Qëllimi më i lartë

 

Njeriu fisnik, njeriu i sinqertë, nuk pranon që t’i kalojë jeta kot. Ai përpiqet ta kurorëzojë atë me vepra të mira, sepse nuk bën pjesë në kategorinë e atyre që, me duar në xhepa, e kalojnë jetën pa punë; nuk bën pjesë ndër ata që, duke u nisur nga motive egoiste dhe lakmia për pasuritë e kësaj bote, janë të gatshëm të shkelin edhe mbi njerëzit e tjerë.

Qëllime ka shumë. Njerëzit orientohen në jetë sipas prirjeve të tyre, por për besimtarin Allahu ka caktuar një qëllim të lartë. E ky qëllim është: adhurimi i pastër ndaj Allahut; të qenët plotësisht njeri i drejtë dhe i sinqertë; të pasurosh shpirtin tënd në shkallën më të lartë.

Hapësirat për përsosmërinë e shpirtit janë të pakufizuara. Puna, kujdesi, vullneti i fortë, dashuria ndaj diturisë e të mësuarit, mëshira, vetëmohimi e çdo gjë që kryhet në emër të Allahut – janë disa nga fushat nëpërmjet të cilave njeriu arrin qëllimin e lartë. Njerëzit që jetojnë pa një ideal, janë larg qëllimeve të vërteta jetësore.

Besimtari njeh jetën e bukur plot qëllime të larta e fisnike, jetën madhështore. Vdekja njerëzore nuk është vdekje. Ajo është vetëm kalim në një botë tjetër, kalim drejt takimit me më të dashurin, me Allahun, Krijuesin tonë. Ibn Sina ka thënë: “Ai që e njeh të vërtetën është guximtar. E si të mos jetë i tillë kur është i kursyer nga frika e vdekjes?! Është shpirtmirë. E përse të mos jetë, kur qëndron larg të pavërtetës?! Ai fal shumë. E përse të mos falë, kur shpirti i tij qëndron mbi atë që mund ta lëndojnë lajthitjet e njerëzve?!”

Dikush me të drejtë mund të pyesë: Përse i gjithë ky mund, përse e synojmë këtë qëllim?

Besimtari përgjigjet: Në rrugën e Allahut, për të pasuar të vërtetën, njeriun e presin shpërblime të mëdha në këtë botë dhe në jetën tjetër. Nëse njeriu fiton mëshirën e Allahut, atëherë kur shpirti në momentin e vdekjes i dorëzohet me dëshirë Allahut, para tij hapen mundësi të mëdha.

Thirrja për virtyt e sjellje të mira dhe synimi për përsosjen e shpirtit, ka qenë kauzë e të gjithë profetëve. Të gjithë ata janë dalluar për veti të tilla. E si mund të hiqet dorë gjatë përpjekjeve në këtë jetë nga këto cilësi, kur dihet se pas këtij qëllimi fisnik kanë rendur të gjithë njerëzit e ndershëm, njerëzit e mirë e shpirtgjerë; kur dihet se veset dhe sjelljet e këqija janë helm, që e mbysin dhe e largojnë njeriun nga Allahu, e largojnë nga çdo e mirë tjetër?!