Sprova
Një hebre, me qëllim për të sprovuar Profetin (a.s.), i afrohet duke treguar një ushqim që mbante në dorë:
– O profeti islam, e pyet. A është ky rrizku im?
Hebreu, nëse do të merrte përgjigjen “po”, do ta hidhte atë pa e ngrënë dhe nëse Profeti (a.s.) do t’i përgjigjej “jo”, ai do ta hante, dhe gjoja me këtë veprim do të tregonte zgjuarsinë e tij.
Kësaj pyetje me këtë qëllim Profeti (a.s.) iu përgjigj pa hezituar:
– Nëse e han, është rrizku yt.
Çdo të thotë devotshmëri?
E pyetën një herë Ebu Hurejren se çdo të thotë “devotshmëri”.
– A keni kaluar ndonjëherë në një rrugë me gjemba? i pyeti Ebu Hurejra. Po thanë ata, kemi kaluar. Çfarë bëtë kur kaluat? i pyeti përsëri.
– U ruajtëm nga gjembat, iu përgjigjën.
– Edhe devotshmëria kështu është, të ruhesh nga mëkatet dhe gabimet.
Tregoni vendin ku nuk ndodhet
Një mësues materialist i thotë një nxënësi:
– Më thuaj ku është Allahu? Nëse e din do të jap një portokall.
Nxënësi i përgjigjet:
– Ju më tregoni mua vendin ku nuk ndodhet Ai, e unë të jap një kopësht plot me portokalle.
Mos kini droje
Një herë Shejh Shamili ishte burgosur nga rusët, të cilët e kishin lënë disa ditë pa ngrënë. Më pas, e nxjerrin dhe i servirin për të ngrënë. Një gjeneral rus, duke ekzagjeruar oreksin e tij, i thotë:
Friksohem se mos më hani edhe mua! Shejh Shamili ia kthen:
– Mos u shqetësoni zotëri. Në fenë tonë është e ndaluar ngrënia e mishit të derrit.
Është e vështirë por e bukur
Kur e pyetën njëherë Xhunejd Bagdatin se “ç’është durimi”, ai iu përgjigj:
– Të përtypësh dhimbjen pa e ngrysur fytyrën.
Bën edhe më të vështirën
Kur u pyet Aliu (r.a.): “Si do t’i marrë në llogari Allahu gjithë këta njerëz”?! Ai i ktheu përgjigje në këtë mënyrë:
– Ashtu si u jep rrizkun.
Gjeli brënda nesh
Djali: – O baba, i thotë. Më merr një gjel, që të këndojë në mëngjes dhe të më zgjojë për faljen e namazit të sabahut. Babai: – Biri im, i përgjigjet. Po nuk këndoi gjeli yt brënda teje, kujton se do të vlejë këndimi i gjelit jashtë?
Ku e ke pasurinë
Një njeri i thotë Hasan el-Basriut: “Unë kam frikë nga vdekja dhe nuk e dua atë”. Atëhere ai ia kthen:
– Nuk e don vdekjen se e ke lenë mbrapa pasurinë, po ta kishe dërguar pasurinë përpara (në botën e amshueshme) do të doje t’i shkoje pas.
Përgjigje kalorësit
Kur Profeti (a.s.) po i shërbente shokëve të tij, nga larg vjen një kalorës dhe pyet:
– Kush është zotëria e këtij populli? Po kërkoj atë.
Profeti (a.s.) nuk iu përgjigj “Unë”, me qëllim që të mos kuptohet si mëndjemadhësi. Duke qenë se në atë moment ishte në shërbim të shokëve të tij, iu përgjigj në një mënyrë, që do të jehonte për shumë shekuj:
– Zotëria e një populli është ai që i shërben atij.
Punë e paqme
E pyetën Mehmet Akifin kur u kthye nga Berlini:
– Ç’kishim andej nga Berlini profesor?!
I përgjigjet në këtë mënyrë:
– Me sa pashë, punët e tyre ishin të plota, si feja jonë, ndërsa feja e tyre ishte e kalbët, si punët tona.
Nuk kalohet pa provim
Mësuesi për t’i ngatërruar mëndjet nxënësve i thotë:
– Fëmijë! Allahu duke dashur që të gjithë ne të shkojmë në xhenet, pse na dërgoi në këtë botë?!
Një nxënës i përgjigjet kështu kësaj pyetjeje:
– Mësues! Sigurisht që ju doni të kalojmë klasën. Atëherë pse nuk na vendosni të gjithëve një notë kaluese, po na bëni provim?!
Vllazërim gjumi
Meulana Xhelaleddin Rumi, duke ecur me një nga nxënësit e tij, shikojnë në buzë të rrugës disa qenë që po flinin të qetë.
Nxënësi i thotë:
– Një shembull i mirë vëllazërimi! Sikur njerëzit të merrnin mësim nga këta!
Meulana, ia kthen duke buzëqeshur:
– Hidh njëherë një kockë mes tyre dhe shikoje pastaj vllazërimin.
Hipokritët
Mehmet Akif Ersoj u zemëronte shumë ndaj njerëzve me dy fytyra. Një ditë i tha një shoku:
– Po filloj t’i dua tani njerëzit me dy fytyra, sepse gjatë jetës, po shikoj se ka njerëz edhe me njëzet fytyra.
Opinioni
Një student, duke biseduar me një personalitet islam i thotë:
– Mua më mjafton një vend i vogël në xhenet! Atëherë mendimtari mysliman ia kthen:
– Sikur të kishe për këtë botë, të njëjtin mendim që ke edhe për botën e amshueshme!
Njerëz shembullor
Një prej shokëve të Muhamedit (a.s.) i afrohet Ebu Bekrit (r.a.) dhe i thotë:
– Jam shumë mëkatar. Lutju Zotit për mua. Ebu Bekri i thotë:
– O Zot! Një mëkatar, kërkon prej një tjetri dua. Fali që të dy.
A nuk të mjafton?
Një i ri, duke u entuzjasmuar nga ngjarjet e mrekullueshme të ndodhura në kohën e Profetit (a.s.) thotë:
– Sikur të isha deveja e profetit Muhamed (a.s.)! Ali Suadi i përgjigjet:
– A nuk të mjafton të jesh ymeti i tij?!
Përktheu: Dorian Demetja