“Allahu im! Na i bëj të bekuara Rexhepin dhe Shabanin dhe na e bëj të bekuar muajin e Ramazanit”[1]
Begatitë e Allahut ndaj robërve të tij janë të mëdha e të panumërta, siç thotë edhe në Kur’an: “Nëse ju doni t’i numëroni begatitë e Allahut ndaj jush, nuk do të mund t’i numëroni”[2] Ndër këto begati të panumërta ekzistojnë edhe periudha të veçanta në të cilat njerëzit vepërmirë i shtojnë veprat e mira. Në kushtet e zakonshme, mes kohëve të ndryshme nuk ka ndonjë dallim dhe përparësi. Ndërkaq, disa kohë kanë fituar veçanti dhe vlerë ngaqë janë bërë skenë e disa ngjarjeve me rëndësi në fenë Islame. Vlerësimi i disa aspekteve të kohës në Islam është një mënyrë që begatia dhe mirësia e pafund e Zotit të mbërrijë tek myslimanët.
Sipas kalendarit hënor, që ka si pikënisje hixhretin e profetit Muhamed (s.a.s.) (hixhri), muajt Rexhep, Shaban dhe Ramazan janë muaj shumë të dobishëm dhe të bekuar. Të gjitha netët e mira veç Natës së Mevludit, si Nata e Regaibit, Nata e Israsë dhe Miraxhit, Nata e Beraetit dhe Nata e Kadrit, ndodhen brenda këtyre tre muajve. Allahu i Lartë ndër muajt ka zgjedhur muajin e Ramazanit, ndër netët natën e Kadrit, ndër vendet Mekën, ndër njerëzit Hz. Muhamedin (a.s.) dhe ndër ditët ditën e Xhuma. Muaji Rexhep cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji i Ramazanit si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve.
Profeti Muhamed (a.s.) në lidhje me këta muaj ka thënë: “Rexhepi është një muaj i madh. Të mirat në këtë muaj Allahu i shumfishon”[3]. Pas muajit të Rexhepit vjen muaji i Shabanit. Hz. Aishe (r.a.) thotë: “Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut të mbajë më shumë agjërim se sa në muajin e Shabanit”[4]. Transmetohet nga Enes b. Malik se Profeti (a.s.) pyetet: O i dërguari i Allahut! Në cilin muaj është agjërimi më i mirë përveç Ramazanit? Pejgamberi përgjigjet: “Për nder dhe respekt të Ramazanit është agjërimi i mbajtur në muajin Shaban”[5]. Ndërsa Allahu (xh.sh.) për muajin e Ramazanit ka thënë: “Ramazani është muaji në të cilin u zbrit Kur’ani, si një udhëzim për njerëzimin dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)”[6]. Profeti Muhamed (s.a.s.) në lidhje për këtë muaj të bekuar thotë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe bindje, i falen të gjitha mëkatet e tij”[7]. Dijetari i madh dhe i shquar Bediuzaman Said Nursi për këta muaj thotë: “Shpërblimi i çdo të mire, nëse në kohë të tjera është dhjetë, në muajin Rexhep është njëqind, në muajin Shaban më shumë se treqind, në Ramazan ngjitet në njëmijë, në netët e Xhumave shkon me mijëra dhe në natën e Kadrit ngjitet në tridhjetëmijë”[8].
Njeriu në jetën e tij herë pas here hyn në një proces ndryshimi. Dhe është tepër e rëndësishme që drejtimi i këtij ndryshimi të kthehet kah e mira, e dobishmja dhe e drejta. Pikërisht tre muajt e bekuar na hapin dyert dhe na ndihmojnë duke u bërë shkas për një ndryshim pozitiv në jetën tonë. Ata kanë një shije të vetën, e cila i veçon ata nga muajt e tjerë. Secili nga muajt ndjehet me ndjenjat tona të dukshme, ndërsa këta të tre, ndjehen me zemër dhe ndjenja mjaft të thella. Jo më kot Profeti (a.s.) e cilëson muajin Rexhep të Allahut, sepse është muaji i faljes, amnistisë nga Zoti. Ndërsa muajin Shaban e cilëson të tijin, sepse është muaji i shefaatit, ndërmjetësimit të Profetit për falje. Dhe muajin e Ramazanit e cilëson të ymetit të tij, sepse është muaji i shtimit të mirësive të Zotit.
Dijetarët myslimanë janë të mendimit që këto kohë të bekuara të kalohen me adhurime dhe lutje të llojeve të ndryshme. Gjatë këtyre muajve myslimanët falenderojnë Allahun që u ka dhënë mundësi t’i vlerësojnë dhe t’i përjetojnë ato me shëndet, falin namaz, agjërojnë, këndojnë ose dëgjojnë Kur’an, e përmendin Allahun dhe meditojnë, luten për mëshirë dhe paqe për Profetin (a.s.). Ata ndjekin predikime e këshilla, bëjnë vetëllogari dhe kalojnë nëpër sy të metat e gabimet duke bërë pendesë për mëkatet. Me këtë rast myslimanët u japin fund zemërimeve dhe mërive që mund të kenë me të tjerët dhe ndjenjat vëllazërore i zhvillojnë më tej.
Dorian Demetja
[1] Ahmed
[2] Ibrahim, 34
[3] Taberani
[4] Muslim
[5] Tirmidhi
[6] Bekare, 185
[7] Buhari, Muslim
[8] Said Nursi, Şualar, 416