Ajete, hadithe dhe urtësi për Ramazanin

 

Ajete

Allahu i Madhëruar thotë:

“O ju që keni besuar. Agjërimi ju është bërë obligim, ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm.” (Kur’an, 2:183)

 “Muaji i Ramazanit në të cilin filloi të shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i së vërtetës nga gënjeshtra.” (Kur’an, 2:185)

 “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ku e di ti se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” (Kur’an, 97:1-3)

Thënie profetike

Profeti Muhamed a.s. ka thënë:

“O njerëz, po ju afron një muaj i madh, një muaj i begatë. Në të ndodhet Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Zoti e bëri obligim agjërimin e tij dhe faljen e teravisë e bëri të pëlqyeshme. Ai që gjatë këtij muaji kryen një obligim fetar, shpërblehet sikur ka kryer 70 të tillë. Kurse ai që kryen një punë vullnetare, shpërblehet sikur ka kryer një detyrë fetare. Ai është muaji i durimit dhe durimi shpërblehet me Xhenet…”

“Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet që ka kryer më parë.”

“Kur hyn nata e parë e Ramazanit, lidhen djajtë dhe xhindet, mbyllen portat e xhehenemit dhe nuk hapet asnjëra prej tyre, hapen portat e xhenetit dhe nuk mbyllet asnjëra prej tyre. Një thirrës thërret çdo natë: O ti që e do të mirën, afrohu! O ti që e do të keqen, frenohu! Allahu liron njerëz nga zjarri për çdo natë të Ramazanit.”

“Vërtet xheneti ka një portë që quhet Rejan. Ditën e Gjykimit do të thirret: “Ku janë agjëruesit (për t’u futur nga kjo portë)?” E pasi të futet edhe njeriu i fundit i tyre, kjo portë do të mbyllet.” 

“I mjerë është ai njeri që e arrin Ramazanin dhe del prej tij pa iu falur gjynahet.”

“Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në mirësi për sa kohë që e shpejtojnë iftarin.”

 “Ushqehuni në syfyr, sepse në të ka bereqet.”

 “Ai që ushqen një agjërues, do të ketë si shpërblimi i tij, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.”

“Ai që nuk i lë gënjeshtrën dhe shpifjen, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të largohet nga ushqimi dhe pirja.”

“Era e gojës së agjëruesit është më e dashur për Allahun sesa era e miskut.”

Profeti a.s. në kohën e iftarit lutej duke thënë:

“U largua etja, u njomën venat dhe u vërtetua shpërblimi, me lejen e Allahut.”

“(Në botën tjetër) Agjërimi do të thotë: “O Zot, unë e ndalova atë nga ushqimi dhe kënaqësitë gjatë ditës, prandaj pranoje ndërmjetësimin tim për të.”

“Agjërimi është mburojë, prandaj kur ndonjëri prej jush vendos të agjërojë, nuk duhet të flasë fjalë të pahijshme e as të ngrejë zërin duke debatuar. Nëse dikush e sulmon ose e fyen, le t’i thotë: Unë jam agjërueshëm.”

“Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”

“Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet e mëparshme.”

Profeti a.s. na ka mësuar të lutemi gjatë këtyre netëve:

“O Allah, vërtet Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj më fal mua.”

 “Agjëruesi ka dy momente gëzimi: kur çel iftarin dhe kur ta takojë Zotin e tij.”

“Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë nga muaji Sheual, shpërblehet sikur ka agjëruar gjithë vitin.”

Urtësi

“Askush nga ne nuk guxonte ta priste Ramazanin e në zemrën e tij të kishte qoftë edhe një thërrmijë urrejtje për vëllain e tij mysliman.”

Abdullah bin Mes’udi

“Kur të agjërosh, le të agjërojë së bashku me ty, dëgjimi yt, shikimi yt dhe gjuha jote, pra largohu nga gënjeshtra dhe mëkatet.”

Xhabir bin Abdullah

“Shërimi i zemrës konsiston në pesë gjëra: në leximin e Kur’anit dhe në hulumtimin e ajeteve që lexon, në agjërim, në faljen e namazit të natës, në kërkimin e faljes gjatë kohës së syfyrit dhe në uljen me njerëzit e devotshëm.”

Ibrahim el Hausi

“Askush nuk do ta arrijë gradën e mirësisë vetëm duke agjëruar dhe duke u falur shumë, por do ta arrijë edhe me bujarinë, me pastërtinë e zemrës dhe me këshilla të dobishme ndaj njerëzve.”

Fudejl bin Ijadi