VITI IX – HIXHRI

0

VITI I NËNTË I HIXHRIT

 

DISA MISIONE VËZHGUESE TË VOGLA NË FILLIM TË VITIT TË NËNTË TË HIXHRIT

 

  • Misioni vëzhgues i Ujainah bin Hisn në Bani Tamim

 

Në muajin Muharrem të viti 9 të Hixhrit, një grup i vogël prej 50 vetësh, nën komandën e Ujainah bin Hisn al-Fazari, 1] u dërgua te Bani Tamim. Myslimanët e sulmuan armikun dhe, pas një luftimi të shkurtër, kapën si robër njëmbëdhjetë burra dhe po aq edhe gra, si dhe tridhjetë të rinj. Ata zunë, gjithashtu edhe një sasi plaçke, në formë bagëtish. Ata i sollën në Medine ku, me urdhër të Profetit të Islamit a.s., u mbyllën në shtëpinë e Ramlah bin Harith. Pas namazit të mbasdites (Zuhar Salat), Profeti Muhamed a.s. u ul ndenjur në dyshemenë e xhamisë së tij dhe vendosi që t’i lironte robërit. Në të vërtetë, gjatë kohës së faljes së mbasditës, gratë e burgosura përballë shtëpisë së Profetit të ndritur a.s., filluan të thërrisnin me zë të lartë, duke i kërkuar atij të ishte i mëshirshëm me të burgosurit. Me këtë rast, atij i zbriti kjo shpallje, si paralajmërim:

“Vërtet, ata që të thërrasin ty (o Muhamed) me zë të lartë nga jashtë dhomave të tua, shumica e tyre nuk marrin vesh. E sikur të duronin derisa ti të dilje jashtë tek ata, do të ishte më mirë për ata. Por Allahu është Falës dhe Mëshirues.”   (XLIX: 4-5)

 

  • Patrulla e Kutbah bin Amir, në Khatam

Në muajin Safar, Profeti Muhamed a.s. dërgoi Kutbah bin Amir bin Hadidah, në Khatam, në krye të njëzet vetëve. Aty u zhvillua një luftim, ku pati disa të lënduar, nga të dyja palët. Më në fund, si pësoi edhe një numër të varësh, armiku u thye. Myslimanët u kthyen në Medine me një sasi jo të vogël plaçkë lufte dhe robërish.

 

  • Misioni i Dahak bin Sufjan në Bani Kilab

Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi Dahak bin Sufjan, në krye të një batalioni të vogël, në Kurata, vendbanimi i bani Kilab, në muajin Rabi al-Awwal, të vitit 9 të Hixhrit. 2] Myslimanët shkuan atje dhe i ftuan banorët e atij vendi të pranonin Islamin. Ata, jo vetëm që e hodhën poshtë ftesën, por edhe i sulmuan myslimanët; megjithatë, në luftimin që u zhvillua, ata u mundën.

 

  • Fushata e Alkamah bin Muxhaziz kundër abisinasve

Në muajin Rabi al-Akhir, Profeti i lartë a.s. u vu në dijeni se një njësi trupash abisinase kishin kapërcyer Detin e Kuq për t’u bashkuar me arabët e Xhedas, kundër tij. Ai dërgoi një grup prej treqind luftëtarësh, nën komandën e Alkamah bin Muxhaziz. 3] Myslimanët arritën te një ishull i Detit të Kuq, ku armiku e kishte lënë si pikë takimi. Por armiku u detyrua ta braktiste fushën e luftës.

 

  • Misioni i Ali bin Abu Talib në Banu Tai

Në muajin Rabi al-Akhir, Ali bin Abu Talib u dërgua në krye të njëqind e pesëdhjetë burrave për të shkatërruar tempullin Fuls, që i përkiste fisit Banu Tai, 4] të cilët ishin të ndarë, në një pjesë prej tyre që praktikonin idhujtarinë, kurse pjesa tjetër besimin e krishterë. 5] Ai e kreu detyrën me sukses dhe u kthye që andej me shumë robër dhe plaçkë lufte.

Midis të burgosurve ishte, gjithashtu edhe vajza e Hatim Taji, një beduin arab i besimit të krishterë, shumë i përmendur për bujarinë e tij. Hatimi kishte vdekur shumë vjet më parë, kurse i biri i i tij, Adi, me të dëgjuar për misionin e Aliut, kishte ikur bashkë me familjen, në Siri. Kur vajzën e sollën para Profetit a.s., asaj jo vetëm iu fal liria nga Profeti i mëshirës, por edhe i dhanë një deve e gjithë sa i duheshin, si veshje e tjerë, dhe e lejuan të shkonte në Siri e të bashkohej me të vëllain. Ajo arriti atje me një karvan dhe, pas pak u kthye bashkë me të vëllain te Profeti i madhërishëm. Duke e parë karakterin e lartë të Profetit a.s., Adi përqafoi Islamin 6] dhe u caktua përsëri, si kryetar i fisit të vet.

 

  • Misioni i Ukashah bin Mihsin

Për këtë mision të Ukashah bin Mihsin në Xhinab, flitet edhe nga Ibn Sad. 7] Kjo ngjarje ka ndodhur në muajin Rabi al-Akhir, por të dhëna të tjera më të hollësishme, mungojnë në librin e tij.

 

NGJARJA E “ILA”-së (BETIMI)

 

Kjo ndodhi me rastin e një shqetësimi shtëpiak të Profetit të ndritur a.s., në fillim të vitit 9 të Hixhrit. 8] Si rezultat, Profeti i nderuar a.s. u betua se nuk do t’i vizitonte gratë e veta për tërë muajin. Ai u veçua prej tyre, krejtësisht.  Ai vazhdonte ta falte namazin me xhematë dhe kur e kryente atë, tërhiqej te një, si katua i pambuluar dhe nuk lejonte që ta takonte askush. Sipas disa historianëve, ai u betua, gjithashtu edhe se nuk do ta fuste në gojë mjaltin. Myslimanët menduan se ai ishte divorcuar prej tyre, por punët nuk kishin shkuar deri atje. Ai, vetëm po u jepte kohë atyre që të mendoheshin thellë për situatën e krijuar e të jepej mundësia që të ftoheshin xhelozitë e tyre. Profeti Muhamed a.s. nuk ua lejonte as njerëzve të vet të cilët i kishte përreth gjithmonë, që t’ia zinin me gojë problemin që kishte me bashkëshortet e veta. Myslimanët filluan të shqetësoheshin shumë për këtë incident. Megjithatë, me shumë vështirësi, Ymeri (Rad. A.) arriti të marrë vesh nga Profeti fisnik a.s., se ai nuk ishte ndarë përfundimisht nga gratë e veta. Atëherë, Allahu zbriti suren Al-Tahrim (Kapitulli 66 i Kuranit të shenjtë), e cila fillon kështu:

“O Profet! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu, duke kërkuar t’u bësh qejfin grave të tua? Allahu është falës dhe Mëshirëplotë. Allahu ka përcaktuar një mënyrë për t’u liruar nga betimet tuaja. Allahu është Mbrojtësi juaj; Ai është i Gjthëdijshmi, i Urti.”   (LXVI: 1,2)

Shumë shpjegime janë dhënë nga historianët rreth betimit të Profetit alejhi salam. Sipas Bukhariut, Profeti i Islamit a.s. hante mjaltë në shtëpinë e gruas së tij, Zainab. 9] Zonja Aishe dhe  dhe zonja Hafsa (Rad. A.) sajuan një plan si e si ta pengonin Profetin e ndritur a.s. që të shkonte në shtëpinë e Zainabit e të hante mjaltë. Kështu që, të dyja, veç e veç, kur e takuan atë, bënë të njëjtën vërejtje, sikur nga goja e tij ndjehej aroma e magafirit, lëngu i një lloj shkurreje, të quajtur rimth, në një kohë që ai kishte ngrënë mjaltë. Atëherë, Profeti i shenjtë a.s. u betua se nuk do të hante mjaltë. Vargu i cituar më sipër, u shpall me këtë rast.

Sipas disa historianëve të tjerë, 10] një ditë, ndërsa Hafsaja nuk ishte në shtëpinë e saj, zonja Marie i shkoi për vizitë Profetit të nderuar a.s. në atë shtëpi dhe qëndroi aty, për njëfarë kohe. Ndërkaq, zonja Hafsa u kthye, por asaj iu desh të priste për të hyrë në dhomën e saj, derisa zonja Maria të dilte që aty ku ishte, në shoqërinë e Muhamedit alejhi salam. Kjo gjë e zemëroi zonjën Hafsa dhe ajo arriti t’ia shkëpuste premtimin atij se, për një periudhë kohe, nuk do ta favorizonte Marien. Profeti fisnik a.s. e bëri atë t’i zotohej se nuk do ta bisedonte këtë ngjarje me gratë e tjera, por zonja Hafsa nuk mundi ta mbante sekretin; ajo s’mundi të rrinte pa u lavdëruar para zonjës Aishe (Rad. A.) për suksesin e saj. Për këtë incident aludojnë edhe vargjet e mëposhtme të sures Al-Tahrim.

 

“Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e hapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo. Kur i Dërguari ia tregoi asaj të fshehtën, ajo e pyeti: ‘E kush ta ka treguar ty?’ Ai i tha: ‘Ma tregoi i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari’. Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar, Allahu do t’ju falë. Nëse ju të dyja bashkoheni kundër tij, (dijeni se) Allahu është Mbrojtësi i tij, Xhebraili dhe besimtarët e mirë. Veç kësaj, edhe engjëjt e mbështesin atë. Në qoftë se ai ju ndan, Zoti i tij mund t’ju zëvendësojë me gra më të mira se ju: myslimane, besimtare, të bindura, të kthyera tek Allahu me pendim, adhuruese (të Allahut), agjëruese, të martuara më parë ose të virgjëra.”   (LXVI: 3-5)

Me fjalën “të dyja”, nënkuptohen zonja Hafsa dhe zonja Aishe (Rad. A.), të cilat sajuan skemën që përmendëm më sipër. Pas këtij incidenti, ata u penduan për mendjemadhësinë e tyre, tanimë dhe Allahu ua bëri të lehtë pendesën, me kusht që të mos e mërzitnin, në të ardhmen.

 

Mbledhja e Zakatit

 

Gjatë këtij viti, Profeti i Islamit a.s. organizoi mbledhjen e Zakatit nga të gjitha fiset që kishin përqafuar Islamin. Ai dërgoi një numër mbledhësish të Zakatit në fise të ndryshme. Zakati është një nga mjetet kryesore për të mbushur “Baitul Mal”, ose Thesarin Publik, që kontrollohej nga autoriteti qendror. Edhe urdhëresa për Xhizjen, gjithashtu, u shpall këtë vit.

 

EKSPEDITA E TABUKUT 11]

 

Me triumfin e Mekës, Islami vazhdoi përhapjen e tij me ritme shumë të shpejta, në tërë Arabinë, duke shënuar suksese të mahnitshme në procesin paqësor të konvertimeve. Shtetet e krishtera fqinje, sidomos, Perandoria e Madhe Romake vëzhgonin gjithë shqetësim e ankth këtë marshim triumfues të paprecedent. Ata u bënë xhelozë për këtë rritje të shpejtë e kërcënuese të Islamit. Në këto rrethana, ata menduan se një sulm i vendosur në Arabi, së paku, do ta pengonte këtë rritje të frikshme të Islamit. Për këtë qëllim, romakët, me udhëzimet e Heraklit, mblodhën një ushtri shumë të madhe.

Profeti i madhërishëm a.s. mori vesh përgatitjet për luftë kundër Islamit, nga ana e romakëve dhe e aleatëve të krishterë të tyre. 12] Prandaj, ishte e nevojshme mbrojtja dhe ruajtja e Islamit. Profeti Muhamed a.s. nuk mund të rrezikonte duke ndenjur në pritje, deri sa vendi të invadohej nga armiqtë. Ishte një verë shumë e nxehtë, të korrat nuk dukeshin të mbara; bile, të korrat e fundit kishin qenë shumë të ulëta. Njerëzit mezi e shtynin, sa për të ngrënë. Kurse zërat për pushtimin romak bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Për këtë arsye, Profeti i lartë a.s. urdhëroi të fillonin përgatitjet për t’u përballur me këtë rrezik. Ai dërgoi, gjithashtu, njerëzit e vet në tërë Arabinë, duke u  kërkuar ndjekësve dhe aleatëve të vinin e të bashkoheshin me të, në Medine.

 

Vuajtjet e udhëtimit

 

Udhëtimi për në Siri ishte jashtëzakonisht i gjatë dhe i vështirë; aq më tepër që ishte stina e verës dhe, pothuajse tërë ky udhëtim përshkohej nëpër shkretëtirën e Arabisë. Të nxehtët ishte i padurueshëm; përveç kësaj, ato pak të korra që ishin në ara, ishin në të pjekur dhe prisnin duart e njerëzve për t’i mbledhur e grumbulluar. Shumë nga të varfërit, megjithë gatishmërinë, nuk ishin në gjendje të siguronin kuajt ose devetë me pajisjet e domosdoshme për një udhëtim të tillë dhe as Profeti i nderuar a.s., gjithashtu, nuk mund të bënte gjë për ta. Hazreti Osmani dha për këtë ekspeditë një mijë dinarë 13] dhe, sipas disa historianëve, edhe 200 deve, po ashtu. Abu Bekri solli tërë pasurinë e tij dhe ia vuri në dispozicion Profetit të madhërishëm a.s.; edhe Ymeri dha gjysmën e pasurisë së tij.

Profeti i Islamit a.s. arriti të mblidhte një ushtri prej 30.000 vetësh dhe 10.000 kuajsh, 14] ushtria më e madhe që ishte parë ndonjëherë në Arabinë e asaj kohe. Ai u nis në muajin Rexheb, të vitit 9 të Hixhrit. 15] Duhet të vëmë në dukje, se shumë prej tyre ndjenin frikë të përballeshin me ushtrinë romake të disiplinuar dhe të stërvitur mirë. Ja, si flitet në Kuranin e shenjtë për këtë udhëtim tejet të mundimshëm:

“Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan, nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: ‘Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!’ Thuaju: ‘Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!’ Veç sikur të kuptonin!”   (IX: 81)

Profeti Muhamed a.s., la në Medine Hazreti Ali bin Abu Talib 16] që të kujdesej për familjet e myslimanëve dhe pasurinë e tyre.

 

Romakët tërhiqen në Siri

 

Pas një udhëtimi prej afro dy javësh, ushtria e myslimanëve e ngriti kampin te një vend, i quajtur Tabuk, midis Medines dhe Damaskut, në pritje të të dhënave rreth lëvizjeve të armikut. Romakët kishin spiunët e tyre nëpër tërë vendin, kështu që ata ishin në dijeni të plotë të përgatitjeve të Profetit të lartë a.s. për luftë dhe ishin të sigurt se ai kishte ardhur të ndeshej me ta, mes të tjerash, edhe për t’u hakmarrë për humbjet e myslimanëve në Mutta. Ata u tërhoqën menjëherë, pas kufirit të tyre. Qëllimi i Profetit të madhërishëm a.s. ishte të mbronte myslimanët dhe jo të pushtonte Sirinë, prandaj edhe nuk i ndoqi ata, më tej.

Një nga krerët e viseve që banonin gjatë kufirit, me emrin Xhuhana (Xhon, Gjon) bin Ruba i Ailas, erdhi e pranoi pushtetin e Profetit fisnik alejhi salam. Ai pranoi të paguante Xhizjen (taksë, në vend të shërbimit në luftë). Profeti i mëshirës a.s. nënshkroi me të një marrëveshje paqeje. 17] Gjithashtu, ai i solli edhe dhurata, ar e sende të tjera, në shenjë nënshtrimi ndaj Profetit të Islamit alejhi salam. Shembullin e tij e ndoqën edhe disa fise të tjera të krishtera, si Xhizba dhe Udhrah të cilët, gjithashtu, e pranuan pushtetin e Profetit të madhërishëm alejhi salam.

Si qëndroi aty, rreth njëzet ditë, Profeti Muhamed a.s. u kthye në Medine. Ekspedita e Tabukut bëri një përshtypje të thellë tek të gjitha fiset arabe për forcën fizike dhe shpirtërore të Islamit. Përfaqësi nga të gjitha pjesët e vendit vinin në Medine dhe e pranonin Islamin, gjë që shpuri, më në fund, që Islami të deklarohej si Feja e tërë Arabisë.

 

Demaskimi i hipokritëve dhe vdekja e Ibn Ubajit

 

Hipokritët, si rregull, ishin si thikë pas shpine për myslimanët. Ata ndërtuan një xhami të tyren, pak përpara se Muhamedi a.s. të nisej për në Tabuk. Ata mblidheshin te kjo xhami dhe bënin mbledhje sekrete, në të cilat thureshin plane kundër Profetit fisnik alejhi salam. Ata, bile, sajuan një lloj kurthi, sipas të cilit, Profeti i ndritur a.s. të kryesonte ceremoninë e hapjes së kësaj xhamie dhe ai të falte edhe namazin aty, mirëpo, Profeti i lartë a.s., pa ndonjë shkak të dukshëm, e shtyu atë për më vonë. 18] Atëherë, me anë të shpalljes, Allahu e vuri në dijeni për qëllimet e tyre të liga. Lidhur me xhaminë, aty thuhej:

“(Hipokritët) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: ‘Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë’! Por Allahu dëshmon se në të vërtetë, ata janë gënjeshtarë. Ti në atë xhami kurrë mos fal namaz…”   (IX: 107-108)

Si rrjedhojë e sqarimit të zbuluar përmes shpalljes lidhur me këtë shtëpi, që s’ishte tjetër veçse një çerdhe konspiracioni, megjithëse hipokritët e quajtën xhami, ajo u shkatërrua dhe u dogj, 19] me urdhër të Profetit të nderuar a.s. në mënyrë që të mos përdorej kundër fjalës së Allahut e në dëm të Islamit. Pak mbas kësaj ngjarjeje, udhëheqësi i hipokritëve, Abdullah bin Ubaj vdiq dhe me këtë shënohet edhe rënia e veprimtarisë së tyre.

 

Vdekja e Ibrahimit, djalit të Profetit Muhamed a.s.

 

Profeti i Islamit a.s. ishte shumë i kënaqur që ishte bërë me djalë. Por Allahu dëshironte tjetër gjë. Ibrahimi ra i sëmurë, kur nuk kishte mbushur veçse pak muaj. Ai shkoi ta shihte, por e gjeti në prehrin e së ëmës, në prag të vdekjes. Muhamedi a.s. e mori tërë kujdes në duart e tij. Dhe, kaq ishte; Ibrahimi dha frymën e fundit. E ëma dhe tetoja qanë siç është e natyrshme për shpirtrat që na lënë dhe sytë e Profetit të mëshirës a.s. u mbushën me lotë. Por, ai e mblodhi veten dhe, vetëm tha: “O Ibrahim! Po të mos ishin Urdhrat e Allahut të vërtetë dhe, po të mos ishin Premtimet e Tij të tilla, që do të plotësohen medoemos, si edhe po të mos ndodhte që edhe i fundit prej nesh do të bashkohet me të parin prej nesh, ne do të kishim vajtuar për ty shumë më tepër se kaq.” Dhe, pas një ndërprerje të shkurtër, ai vazhdoi: “Sytë tanë janë të mbushur me lotë, zemrat tona me hidhërim, e megjithatë, me buzët tona nuk shqiptojmë asgjë tjetër, veç asaj që i pëlqen Allahut, dhe ne qajmë për ty, o Ibrahim!”

Rastisi që ditën e vdekjes së djalit të Profetit të ndritur a.s., dielli u mbulua nga eklipsi dhe njerëzit ishin të prirur ta komentonin si pasojë e vdekjes së tij dhe të pjesëmarrjes së qiellit e të tokës në këtë ditë zije, për vdekjen e Ibrahimit. Kur e mësoi këtë, Profeti i lartë a.s. mbajti një predikim të shkurtër:

 

“Dielli dhe hëna janë dy shenja nga shenjat e shumta të Allahut. Eklipsi i tyre nuk ndodh për shkak të vdekjes së asnjë qenieje njerëzore. Kur të shihni se ndodhin këto eklipse, nxitoni e përkujtoni Zotin me namaz.” 20]

 

Abu Bekri udhëheq grupin e Haxhit 21]

 

Deri tani, Haxhi ishte kryer nga arabët, sipas riteve të vjetra pagane. Profeti Muhamed a.s. dërgoi Hazreti Abu Bekrin, në krye të treqind pelegrinëve (haxhilerëve). Ai kërkoi prej tyre që t’u mësonin njerëzve mënyrën si duhej bërë haxhi. Pasi ishte nisur Abu Bekri nga Medina, Profetit të Islamit a.s. i zbriti shpallja nga Allahu, me anë të së cilës paganëve u ndalohej të hynin në Xhaminë e Mekës. Profeti i madhërishëm a.s. i kërkoi Hazreti Ali bin Abu Talibit që ta arrinte Abu Bekrin dhe t’ua bënte të ditur shpalljen e re, duke u kërkuar ta vinin në zbatim, menjëherë. Abu Bekri, si përfaqësues i Profetit të lartë a.s. dhe Aliu, me shpalljen e re të marrë prej tij, e kryen detyrën më së miri. Pas haxhit, ata u kthyen në Medine, bashkë me 300 Shokët.

 

DELEGACIONE NGA FISE TË NDRYSHME

 

Pas triumfit të Mekës, Medina ishte jo vetëm “Madinatun-Nabi” (Qyteti i Profetit), por edhe kryeqyteti i Islamit, gjithashtu. Delegacione nga të gjithë Arabia filluan të vërshonin në Medine. 22] Këtu po rendisim një pjesë të vogël të fiseve të tilla përfaqësuesit e të cilëve e vizituan Profetin e Islamit alejhi salam:

 

Muzaina; Asad Tamim; Abs; Fazara; Murra; Thalaba; Muharab; Kilab; Ruws bin Kilab; Ashxha; Bahila; Slain; Thakif; ‘Abdul Kais; Hanifa; Shaiban; Murad; Zubaid; Saddi; Khusham; Azd; Ans; Ghamid; Aslam; Xhudham; Mahra; Hamir; Naxhran; Xhaishan e tjerë.

 

Delegacionet qëndronin në Medine (të shumtën e herës, në xhaminë e Profetit) për disa kohë dhe  mësonin për Islamin nga Profeti Muhamed a.s. dhe Shokët e tij. Nganjëherë, Profeti i ndritur a.s. u kërkonte Shokëve të tij t’i merrnin disa prej tyre në shtëpitë e veta për për t’ua mësuar Islamin atje. Ndër delegacionet e rëndësishme, mund të përmendim këta:

 

 

  • Delegacioni i Thakifit

Një nga delegacionet e rëndësishme që erdhën te Profeti i lartë a.s., ishte ai i fisit Thakif, nga Taifi. Ky delegacion erdhi në muajin Ramazan të vitit 9 të Hixhrit, 23] kur Profeti i nderuar a.s. porsa ishte kthyer nga Tabuku. Më përpara, në vitin 8 të Hixhrit, Urwa, kryetari i fisit Thakif ishte kaq i prekur nga fjalët e mësuesit të madh sa ai e kishte pranuar Islamin qysh kur Profeti i Islamit a.s. po kthehej nga Ekspedita e Taifit dhe i kërkoi leje të shkonte në Taif dhe t’i ftonte edhe bashkëvendësit e tij ta pranonin Islamin. Dhe e bëri këtë, shkoi në Taif dhe, pasi e deklaroi besimin e tij, publikisht, i ftoi edhe ata në Islam. Por populli i Taifit nuk mund ta lejonte këtë; ata e morën me gurë dhe vazhduan ta qëllonin, derisa ai vdiq. Ndërsa po jepte shpirt, ai shprehte falënderimin për Allahun për martirizimin e tij: “Kjo është një dhuratë, me të cilën Allahu më nderoi, duke më drejtuar mua…” 24] Fjalët e shqiptuara nga Urwa, në frymën e fundit, ushtruan një efekt shumë domethënës te bashkëpatriotët e tij. Gjaku i dëshmorit, bëri që në zemrat e vrasësve të tij të lulëzonte besimi i ri.

Pasi e vranë Urwan, prijësit e Thakifit u këshilluan me njëri-tjetrin dhe gjykuan se ata nuk ishin në gjendje që të luftonin me tërë arabët rreth e rrotull tyre, të cilët e kishin pranuar Islamin. Abu Jalib, njëri nga krerët, si u këshillua edhe me disa të tjerë, vendosi të shkonte në Medine, bashkë me pesë vetë që mendonin si ai. Kur erdhën te Profeti i madhërishëm a.s., ai ngriti një tendë për ta, afër xhamisë së tij, në oborr. Ata e pranuan Islamin dhe i kërkuan Profetit të mëshirës a.s. t’u jepte ca kohë, para se ata ta thyenin idhullin e tyre, al-Lat. Profeti i Islamit a.s. nuk e pranoi këtë. Magjithatë, ai i lejoi që ata vetë të mos e preknin me dorë idhullin, por do të dërgonte Abu Sufjan bin Harb dhe Mughira bin Shuba për këtë punë. Profeti Muhamed a.s. caktoi Uthman bin Abul-As përmbi ta, si udhëheqës të tyre, për arsye të zellit të tij për përfitimin e dijeve rreth Islamit dhe mësimit të Kuranit të shenjtë.

 

  • Delegacioni i Banu Tamim

Një nga përfaqësitë më të rëndësishme që erdhën te Profeti i fisnik a.s. ishin ata të Banu Tamimit. 25] Ata ishin shumë krenarë për poetët e tyre. Kur erdhën te Profeti i ndritur a.s., ata filluan të lavdëroheshin duke i thënë: “O Muhamed, kemi ardhur të matemi me ju në fushën e oratorisë, kështu që, na lejo të paraqesim poetin dhe oratorin tonë.” 26] Oratori i tyre, Utarid bin Haxhib u paraqit me një fragment të shkurtër, përgjigjen e të cilit ia dha, aty për aty, Thabit bin Kais, me urdhër të Profetit të lartë. Pas tij u ngrit njëri nga poetët e tyre, Zubrikan, i cili recitoi një poemë dhe përgjigjen e mori nga Hasan bin Thabit, me urdhër të Profetit të nderuar alejhi salam. Ata e pranuan se oratorët dhe poetët e Profetit të Islamit janë më të zotë se të tyret; megjithatë, pas gjithë këtyre, ata e pranuan Islamin, kurse Profeti i mëshirës a.s. ua bëri qejfin me dhuratat e zgjedhura për ta.

 

  • Delegacioni i Banu Amir 27]

Nga Banu Amir erdhi një përfaqësi ku bënin pjesë tre krerë të rëndësishëm të tyre, Amir bin Tufail, Arbad bin Kais dhe Xhabar bin Salma. Nga këta, Amir bin Tufail erdhi me mendimin për ta vrarë Profetin Muhamed a.s., tradhtisht. Ai e kishte planifikuar ta bënte këtë krim me ndihmën e Arbadit, mirëpo ky nuk pranoi të bashkëpunonte me të, bile, ai e pranoi Islamin. Pas pak, Amiri vdiq gjatë rrugës së kthimit në vendin e vet, nga sëmundja e murtajës. 28]

Disa nga figurat e rëndësishme, të njohura në Arabi e që e pranuan Islamin gjatë asaj kohe dhe që erdhën te Profeti fisnik a.s., ishin: Abi bin Hatim, një nga krerët e krishterë të fisit Taji; Farwa bin Musaik al-Muradi, nga Kinda; Amr bin Madikarib, nga fisi Banu Zubaid; Al-Ashath bin Kais, nga Kinda, Surad bin Abdullah al-Azdi, një nga krerët e fisit Azd; mbretërit e Himjarit: al-Harith bin Abdu-Kulal, Nuaim bin Abdu-Kulal dhe al-Numan, princ i Dhu Rujan, Ma’afir dhe Hamadanit; Farwa bin Amr al-Xhudhami i Nufathas.

Hollësitë për pranimin e Islamit, nga ana e tyre, janë të pasqyruara në librin e Ibn Hishamit “Al-Sirat al-Nabawijah” si edhe në libra të tjera me këtë tematikë.

 

Ngjarje të ndryshme gjatë vitit të nëntë të Hixhrit

Shpallja për ndalimin e fajdesë ka zbritur në këtë vit. Negusi, Perandori i Abisinisë, i cili e përqafoi Islamin, vdiq këtë vit dhe Profeti i lartë a.s. ia ka falur xhenazen.

 

Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”

Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së

 

  1. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.160.
  2. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.162.
  3. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.163.
  4. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.164; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Mulik”, Vëll. III, f.111-112.

Shënim: Tabari ka përmendur emrat e dy tempujve: Raskob dhe al-Makdham.

5.Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.114.

Shënim: Tabari ka përmendur fjalën “Rakusiah”, që do të thotë një komb me fe të përzier me idhujtarinë dhe besimin e krishterë. Shih edhe shënimn e “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, nga Tabari, f.114.

  1. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.112.
  2. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.164.
  3. Fathul-Bari”, Vëll. IX, f.250; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.547.
  4. Sahih al-Bukhari”, Kitab al-Talak; “Sahih Muslim”; “Siratun Nabi”, nga Shibli Numani, Vëll. I, f.548.
  5. Fathul-Bari”, Vëll. VIII, f.503; “Siratun Nabi”, nga Shibli Numani, Vëll. I, f.550 dhe 559. Gjithashtu, shih “Tabarani”; dhe “Tafsir”, nga Ibn Kathir.
  6. Tabuku është një vend midis Medines dhe Damaskut. Tani ajo përbën një rajon me rëndësi të shtetit saudit, rreth 700 kilometra nga Madina al-Munawarah.
  7. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.165; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. III, f.63-64.
  8. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.518; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.253; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.619.

Shënim: Sipas Ibn Abd al-Barr dhe Ibn Khaldun, Osmani dha 1.000 dinarë, 900 deve dhe 100 kuaj.

  1. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.166.
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.515; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.165; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.100; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.253.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.519; Ibn Xharir al-Tabari, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. III, f.104; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.254; “Sahih al-Bukhari” (Kapitulli: ‘Ghazwatu-Tabuk’).

Shënim: Sipas Ibn Sad, Profeti i Islamit a.s. la në Medine si përfaqësues të tij Muhamed bin Muslimah: “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.165; por shumica e historianëve (të cituar, më sipër) nuk janë të këtij mendimi.

  1. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.525-526.
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.529; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.110; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.257.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.530; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.110; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.257.
  4. Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.546.
  5. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.543-554; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.168-169; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.266-267; Ibn Kajim, “Zad al-Ma’ad”, Vëll. II, f.24; Ibn Kathir, “Al-Bidajah wal-Nihajah”, Vëll. V, f.36.
  6. Për hollësi, shih: Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.560-598; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.291-359; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.115-125 dhe 130-145; Ibn Abd l-Barr, “Al-Durar”, f.269-274.
  7. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.537; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.97.
  8. Ibn Hashim, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.537; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.9; Ibn Is’hak, “Sirat Rasul Allah”, përkthim anglisht i “Life of Muhammad” – Jeta e Muhamedit, nga Gijomë, f.614.
  9. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.560; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.115; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.271.
  10. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.562; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.116; Ibn Ishak, “Sirat Rasul Allah”, përkthim anglisht i “Life of Muhammad” – Jeta e Muhamedit, nga Gijomë, f.628.
  11. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.567-573; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.144.
  12. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II (Vëll. 3 & 4), f.568; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. III, f.145; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.270.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version