslimanëve të sotëm ka shumë të mira, e pastaj kjo është në kundërshtim me thënien e Pejgamberit a.s.:

Ymeti im është sikurse shiu i frytshëm, nuk dihet a është më i mirë fillimi apo fundi i tij.” (Tirmidhiu)

Dijetarët kanë thënë: “Njeriu nuk do të ndryshojë nëse nuk ka dëshirë të ndryshohet qoftë edhe nëse lexon me mijëra libra dhe arrin titujt më të lartë shkencorë.”

Vendimi dhe dëshira që të ndryshohet gjendja jonë dhe besimi që kjo mund të ndodhë, janë supozime kyç për reforma dhe ndryshime. Kur besimtari kupton se me ndihmën e Allahut nuk ekzistojnë gjëra të pamundura, nuk ekzistojnë situata të pamundura, atëherë ndryshimi do të vijë, sepse e pamundur është vetëm ajo që nuk dëshirojmë dhe nuk duam ta bëjmë.

Abdusamed Bushatliq

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version